Suplementi Pena Shqiptare/ Valter Dauti: Rrjetë lundërtari.

637
Sigal

(Mozaik Divjake)

 

Po flas këtu ku jam, njeri, po flas,

Të tjerët qeshin, qajnë edhe më shajnë.

Vetvetja thotë, or ti që hesht, pse s’plas?

S’ka rob këtu që peshë të tillë të mbajë.

 

Po flas …o njerëz, se kam edhe dy sy,

Ti nxjerr jashtë vetes time, t’i pështyj?

Unë ec në det, dhe vetë veten e vras,

S’e di se ku po dal, s’di ku të hyj…

 

Të gjithë rendojnë, rendojnë ku është fitorja,

Të gjithë shesin…të shesin… dhe të blejnë.

Ma gjej, ti o njeri, ku është fa(o)ltorja,

Te, zgjohen ca të tjerë, shumica flenë…

 

Po flas dhe shpresa vdes sipër lopatash

çdo anë det… po deti s’njohka anë,

Një trill që s’di nga vjen, si tufë lofatash,

Ca ëndrra vdekatare më vdesin pranë.

 

Këtu ku jam, ku vdes dhe ku vjell frymë,

Psherëtij dhe rraskapit shikimin tim,

Mbi det ngjallen dhe pillen shifra datash,

Nën det zgjohet tërbohet ç’quhet krim…

 

Të tjerët, qeshin,qajnë çirren e shajnë,

Dhe deti uturon, fryhet e s’plas.

Të hyjshëm janë ata që jetën mbajnë,

ende të gjallë me frymë…ndaj s’mund të plas…

 

Këtë pranverë s’di nga më iku,

Një vajzë e re, si re e bardhë,

Ca ëndrra ndezi, ca ëndrra fiku,

Siç fiket vjeshtëzës një dardhë…

 

Iku e vetme dhe s’di ku humbi,

Ku t’ia kërkoj puthjen e fundit?

Te zbret kjo mbrëmje ngjyrë plumbi,

Mbi det, me flatrat e pëllumbit…

 

Dhe nis e shaj tej-tej pranverën,

Dhe mbrëmjen e thërres më pranë,

I shaj harlisjes edhe erën,

me flatrat flu, që s’ di ku ranë…

 

S’di ku u tret, një çupë bjonde,

Me gjoks të bardhë si luledardhë…

Në qiell një re shpaloste onde,

… derdhte me gjoks qumësht të bardhë…

 

Ndaj, sigurisht, do ta pi qiellin,

Në dehje qejfi do ta gjej,

Qoftë dhe një pupël prej pëllumbi,

Sërish në puthje do ta kthej…

 

Do vish ti, thjesht, rrëzuar nga qiej vetëtimash

Ku pishat hedhin tej, ca boçe-këpucë-grash.

Ku feksin edhe zhduken xhufka prej pelikanësh,

Ku qeshin si në ëndërr, qefuj që pinë hashash.

 

Do vish …do vish si…era… këtu do flesh sërish,

Këtu te varkë e vjetër që gjumë bën në bregdet,

Zbret Kashtë e Kumtrit ëmbël, nëpër një rrugë dhish,

Dhe pret te një shteg dallge…eh, kush e di kë pret…!

 

Do vish… se s’bën…s’ke ku të vesh…

Ku ëndrra qesh mbi varkë…këtu..këtu…

Mban qefulli gjithë pordhë flori në vesh,

Mban bregu plot argjendin, gjer në gju.

 

Po flas aty ku jam… edhe grindem me erërat,

Një varkë e kam pronë-deti! Jam pronar!

I mbajnë si të shenjta veç qefujt hipotekat,

Në hipotekën det, askujt lejë s’i marr…

 

Ti eja krejt e fluturtë, eja si luledardhë,

Një frymë prej pelikanësh qëndron në erë dhe pret.

Një valëz e pelikantë do murmurojë në radhë,

Tek, dielli i dashuruar do bjerë të flejë mbi det.

 

Tek, dielli do të tretë mbi flokë dallgësh flori,

Unë pres te lundra ime.Flirte zambakësh mbaj.

Dhe sigurisht, që larg, e qeshur do vish ti.

Dhe për këtë, veç lundër e vjetër paska faj…

 

Të shesë mend një qefull me veshët mbushur ar,

Me syrin det të qeshë, një çast si xhentëllmen…

Të tallet, si gjithmonë, me shpirtin lundërtar,

Që vjedh në det lirinë, dhe pse jeton si qen…