Të rinjtë azilantë në BE, Dervishi: Lotët e nënave, do ti kthejmë në gëzim

1023
Sigal

Të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) dhe të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI), me simbolikën e 200 këpucëve, protestuan këtë të enjte para Kuvendit për të rinjtë që janë larguar nga vendi drejt shteteve të BE-së. Ata prekën plagën më të madhe, atë të emigrimit dhe përgjegjëse bëjnë keqqeverisjen. Shqipëria mban rekordin në botë për numrin e lartë të azilkërkueseve por ka një normë shumë të ulët të njohjes së kërkesës së tyre.

Në protestën simbol të së enjtes ishte dhe Baki Dervishi, kreu i LRI-së në Kavajë. Ndërsa sot, përmes një postimi në facebook, ai ka ndarë ndjesitë e një të riu që i ka të afërmit në emigrim. Mes rreshtave, Dervishi thotë se festat në familje nuk janë më të njëjtat, pasi të afërmit ikën nga Shqipëria për një jetë më të mirë.

”Vite më parë gëzohesha kur vinin festat e bashkë me familjen shkonim për vizita tek të afërmit. Gëzohesha kur festonim me shokët dhe shoqet, sa vite të bukura ishin ato. Festat sot nuk i shijojmë sepse të afërmit tanë ndodhen diku larg për një jetë më të mirë. Ndodhen dikur larg sepse vendi ku ne jetojmë i braktisi duke i mbyllur bizneset (me taksa të larta) dhe duke mbushur administratat me të paaftë. Festat sot na gjejnë me lot në sy përpara smartphone-ve sepse të afërmit tanë diku larg nuk kanë mundësi të vijnë e të festojnë me ne (ne jo e jo). Sa kohë e keqe erdhi”.

I vendosur ashtu si mijëra të rinj, ai thotë se do të vijojë të protestojë derisa Shqipëria të bëhet shtëpi e shqiptarëve. ”Unë si i ri nuk do të ndalem, nuk do të ndalem derisa lotet e mi të kthehen në buzëqeshje, nuk do të ndalem derisa loti i prindërve të mi të kthehet në buzëqeshje, loti i të gjakut tim e shokëve të mi të kthehet në buzëqeshje dhe brenga që po i pakëson jetën çdo nëne që ka binjtë e saj larg të kthehet në gëzim. Jo, nuk do të ndalem derisa ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve”.