Suplementi Pena Shqiptare/ Mark Simoni: Oh sa të bukura!

607
Sigal

Ese

Sa herë që më mbërrijnë në fb apo në email mesazhe që kanë krijim me ndjenjë dhe të shkruar bukur, unë i ndjej sikur më kanë ardhur letra. Kujtesa dhe ndërgjegjja e kahershme historike, si dhe vezullimi i turbullt i dëshirave romantike, më dërgojnë në kohëra e realitete të tjera. Bash atëherë kur njerëzit i dërgonin letra njëri-tjetrit, para se të ishin shpikur telefoni, telegrafi dhe morsi, Imagjinoj edhe hapësirën mes atyre që i shkruanin letrat dhe njerëzve që u mbërrinin në dorë, hapësirë plot ngjarje e travaje nga më interesantet. Oqeane të mëdhenj, mbi të cilët llokoçiteshin shishe me letra brenda, të lëshuara në ujë nga lundërtarë të dëshpëruar që, as s’dinin se nga qenë nisur dhe as se ku do mbërrinin ato letra, dhe a do të kishte kjo botë ndonjë breg për ta. Qiejve u binin kryq e tërthorë pëllumba postar, herë të sfilitur nga qiejt e mëdhenj, dhe herë të tjera të mallkuar nga ata që prisnin e prisnin mbërritjen e tyre. Kalorës të çmendur, hipur mbi kuaj të fandaksur, bridhnin kontinentesh me mandata e fermane, ultimatume dhe postën e letrave të të dashuruarve. Karroca kryqëzatash mbanin mbi to, për të dërguar në vende sa më të fshehta arkivet e dijeve ezoterike. Nën qiellin e shekujve të mugët udhëtonin letrat, korespondencat, novelat e letrave, ditarët. Oh, sa te bukura letrat! Maria Popova thotë: “Çfarë kanë letrat që na flasin në mënyrë kaq të fuqishme dhe na intrigojnë në mënyrë kaq joshëse”

Letrat krijuan një klimë letrare fantastike. Madje dhe romanet filluan të ndërtoheshin në formë letrash, shkruar nga dy a më shumë njerëz, dhe u quajtën romane epistolare. Një prej tyre është romani “Pamela” e Richardson, ndërsa një tjetër roman është ai i vitit 1740 i Samuel me titull “Virtyti i shpërblyer”. Sipas kritikës këto janë dhe pararendës të romanit psikologjik modern.

Kujtojmë dhe rastet e John dhe Abigal Adomis që nënshkruan emrat, (si Lisandri dhe Kostancia), në letrat e tyre të hershme, apo Jafferson që krijoi një dialog mjeshtëror midis kokës dhe zemrës, për të diskutuar natyrën e miqësisë në një letër të 1786 që i drejtohej Maria Kosuei. Emili Dikinson shkruante: “Një letër gjithmonë më është dukur si pavdekësi, sepse në të është vetëm mendja, e pa shoqëruar prej trupit të atij që e shkruan.” Një nga volumet më të mëdha të letërsisë epistolare, mbushur me dashuri të vrullshme, pasionante, të zjarrta, “me fjalë brilante dhe të kadifejta, me aroma jasemini”, janë letrat e dashurisë. Nga Egjipti i lashtë na vjen “Vejusha mbretërore” e shkruar nga Ankhesenamur, mbretëresha e 18 dinastive Egjiptiane. Në libër ka me qindra letra, që kjo i dërgonte mbretit të Hittitës, armikut të saj dhe i lutej që kjo vetë të martohej me të birin e tij. “Do të magjepset, kur duke dalë nga vaskat e nxehta do shohë trupin tim të mbështjellë nga avulli dhe manteli i tejdukshëm”. Në Kinën perandorake, është një letër që një vajzë i shkruan të dashurit të saj të fëmijërisë, dhe djali klith nga gëzimi që e dashura e tij shkruan aq bukur, po aq me frymëzim sa poeti më i madh i asaj kohe Li Taj Po. Në Romën e lashtë, letrat e dashurisë gjinden në thelbin e erotikës së Ovidit. Në mesjetë na kujtohet “Leidi P.” apo në shekullin XVIII “Spektatori “ i Richard Stelee Lacan e lidhte përherë letrën me dashurinë. Egziston një studim që flet mbi letrat e të mëdhenjve dhe korrespondencën e tyre, që nga Heminguej e deri tek Georgia O’Keeffe. Po përmend disa nga më interesantët që kanë mrekulluar botën e leximit. “I dashur gjeni” i Ursula Nordstrom që ka në të lidhjet e saj nëpërmjet letrave me 27 vjeçarin Mauris Stendak. Një tjetër libër është “Ti i largëti im”, plot me letra të zgjedhura nga letërkëmbimi i Georgia O’Keeffe, (artiste e famshme) dhe Alfred Stieglitz, (fotograf), letra që, sipas kritikës, “të lënë pa gojë”. Në këtë libër janë përzgjedhur vetëm 650 letra të shkruara prej tyre, prej një prej çifteve më të jashtëzakonshëm në historinë botërore. Në romancën e tyre 30 vjeçare këto i shkruan njëri tjetrit më shumë se 5000 letra, (në libër siç thamë u përfshinë vetëm 650 të tilla), dhe këto 5000 letra qenë rreth 25000 faqe, të pasura me detaje të jetës, deri tek engjëjt e demonët. Një nga korpuset më të pasur me letra është ai i Heminguejt, plot 16 volume, ndërsa Steinbek, tek libri i tij “Një jetë në letra” ka përmbledhur 850 letra nga korrespondenca e tij. Unë nuk e di se deri ku do të shkojë fantazia e shpikësve të teknikës së komunikimit, por për një gjë jam krejt i sigurt, që letrat do të mbesin përherë përmallimi i komunikimit të njerëzve. Letra do të jetë përherë fizike, e bërë nga druri dhe celuloza, do të jetë e ngrohtë dhe e vënë nëpër rafte apo nën jastëkun e natës si një magji mrekullore. Dhe mbi të gjitha letrat janë përherë të rrethuara nga mistika e mbërritjes, nga malli i pritjes, nga rreziqet e rrugës, nga frikërat se mund të bien në duart e ndokujt që merr vesh sekretet dashurore, nga përmallimi, nga historitë që u ndodhin postierëve e kalorësve që i mbajnë, nga ankthi i pritjes.