Poemë
Në ishullin shkretan, mbuluar me rërë,
Vetëm hëna ka mbetur e paprekur,
E hirtë
varur në shtyllën e pikëllimit.
Të parët e vendit vrapuan si pronarët e ishullit
Që kishin vulat dhe tapitë e zyrave,
Nën sqetull mbajtën projektet për nesër e pasnesër
Nipat dhe mbesat.
Vitrina e trëndafiltë
U zhduk befasisht përnjëherësh ,
Atë ditë kur qielli u mbush me hithra
e deti i egërsuar ishullin utopik,
E përpiu nga brenda.
Ata kudo që shkojnë
Këtu kanë lënë gjurmët
të freskëta,
Gjurmë xhuxhmaxhuxhësh të kuq
Të gjitha njëlloj –
Që për të parin e tyre u vranë shoq me shoq.
***
Asnjë gjurmë zogu,
Asnjë syth,
Asnjë flutur,
Vetëm hapi i erës që fëshfërin nëpër erë .
***
Në mes të ishullit
dremit skeleti i gijotinës heroike.
Në buzë ka gjak të ngrirë
qepalla të thikta, të rënda
me ndryshk.
***
Dhe ylberet shkuan në këtë gijotinë,
Të gjitha harqet e njoma
Metaforat ,
Ngjyrat dhe nuancat,
Prerë mes për mes.
Me gjakun e ylberit
Mbushën barkun banderola
të kuqërremta resh.
***
Poetët. Të mbetur pa ylber ikën të fundit ,
Me një brengë në gjoks,
Të ngritur si gungë.
Ata janë kthyer të gjithë,
Ata kanë lënë tapitë
dhe dosjet pa u djegur.
Gjurmët e lëna kanë mbirë,
Lulëzojnë hijeve vertikalisht,
ëndrrash të tjera buzëqeshur,
kafshuar premtimesh me dhëmbë të vënë.
Gjurmët kanë mbirë
Lulëzojnë hijeve, presidiumeve bankave, kullave .
Banderola të fryra ëndrrash
të tjera buzëkuqe,
premtime të kafshuara me dhëmbë të vënë.
***
E zbetë mbi shtroje rëre,
tejpërtej hapet hëna
si qefin.