Suplementi Pena Shqiptare/ Flora dhe fauna detare në pullën shqiptare

Është ky titulli i botimit të ri që i vjen pasurisë së literaturës dhe studimeve filatelike Shqiptare.

Autori i saj është koleksionisti i pasionuar i pullave postare të klasës tematike të florës dhe faunës, Z. Hysen Dizdari. 

Me një parathënie të kryeredaktorit të revistës “Koleksionisti”, Z. Thimi Nika, i cili nxjerr në dukje vlerat e larta të këtij botimi, autori ka zgjedhur të rendisë në mënyrë kronologjike të dymbëdhjetë emetimet e Postës Shqiptare dhe brenda një strukture që përfshin gjeografinë e ndodhjes, biologjinë e formimit dhe rëndësinë ekonomike e turistike, bën përshkrimet plot tërheqje e interes shumëplanësh. Në rreth 140 faqe me ngjyra në gjuhët shqip e anglisht, me fotot e çdo vlere nominale të peshqve, yjeve të detit, kafshë të tjera të detit, mozaikët palokristianë me figura detare të Linit e Apolonisë, koralet, Fokat e Mesdheut, breshkat, delfinët, peshkaqenët, balenat, oktapodi, flora nën ujore, meduza dhe Zambaku detar i Mesdheut, gjithsej 51 pamje e vlera nominale pullash, informacioni që merr përbën dije e vlerë të shumtë kulturore. 

Në mbyllje autori ka zgjedhur të vendosë literaturën shkencore të botuar në libra, monografi, botime në shtyp e referime të tjera të karakterit historik e enciklopedik, që i kushtohen pullës postare të Shqipërisë.

Përgëzimet më të mira z. Hysen për përkushtimin, punën studimore dhe vlerën që i shton përmes këtij libri,botimeve cilësore për filatelinë e vendit tonë!

Bajram Peçi
Ish-kryetar i shoqatës të koleksionistëve shqiptarë