Suplementi Pena Shqiptare/ Virgjil Kule: Grimca nga Mesjeta jonë europiane që nuk duhet harruar

491
Sigal

…Erdhi maji i vitit 1464. Venediku po përgatiste një forcë ushtarake me në krye kondotjerin Antonio da Cosenza (Cimarosto) për të vëzhguar se sa seriozisht e kishte Skënderbeu paqen me osmanët. Në udhëzimet që merrte Cimarosto nga senati i Venedikut, më 17 maj 1464, tingëllonte qartë joshja për Skënderbeun me anë të titujve venedikas. Ja si thote dokumenti: “Ju kujtojmë që, kur të ndodheni së bashku me zotin Skënderbe ose me të birin, Madhështia e tij ka për të qenë Kapiten i përgjithshëm si i njerëzve të tij ashtu edhe tanëve, por, meqenëse proveditori ynë në ato anë është i informuar për synimin dhe mendimin tonë, ju duhet t’i bindeni dhe të zbatoni atë çka do t’ju urdhërojë proveditori ynë për të mirën dhe dobinë e shtetit tonë…” Vihet re që në pikëpamje dokumentacioni, zyrtarët e Republikës janë shumë të kujdesshëm për të ruajtur koherencën teorike ne lidhje me klauzolat e marreveshjes kuazi integruese te 20 gushtit 1463. Titujt venedikas të Skënderbeut dhe të të birit figuronin të plotë, pavarësisht se në praktikë ende nuk po konfirmoheshin. Kjo për shkak të vetë sistemit ligjor mbi bazën e të cilit funksiononte shteti venedikas. Miratimet ose mosmiratimet e dekreteve etj., bëheshin nga forumet e ndryshme kolegjiale dhe për këto procedura kërkoheshin argumentime të posaçme e të hollësishme.
Në praktikën e përditshme të punëve, piruetat politike i bënte Senati. Ai manovronte me kohën dhe mënyrën e zbatimit të vendimeve, me ndarjen e tyre në faza etj. Kësaj praktike i nënshtrohej edhe marrëveshja me Skënderbeun e 20 gushtit 1463. Ajo ndodhej në fazën kur, gjithçka që ishte premtuar do të vihej në zbatim atëherë kur Senati ta shihte politikisht të arsyeshme “për të mirën dhe dobinë e shtetit” venedikas. Mund të mendohet se Cimarosto kishte ardhur pikërisht për të parë si dhe sa ishin pjekur situatat në këtë drejtim, sepse deri në ato momente ambasadorët e huaj në Venedik lexonin një atmosferë të fortë dyshimi në marrëdhëniet e Skënderbeut me Sinjorinë.

 


Ndërkohë, Kastrioti po vepronte edhe në drejtime të tjera, por shpejt u gjend brenda të njëjtit rreth vicioz te spekullimeve prej diplomacise se Venedikut. Në qershor 1464 nisi Pal Engjëllin pranë dukatit të Milanit, i cili u kthye me 5 pancirë, një armaturë etj. si dhuratë për Skënderbeun. Pancirët që, sic shkruhet ne dokument, ishin “nga më të bukurit që mund të gjendeshin”, përbënin një mesazh të qartë se bëhej fjalë për pjesëmarrje në luftë të përbashkët, por Sforza i Milanit po nguronte për 3000 ushtarët e premtuar prej tij, sepse nga ambasadori që kishte në Venedik (De Collis) merrte lajme të dyshimta në lidhje me vazhdimësinë e paqes së Skënderbeut me otomanët. Diplomacia e fuqishme venedikase ia arrinte gjithmonë që të përhapte mesazhet siç i dëshironte. Si me porosi, për t’i dhënë fund këtyre dyshimeve, në korrik Porta e Lartë përqendroi një ushtri në kufirin shqiptar, në zonën e Ohrit, pikërisht për të verifikuar të njëjtën gjë, por nga këndvështrimi i saj, domethënë të vlerësonte se sa seriozisht e kishte Skënderbeu paqen me Portën e Lartë. Tashmë erdhi momenti që Kastrioti të jepte provat e tij si antiosman. Mblodhi ushtrinë dhe iu drejtua osmanëve në kufirin lindor. Për verifikim ftoi me vete dhe Cimaroston, por ky nuk u afrua në zonën e nxehtë. Nuk kishte besim te Skënderbeu. Nga frika e ndonjë rrengu, u largua dhe u mbyll në kalanë e Durrësit venedikas. Me bisedime dhe me kërcënime për luftë otomanët filluan tani përpjekjen e fundit për të mos lejuar që Skënderbeu të hidhej me kryqëzatën. Nga shumë larg këtij ballafaqimi mjaft të vështirë diplomatiko-ushtarak, Cimarosto përgatiste raporte emocionale. Ambasadori De Collis nga Venediku i shkruante kështu shefit të tij, dukës së Milanit, më 26 korrik 1464: “Është më se e vërtetë se Cimarosto është kthyer mbrapsht dhe është vendosur në vende më të forta që zotëron atje Sinjoria. Nuk dihet nëse e ka bërë nga frika e Turkut që e ka kapur keqas apo sepse nuk i beson Skënderbeut, apo për të dyja arsyet së bashku…”. Këto konsiderata e kishin origjinën nga vetë Cimarosto, i cili edhe në Durrës krijoi një atmosferë thashethemnaje mosbesuese mbi Skënderbeun. “Në këtë qytet flitet hapur dhe madje kështu thonë edhe disa këmbësorë që vijnë nga Shqipëria, se Skënderbeu është marrë vesh me Turkun, dhe zotëri Cimarosto është kthyer mbrapsht nga frika…etj” . Të njëjtën gjë do të raportonte Gherardo de Collis edhe pesë ditë më vonë, më 31 korrik. Madje ai vazhdonte duke ripërsëritur atë çka i paskësh thënë privatisht miku i tij, zyrtari i lartë venedikas, Antonio Veniero, se Skënderbeu “…ka mendimin të mbajë një këmbë në dy këpucë. Po pa se të krishterët janë të fuqishëm, do të anojë nga ne, përndryshe do të bëjë marrëveshje me Turkun…” Me shumë vonesë fillojnë të vijnë interpretimet e kundërta, sipas të cilave, me rezistencë luftarake dhe bisedime të zgjatura para ofertave të osmanëve për të vazhduar paqen, Skënderbeu po fitonte kohë që të ndalonte sulmin e tyre para se Papa të zbarkonte në Ballkan. Këtë e pohon përsëri De Collis, i cili, në një informacion të ri që merr në rrugë diplomatike, thekson se venedikasit “nuk ishin të sigurtë nëse zoti Skënderbej është tërësisht me Turkun dhe se besojnë se ai po shtyn kohën sa t’i grumbullohen më shumë njerëz të krishterë…” Vetëm në 10 gusht, kur Papa kishte mbërritur në Ankonë, merret vesh në Venedik se “ai (Skenderbeu) është ndeshur me turqit dhe ka zënë robër 700 prej tyre”. Kjo ishte e vërteta, por fatkeqësisht ajo nuk ishte komunikuar sa dhe si duhet në të gjitha drejtimet. Në Romë, për shembull, e dinin mirë se Skënderbeu nuk do ta vazhdonte paqen. Edhe në Milano kështu duhej të mendonin përderisa, më 1 gusht 1464, humanisti Francesko Filelfo shkruante se trupave europiane, që do të zbarkonin, do t’u shkonte në ndihmë Skënderbeu, “i cili ka një shpirt të madh dhe i urren turqit që kur ishte fëmijë”. E vërteta është se mes konsideratave kontradiktore të korrik-gushtit 1464, Kastrioti u ndodh në pasivitet informativ duke mos pasur ndoshta mundësinë t’i kalonte me shpejtësinë e duhur mesazhet dhe kundërmesazhet përkatëse nëpër oborret evropiane, përfshi edhe Venedikun. Në rastin më të mirë, ai mund të ketë bazuar gjithçka te diplomacia e Papës, i bindur se ky i fundit do t’i bënte në kohën e duhur sqarimet e nevojshme në lidhje me pozicionin politik të kapitenit të tij. Gjithsesi, duket se në këto ngjarje kaq të vrullshme kemi të bëjmë me një moment ngërçi si të diplomacisë skënderbegase ashtu edhe të asaj papnore. Ishte një ngërç me kosto të lartë, prandaj, i ndodhur nën presionin e dyshimeve të Venedikut, Skënderbeu vendos të shkojë vetë në Raguzë për të marrë vesh më mirë situatat dhe për të informuar mbi pozicionin e tij përfundimtar. Në takime me ambasadorët e shumtë të akredituar atje, do t’i sqaronte të gjithë se me turqit ai ishte në gjendje lufte. Kronika raguzane e J. Gondolas shkruan: “Skënderbeu, duke parë se furia e Turqve ishte drejtuar kah ne, u ofrua të vinte vetë në Raguzë; u pranua…” Furia e turqve, para se të drejtohej kah Raguza, më parë ishte përplasur me Skënderbeun. Trillimet e Cimarostos kishin qenë produkte shumë dëmprurëse të frikës së tij të madhe. Më mirë se kushdo tjetër këtë e përcakton ambasadori milanez në Venedik Gherardo de Collis, kur i raporton shefit të tij si më poshtë: “…kështu janë punët në Shqipëri. Zotni Cimarosto asnjëherë nuk arriti të ishte në lartësi të situatave dhe tani thuhet se paskish qenë i sëmurë…” Më 9 gusht 1464 Senati i Raguzës i dha udhëzime Rektorit dhe Këshillit të tij të Vogël që ta miratonte kërkesën e Skënderbeut për një vizitë. Raguza përgatitej të priste Papën. Kulisat diplomatike atje ishin në kulmin e aktivitetit. Derisa të vinte Papa, Skënderbeu kishte gjithë kohën e nevojshme për të bërë sqarimet e duhura me interlokutorët e interesuar dhe për të qenë i pranishëm në pritjen e Piut II, të cilin, sipas planit, do ta shoqëronte për në Shqipëri.
Më në fund po vinte çasti vendimtar. Pas sakrificash të panumërta, heroi shqiptar i luftës kundër otomanëve do të mund të mblidhte frytet e projektit të tij. Në moshën 59 vjeçare, 21 vjet mbas ardhjes në Shqipëri me një plan të madh në mendje, ai po ndjente se ky plan tashmë ishte bërë realitet. Në kryqëzatë kishte zënë postin më të rëndësishëm, madje nga një pikëpamje, ia kishte kaluar edhe Huniadit, i cili Papën e kishte pasur gjithmonë në distancë. Skënderbeu do ta kishte Papën pranë, do të ndodheshin, si të thuash, në të njëjtën llogore. Piu II do të ishte për të një Kapistrano (murgu katolik që shoqëronte Huniadin), por i nivelit më të lartë hierarkik.
Në beteja e sipër, Piu II do të kuptonte shumë më mirë se çfarë përfaqësonte Skënderbeu si ideator, politikan, strateg ushtarak dhe udhëheqës shteti. A mund të kishte parapërgatitje më të mirë dhe më të plotë për procedurat e kurorëzimit të tij prej Papës si mbret i Epirit dhe Maqedonisë? Kriza e përfaqësimit do të merrte fund përfundimisht. Skënderbeu do të kishte një mbretëri të udhëhequr me lavdi prej dinastisë kastriotase. Këtë mbretëri të madhe në Ballkan do ta lulëzonte e përparonte njësoj si vendet e aleatëve të tij kryesorë…Por…….

Fragment nga libri GJ.K.S – KRYQTARI I FUNDIT autor V.Kule