Sigal

“Lutje”

Përpara tymit,

Harroj zjarrin.

Përpara puthjes,

Harroj dashurinë.

Përpara lules,

Harroj erëmimin.

Përpara hingëllimës,

Harroj kalin.

Përpara emrit,

Harroj njeriun.

Më vini përpara orën

Të harroj kohën

 

*         *         *

Të gjitha i kemi lënë për nesër:

Bukën,

Këngën,

Dashurinë,

Urrejtjen.

Ndryshe me se ta prisnim vdekjen?!

 

Art

Tek tingujt vdes

Tek ngjyrat çmendem

Tek fjala vdes çmendem përmendem.

 

Apoteozë gri

Qielli është gri,

Toka është gri

Gri dhe puthja!

 

Buka s’ka erë,

Era s’ka erë,

S’ka erë lulja!

 

Ëndrra është gri,

Gjaku është gri,

Gri edhe zjarri!

 

Molla s’ka erë

Uji s’ka erë

S’ka erë bari

 

Moti është gri,

Shpirti është gri,

Gri edhe kënga!

 

Era pa erë,

Buka pa bukë,

Pa zemër zemra!

 

 *     *      *

Nata po fle,

Tek-tuk feksin lehje si thika në përleshje.

 

Qeshin fushat me drurët e përkohshëm,

Qajnë malet për borën e përjetshme…