Suplementi Pena Shqiptare/ Tomorr Shasho: Takimi me Marin Barletin

591
Atë mëngjes, më kishte mbërthyer keq ai i shkreti gjumë! U zgjova vetëm kur dëgjova zilen e derës. Çohem duke fërkuar sytë, të cilët nuk po më hapeshin. Ashtu, gjysmë i turullosur, hapa derën. – Po ti, more, nuk paske fjetur fare?! – i thash mikut tim, Xha Temes. – Mirë që nuk erdhe në dy të natës! – Edhe ajo do të kishte ndodhur, por nuk më la plaka. “Ku do të vesh tani natën, more plak! Të la mendja! Do të gdhihet dita e shkoni!” më uluriste. – Pse, ku ke ndërmend të shkojmë? – fola duke hapur gojën, sepse ende gjumin e kisha te sytë. – E dëgjove emisionin mbrëmë për Skënderbeun, apo fjete me pulat? Nuk më la kohë të ktheja përgjigje, por më urdhëroi të vishesha shpejt. Për dhjetë minuta u nisëm për udhë. Ik e ik, ik e ik për nëntë ditë e nëntë netë. Xha Temja para e unë pas, pa mbyllur sy as një sekondë. Edhe bukën e lyer me krem çiz, duke ecur e hanim. Në ditën e dhjetë, në të lindur të diellit, mbrritëm. Trokitëm në derë. Doli një burrë i fuqishëm e me mjekrën nëntë metra të gjatë. Ishte roja e derës së pallatit. Na kërkoi dokumentet. – Pse edhe këtu duhen dokumente? – pyeti xha Temja. – Duhen, madje, me nëntë vula. Vetëm atëherë pranoheni në Parajsë. -Ne duam të takojmë një historian e jo të futemi brenda. Jemi të bindur që është këtu. Vetëm xha Temja fliste, ndërsa unë shkruaja. Shkruaja me kujdes, ashtu si do ta duan ata njerëzit e shekullit të 40 – të. -Si e ka emrin? – pyeti roja i Parajsës. – Marin Barlet – Shkodrani. Ai që ka shkruar për Skëndërbeun. Ke dëgjuar ti për Skënderbeun, apo jo?. – foli xha Temja i nevrikosur. – Eshtë ai që me popullin e tij i mundi osmanllinjtë për 25 vjet rresht. Mbrojti vendin e vet, mbrojti edhe Evropën nga pushtimi otoman. Ja kështu! Po nuk e dite, mësoje! Roja shkoi brenda në pallat. Nuk vonoi shumë e në dhomën e pritjes mbrriti Marini. – Urdhëroni! Përse jeni munduar për t’më takuar pas 600 vjetësh?! Ç’hall keni? – Ja që edhe pas 600 vjetësh duam t’na ndihmosh. – Po ç’ndihmë doni? Unë jam historian. Nuk jam biznesmen e as politikan! Atë bimën e re që ju kultivoni, unë nuk e njoh. Në kohën tonë nuk e njihnim. Ndaj nuk kam fara që të t’ju jap. – Jo, jo. S’është fjala për atë bimën e flamosur. Duam ndihmë për historinë. Të bëjmë shumë rixha, zoti Marin! Të na ndihmosh, sepse zotrote e ke në dorë. – Ju lutem, ju lutem shumë, nuk ju ndihmoj dot. Unë njoh vetëm historinë e kohës sime. Për historinë e mëvonëshme të vendit tim nuk di se ç’tju them. Nuk e kam jetuar. Historinë e kohës sime, po, mund t’ju tregoj. – O po që e ke shkruar, e dimë ne, e nuk kemi nevojë t’na e tregosh, por e ke shkruar gabim. – Si gabim?! Historia shkruhet ashtu si ndodh dhe jo si duam ne. – Mos e zgjat! Këtu xha Temja mori zjarr. – Ta shkruash përsëri nga fillimi e ashtu si na pëlqen ne historianëve të rinj! Ja të shkruash se: Skënderbeu ka qën një piciruk dhe erdhi për të mbrojtur pronat e tij e nuk erdhi për të larguar osmanët. Edhe po the se nuk ekzistonte, por ishte një mit i stisur, mirë do bësh! O po mos u lodh fare! Eja dhe shkruaje si të thonë këta analistët e disa historianë tani. Madje, të mendosh e ta shkruash edhe se si e duan ata të shekullit të dyzetë. O po të shkruash se Skënderbeu ka qënë gjysmë ane i krishter e gjysma tjetër mysliman. Ta ndryshosh të gjithë historinë, ndaj kemi ardhur. -Si! Të ndryshojë historinë?!…Ja e ndryshokam unë, po ata kolegët e mi, venedikas, osmanllinj, tërë ata albanologë, a mund të bien dakord për ta ndryshuar historinë! E dëgjova me vëmendje dhe, të them të drejtën, më erdhi keq që nuk më ndihmoi. Kur po bëhesha gati të largohesha, ai më foli sërish, këtë herë me një farë inati: – Pa ikni e rregulloni atë historinë e kohës suaj, sepse po e dreqosni me sa kam dëgjuar, pa për këtë të Skënderbeut mos e kruani shumë. E kemi shkruar ne që jetuam e luftuam në ato kohëra. E shikova edhe një herë Marinin dhe mallkova veten që kisha ardhur te ai për ta pyetur, por ai vazhdoi në të tijën: – Mbajeni mend nga unë: mund të mundoheni sa të doni për ta mbuluar historinë, por nuk e shtrembëroni dot kurrë. Historia shkruhet ashtu si ka ndodhur. Skënderbeu ka qënë e do të jetë sa të jetë bota, një prijës legjendar për kohën që jetoi. Mora prej krahu xha Temen e i thashë: – Hajde të ikim, se e dëgjuan ata të jashtmit dhe lamë koqen e namit.
Sigal