Suplementi Pena Shqiptare/ Kostandin Dhamo: “Liqeni, libri i hapur i Lasgushit”

726
O, në Pogradec, më zunë edhe ciknat e para, edhe dëbora e parë, që ra më herët se zakonisht.

Që lart, nga dhoma e hotelit, ku kisha zënë vend, peizazhi i bardhë i kristalizuar, s’di pse më nxiste të shkruaja e të shkruaja…

Në një tregim, që kisha bërë për Lasgushin, thosha në mbyllje se, ai largohej nga Pogradeci për t’u vendosur në Tiranë, tek ajo shtëpia e tij midis pemëve, pak metra më tutje shtëpisë sime, pikërisht para se bryma të argjendonte fushat, çatitë dhe drurët e mardhur. Kështu mund të ketë vepruar disa vite, por kushedi përse? Ndoshta i shmangej të ftohtit të madh, por si zor të ishte kështu, sepse ai në atë qytet ishte lindur dhe ishte rritur. Atëherë? Atëherë kthehej në kryeqytet, sepse, pale sesa punë e telashe e prisnin atje? Eh, por edhe kthimi në Tiranë për të ftilluar e për të sistemuar punët e mbetura dhe, për të mbyllur angazhimet e marra, përsëri sikur s’para qëndron. E kush e afronte Lasgushin e mënjanuar, të shpërfillur dhe të injoruar, që s’merrte një herë të vetme një ftesë, qoftë për diskutimin e një libri, pale pastaj për mbledhjet pompoze propagandistike, me rastin e përvjetorëve jubilarë të Partisë ! Epo, kushedi, kushedi …

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, kur shkonte në Pogradec dhe, e njoftonin me ndrojtje se, ndërkohë Lasgushi ndodhej aty, nuk denjonte ta takonte: “E mo…”, thoshte i bezdisur dhe, lëvizte tërë ditën lart e poshtë i shoqëruar ngjitshëm nga kuadrot e partisë së rrethit dhe nga ca biçimër poetucësh servilë dhe teveqelë, po të rrethit. Me një fjalë, institucionalisht, Lasgushi ishte i dëbuar nga kryeqyteti, por lavdi Zotit, për Pogradecin, që e dashuronte çmendurisht, mbeti përgjithmonë Lasgush, siç mbeti edhe ai për të përgjithmonë Pogradec ! 

Sidoqoftë, edhe atë dimër që më zuri në Pogradec, Lasgushi ishte larguar; ma thanë miqtë e mi, që i takova me të mbërritur, siç më kishin thënë herë të tjera, me të mbërritur se, Lasgushi ndodhej aty. Ata e dinin mirëfilli që, unë nuk kisha fare të njohur me Poetin dhe nuk kisha shkëmbyer madje me të, qoftë edhe një përshëndetje të vetme, megjithatë, lajmin e parë në Pogradec, ma jepnin për Lasgushin; epo kështu pra…

Eh, por si është një qytet kur nuk ndodhet Poeti? E çuditshme; e gjithë popullsia e tij është aty, e paprekur dhe e pa pakësuar, dhe prapëseprapë se ç’ka një zbrazëtirë, një si varfëri që ndihet ngado e nuk shmanget.

Por, ç’po them? Shpesh një qytet, sidomos i përmasave të kursyera si Pogradeci, duket si i boshatisur dhe aspak tërheqës, edhe kur prej tij largohet një femër e bukur, fatalisht e bukur, me një bisht komete prej pluhurizash yjesh vetëtitës nga pas, të qëndisur pandalshmërisht nga historitë, legjendat dhe thashethemet, të cilat, duke mos qenë të vërteta, janë aq intriguese dhe të besueshme…

Largimi i një Poeti të shquar lirik nga vendi i tij, qoftë edhe përkohësisht dhe me kërkesat e atij vetë, sikur ia shkul zemrën tërë qytetit! Mendo pastaj, sesi është përjetuar nga qytetarët e tyre syrgjynosja kërcënuese e fenomenit Ovid, e fenomenit Dante, , e fenomenit Khajam!

Sot biografitë e tyre dramatike të tronditin dhe të revoltojnë ende, por kohët moderne, nuk sollën aspak paqe dhe fat më të mirë për poetët; historia të çmëson, i mbyllin librat e tyre disa filozofë, kurse unë po them, se kujtimi i Poetëve, adhurimi për ta, nevoja për ta, nuk shuhen kurrë dhe nuk janë asnjëherë efImere…

Dola nga hoteli dhe mora rrugën e ngushtë midis shtëpive që heshtnin e që dukeshin më të vogla e si të zhytura, ashtu mes dëborës e më pas u ktheva të shoh liqenin: Librin e Hapur të Poezisë së Lasgushit!

Ujërat e tij të bekuara i rrëqethte një erë e hollë, por dëbora shkëputej nga brigjet shtëllunga-shtëllunga, sikur donte të krijonte një mjellmë vezulluese përralle, për të humbur pastaj në fluturim…
Dremit liqeri
Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ai ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Posi me flakë-u ndez e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll` i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.
Tashti po shuhet nënë mal
Qytet`i ngrysur në të zi,
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! Plot fshehtësi!
Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
Ma frymëzon një mall i ri.

MALLI
Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lërë-a von a shpejt,
Do më lërë-a shpejt a von.
Sapo shpirti m’u dëlir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lërë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrenjt.
E do mbetem përnjemend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do më lerë-a shpejt a von.
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon.
Do më lerë…A! po si –
Qoftë-aherë-ose tani –
Do te qaj aq dashuri
Që të humb me mall të ti?
Sigal