Suplementi Pena Shqiptare/ Nebi Dragoti: “Kush i hëngri dardhat?”

143
Të shkretën ç’ngeli problem për të gjetur: “Kush i hëngri dardhat?” Madje,madje,hasëll,hasëll kjo po merr edhe përmasat e akuzës:”Ore, po kush i hëngri dardhat,de? Ka dardha elbore, bardhje, dimërore, bishtje, gushtore…Ehu, sa lloje dardhash ka sa nuk i numëron dot…Po, ç’është e vërteta, ta themi që në fillim, duan punë e kujdes që t’ua marrësh prodhimin…

Dardhat,dardhat
faqe kuqet,
faqe bardhat,
çmendet politika:
“Kush i hëngri,
u rëntë pika!

Dhanë thasë me miell, sheqer, makarona, vaj dhe pare…pare të thata për të blerë dardhat, gushë e faqe ëmblat me plot lëng të shijshëm, me aromat e përkryera që, besa, era e këndshme nuk u ikën as për katër vjet. Këtë bën edhe ata që qahen, por për vete nuk tregohen…dhe sepse nuk hëngrën gjë, le ta gjejnë. “Kush i hëngri dardhat? Si i hëngrën dardhat? Si nuk lanë asnjë “koqe” për opozitën xhanëm? A i patë si i hëngrën? Ku dhe kur i hëngrën: natën apo ditën? Edhe natën, edhe ditën, -ka plot zëra e asnjë nuk flet bindshëm. Çirren: “Pse na i hëngrët dardhat? Pse na latë me gisht në gojë?

Lëng po na çon goja e shkretë,
goja që prapanicës i bën hyzmet…

Dardhat, dardhat, dardhat na dalin në gjumë, na mbytën ëndrrat duke zgjatur duart për të këputur kokrrat. Duart mbetën bosh Flasin nëpër gjumë politikanët e politikanet: “Kush i hëngri dardhat?” Të shqetësuar për dardhat bredh opozita nëpër Evropë, qahet tek kancelaritë e huaja: “Na i hëngrën dardhat, na lanë pa një koqe. Lëng na ikën goja.” Qahen tek ndërkombëtarët, se mos ata ia japin dardhat (?!). Hajde, hajde mendje!…Kot, kot, fare kot derdhin lotët dhe, si i thonë fjalës, dobësohen, lodhen duke u çjerrë.

Eh,kjo mazhoranca
ç’paska qenë për dardha!
Mbushka hejbe,
mbushka trasta… 

Edhe ti, lexuesi im, do të sugjestionohesh edhe do të pyesësh: “Vërtet kush i hëngri dardhat?’’ Dëshiron të dialogosh me mua se, pastaj,…mos i di unë se kush i hëngri dardhat (!). Me të dëgjuar e kam dhe unë të shkretën nga të qarat e opozitës.

E, unë, në këtë mënyrë përgjigjem plot romuze, plot ironi, plot sarkazëm: “Po pse, kur kanë mbaruar dardhat së ngrëni, atëherë pyetet se kush i hëngri dardhat?! Akoma s’po kuptohet, se, kur je në qeverisje dhe lë shije të hidhura dhe populli, që ka dardhat, kur vjen koha e dardhave, s’të jep asnjë “koqe”. Na…kaq ta bësh dhëmbin! Dhe të tregon bërrylin.

Dhe qaj me lot, me vaj:
kush i hëngri dardhat?
Akuza ngre,aman,aman
për dardhat faqe bardhat.
Këto zëra si nëpër ëndërr u oshtijnë në veshë dhe vijnë ngado:

“Nuk e ke bërë punën, me korrupsione je marrë, drejtësinë etj, për tokë i ke pasë; shije të keqe ke lënë. Vetes për të tillë vulën i ke vënë. Nuk e ke besuar, se dardha e ka bishtin mbrapa. Vonë je kujtuar dhe po vonë qahesh… kur dardhave u ka mbetur vetëm bishti… Qartësohu dhe mos lëviz kot në drejtim të paditur. Pse-në e asaj që more, e meritove, se e ke kërkuar vetë. Këtë tek vetja analizoje! Me politikë shejtane nuk punohet në qeverisje”. Apo jo ,moj “dardha”, vota desha të them?…Dhe bishtat, ju dardha e dini, se ku do t’i drejtoni !…