Me ngjyrën e manushaqes,
vesha rrezet e diellit;
të jepnin dashuri mes paqes,
mbi re, në kupën e qiellit…
Me ngjyrën e manushaqes,
të purpurt ylberin e vesha;
një të puthur i dhuronte faqes
së malit, dhe shuhej nën kreshta…
Me petalet e mavijosura,
të qeshur e solla Pranverën…
Këto manushaqe të përsosura,
lulëzojnë në arrati me erën…
“Do Të Vijë Pranvera”
Do të vijë pranvera,
me sythet që gjethe blerojnë;
dhe kur degët t’i fryjë era,
ngjyrat e ylberta ajrin rrethojnë…
Do të vijë pranvera,
me diellin teksa akujt shkrin;
dhe malet i bën të lotojnë,
në det kohe, që pikat përpin…
Pranvera do të vijë,
ashtu si çdo stinë troket;
në zemër kujtimet do fshijë,
me shpirtin e çelur që pret…
Ashtu si vetë pranvera,
çdo shpresë vjen me lulëzim;
dhe më nuk do të rrahë era,
degët e zhveshura në harrim…




















