“Al Global Oil” shpallet fitues i ankandit të Albpetrol me ofertë 30 milionë dollarë

894
Sigal

“Al Global Oil” që vitin e shkuar bleu rafinerinë e bitumit të ARMO-s në Fier ka bërë edhe ofertën më të lartë për blerjen e mbi 75 mijë tonëve naftë bruto të nxjerrë në ankand nga kompania publike Albpetrol. Kjo e fundit njoftoi se ishin të paktën katër kompani që bënë oferta për të marrë këtë sasi nafte, por që oferta fituese rezultoi të ishte ajo e “Al Global Oil” me një vlerësim paraprak prej rreth 30 milionë dollarësh, shkruan Monitor. Tre kompanitë e tjera ishin “Tosk Energji”, “R.B.H Beline” sha, “Genklaudis” sha. “Duke iu referuar procedurës, informojmë “Al Global Oil” se oferta e paraqitur, me një çmim/njësi prej: Në pikat e lëvrimit te Albpetrol sha 75.27 % e Çmimit Brent – 2.97 USD/bbl + K K=0.105 USD/bbl pa TVSH, është identifikuar si oferta e suksesshme. Rrjedhimisht, jeni të lutur të paraqisni pranë Albpetrol sha, rruga Fier – Patos km 7, sigurimin e kontratës ne vlerën 328,107,588 (treqind e njëzetë e tetë milionë e njëqind e shtatë mije e pesëqind e tetëdhjetë e tetë) Lekë, në masën 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës, siç parashikohet në dokumentet e ankandit, dhe të nënshkruani kontratën brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e marrjes së këtij njoftimi”, thuhet në shpalljen e bërë nga Albpetrol. Ajo që bie në sy nga ankandi i një viti më parë kur Albpetrol nxori në shitje 56 mijë tonë naftë bruto është nga njëra anë rritja e çmimit të naftës dhe nga ana tjetër, ulja e kostove të magazinimit të saj. Operatorit fitues do t’i duhet që të tërheqë sasinë prej 75 101 tonë brenda 270 ditëve nga lidhja e kontratës. Shpallja fitues e “Al Global Oil” është kundërshtuar nga tre operatorët e tjerë, të cilët kanë bërë ankesë pranë autoriteteve, por që në përgjigjen që iu është kthyer, iu janë dhënë edhe argumente për rrëzimin e ofertës së tyre.
Në janar të vitit të shkuar, AL.Global Oil, bleu në ankand nga Banka Raiffeisen për 5 milionë dollarë, uzinën e prodhimit të bitumit të rafinerisë ARMO, e cila ndodhet në Fier. Blerësi është një kompani e krijuar në vitin 2016 dhe aksionerë të saj janë Arjan Dhimertika dhe Ridgers Mema. Aktiviteti i kompanisë zhvillohet në një sipërfaqe prej 70 mijë metrash katrorë të vendosur në dispozicion të Uzinës, e ndodhur në Jug Perëndim të Azotikut në kompleksin industrial të Fierit. Kapaciteti i projektuar përpunues i Impiantit të Distilimit është 500 000 ton/vit naftë bruto.