Gjiknuri: Regjisori i “Babales” iu rikthye politikës së korbave

659
Sigal

Lulzim Basha: Ministrit Gjiknuri i është mbyllur goja me milionat e naftës dhe kromit

Dje, kryetari i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar ministrin e Energjetikës Damian Gjiknuri, për korrupsion, që ka përfituar miliona nga nafta dhe kromi nga Spitali Ushtarak, ku vizitoi minatorin e plagosur një ditë më parë në Bulqizë. Denoncimi i Bashës:  “Këto janë kosto dhe faturat e korrupsionit qeveritar e një prej ministrave më të korruptuar të kësaj qeverie, Damian Gjiknuri, të cilit i është mbyllur goja me milionat e mafies së kromit që është përgjegjësja kryesore bashkë me qeverinë e Edi Ramës për vdekjen e mbi 40 minatorëve gjatë 5 viteve që qeveris PS,” deklaroi Basha.

Paloka paralajmëron Gjiknurin: Ke dhe ti dosje për drogën dhe krimin. Tik-tak Damian…

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka deklaron se ka një dosje edhe për një ministër tjetër të qeverisë “Rama”. Paloka ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i cili u akuza nga kreu i PD-së Lulzim Basha si i lidhur me mafien. Deputeti demokrat i thotë Gjiknurit se dhe për të ka një dosje e gjithçka është e dokumentuar. Madje Paloka përdor tik-tak-un e orës për të paralajmëruar ministrin. “Damian Gjiknuri, ke dhe ti dosjet e tua prej muajsh për lidhjet e tua me drogën dhe krimin e organizuar. Gjithçka është e dokumentuar, ta dish se nuk të shpëtojnë dot për shumë gjatë Rama-Marku-Xhafa-Prela. Merr masa mos të vjedhin edhe shtëpinë e tezes ose ndokujt tjetër. Tik-tak tik-tak Damian…”, shkruan Paloka.

 

Gjiknuri i përgjigjet akuzave të Bashës: Regjisori i ‘Babales’ iu rikthye politikës së korbave

Pas akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri ka reaguar. Ministri Gjiknuri shkruan se “regjisori i Babales iu rikthyes sot politikës së korbave duke përdorur politikisht fatkeqësitë njerëzore dhe aksidentet në punë gjatë aktivitetit minerar”.“Regjizori i Babales iu rikthye sot politikës së korbave, duke përdorur politikisht fatkeqësitë njerëzore dhe aksidentet në punë gjatë aktivitetit minerar. Luli e di shumë mirë, se ajo çka vazhdojmë ta paguajmë sot është fatura e “babale partisë” së tij dhe qeverisë në të cilën ishte pjesë, që parcelizuan në mënyrë kriminale çdo vendburim minerar duke u bërë shkak për rritjen e aksidenteve. Në betejën tonë për zhbërjen e këtij parcelizimi kemi revokuar mbi 150 leje, por jemi përballur e vazhdojmë të përballemi çdo ditë pa u ndalur me gjykatat e ndryshkura nga korrupsioni. Regjisori i Babales mbron gjykatat e korruptuara dhe këto të fundit mbrojnë e mbajnë në fuqi leje e licenca të firmosura nga skenaristi i Babales në të cilat ndodhin edhe aksidente me humbje jetësh njerëzore. Një arsye më shumë për të mbështetur fuqimisht reformimin e sistemit të drejtësisë duke i vënë fre dhe spektaklit politik të Lulit në kërkim të kauzave të radhës,” shkruan Gjiknuri.