Sofia Doko Arapaj
Tek stacioni
Ai më përqafoi sa u ngopa,
e ndjeva kur më mbështolli plot,
po nuk e kuptova dot,
si iku, iku menjëherë.
Dritaret, karriget si frymore,
morën ngjyrën e fytyrës së tij morën
të dua, a ja thashë që t a dije,
si iku, iku menjëherë.
Def i lehtë i binte gjoksit tim
isha aq e ngrohtë, aq e butë, aq e ëmbël
po të më prekje, do të përgjigjesha si zog
si zog, si zog, si zog dhe si ëndërr.
Ti ndenje pa gjumë
Ti ndenje pa gjumë
Pa bukë edhe ujë der’ sa, më pe
U ndave aq ditë nga zanat në pritë, der’ sa, më pe
Hodhe shokë për kokë e vargje përtokë, deri sa më pe
E vetmja herë vetvetja lindja dhe dhimbja, deri sa më pe…..
E kur më pe, nuk e di sepse, të kujtova bariun
Më shëtite tërë ditën si qengj në lëndinë
Loze me mua dhe nxore mërzinë,
Deri sa bëra be, dhe më, nuk më pe…
Shpirti im
Vite
të tërë e ndrydha shpirtin tim
mos i dëgjohej zëri
mos në ëndrra bëhej fundi im
e ditën me hante trupin
porsi arushë, e merrja me të mirë
e s ja kisha më merakun
po erdhi çasti e ripashë Atë,
e thashë -do ta marr hakun!
Oh…oh, dhe e zgjodha ,
vendin më të bukur
dantella e taka u vesha
diellin e preva mes për mes
në shpirt një puthje i ngjesha
pas pak dëgjoj një ulërimë
mire të të gjej o diell…
por arusha, e bukura shpirti im
ish kthyer prapë në qiell…
LOT TË NXEHTË
Të tretem në ngjyrat e luleve,
se kam frikë të më tresë dheu i huaj…
Të ngrohem që tani,nën rrezet e diellit,
se do bëjë ftohtë nën dhe të huaj…
Për pajë të marr….ndonjë pendë shqiponje,
se do shkruaj, vargje….nën dhe të huaj,
po…. si të merrem vesh me Ju…
Duke kërkuar dashurinë
Të njoh ty kalimtar,
edhe pse s të kam parë asnjëherë.
Ti je prej andej nga jam edhe unë
Edhe frymëmarrjen ta ndjej
e di që tani po loton…
Mos loto!
Se i sheh retë ne qiell?
Do tërbohen
do na qëllojnë me rrufe…
Më mire hesht!
Nuk është faji ynë
që nuk vdesim dot më …
Na munduan shumë
aq sa vdiqën edhe vdekjet….
Rri pakëz … ndiz një cigare.
Ose… këndomë një këngë
cilën të duash ti…
Këndomë,
deri sa të dëgjohet
trokëllima e fantazmave…
Akoma jemi duke kërkuar dashurinë…
Ditën e fundit
Kur të shkojnë njëqind pranvera,
Mbase bëhen dhe njëmijë,
Ditën e fundit të jetës,
Mbamë për dore si fëmijë..
Mos më lër, merrmë për dore,
Me të butë e me të mirë,
Të të puthësh e stolisësh,
Pa marrë vesh se si është gdhirë..
Të më çosh vathët e bukura,
Dhe rruazat zemër-o,
Byzylykun dhe unazën,
Të më krehësh mos harro!
Lyemi buzët me të kuq,
E më stolis si di ti,
Mos harro pasi të vdes,
Pres të bëjmë dashuri…
Ç’deshe diell?!
Kur e shoh,
ashtu të qeshur,
Zot, a e di si lutem,
të isha ajri që thith,
në mushkëri t’i futem…
Natën,
natën nëpër errësirë,
Zot, a e di si them,
të shkel,
të shkel rrethin e logjikës,
e pranë tij të jem…
Ç’deshe,
Ç’deshe Diell ti, që dole,
aq shumë vjet vonuar,
puthjen,
puthjen edhe përkëdheljen,
i kisha…. harruar…