Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Metamorfoza

162

Kam lexuar Metamorfozën e Kafkës dhe disa analiza për të, por të them të drejtën pa e lexuar, vite më parë ky titull nuk e di pse, po me sillte në mendje vdekjen. Kur e lexova u qetësova disi

-Nuk qenka vdekja! thashë. Por sa herë ndeshesha me atë fjalë gjithmonë mendoja me vete, nuk dua të shikoj metamorfozën e trupit njerëzor. Procesin e saj të shndërrimit të një qenje nga e gjallë në diçka tjetër të kundërt me jetën. Bazuar në ca ligje që mendja ime nuk i kupton përse duhet të jetë kështu; shkaku, qëllimi, që ky proces ekziston dhe nuk mund të ndalet. Vetëm i bindemi paaftësisë tonë të përcaktuar të jete e tillë. Jo çdo njeri e njeh, jo çdo njeri e di çfarë ndodh.
Vetëm disave u jepet mundësia ta shikojnë hap pas hapi atë proces të pa kthyeshëm, në pamundësi zgjedhje. Atë proces të cilin nuk mund t’ia japësh dot askujt, nuk mund ta bëj asnjë për ty, se është vetëm yti. Shikon si vdekja vjen ngadalë duke filluar nga gjymtyrët, agonia mbytëse, frymëmarrja që nuk do të jipet me shpresë të ndryshojë diçka, të ketë mundësi të thotë ca fjalë që është mirë të thuhen, të bëj diçka që s’ka mundur, ndoshta dhe thjesht një përqafim të fundit. Lufton qoftë për një të vetmen mundësi sa do e vogël. Por metamorfoza nuk ndalet është e pamëshirshme, është ai ligji që ekziston ashtu, qëllimi i saj është transformimi total, të kthej një trup të gjallë në një “veshje matamorfozë” që i ngjan atij. Ai aty nuk është njeriu yt, është shndërruar para teje në ngjyrë, aromë, është i akullt … mbaroi lufta për një frymëmarrje më shumë.
Ti kupton që nuk je ngopur asnjëherë duke e thirrur, duke e puthur, duke e përqafuar, të kujtohen momentet e shkëmbimit të fjalëve, momentet kur i ke thënë jam e lodhur flasim më vonë, nuk mund ti thuash më asgjë, se njeriu yt nuk është më ai, metamorfoza e ka gëlltitur. Ti ngelesh në një zbrazësi të madhe në atë dhomë kur pak çaste më parë nuk ishe vetëm, frymëmarrja kishte pushtuar dhomën ishte e thellë çjerrëse si klithmë. Tani është qetësi ndaj ti lëviz nëpër dhomë kërkon diçka, duhet të bësh diçka, do të ndeshesh me metamorfozën por ajo nuk është në drejtimin tënd, ka kthyer shpinën dhe vetëm thotë- me mua nuk mund të ndeshesh, do vi dhe për ty, atëherë do kuptosh forcën time,ti do më bindesh, çdo përpjekje është e kotë, unë nuk e njoh një herë të dytë, unë vi vetëm një herë. Largohet duke lenë veshjen e radhës për të ribërë një veshje tjetër për ta lënë përsëri. Ti je vetëm me veshjen mataforfozë.
Në këtë gjendje shpreson për një shkëmbim, i lutesh Kafkës të këmbejë me ty matamorfozën, t’i japësh tënden dhe ai të tijën, të dy do ndihemi mirë, personazhin e tij do e nderonin, do qanin për të, ndërsa unë do e doja metamorfozën time, do e doja qenien e shndërruar. Shumë gjëra do i kisha bërë ndryshe. Do thosha sa shumë të doja, sa e rëndësishme ishe prania jote për mua, sa siguri më jepte. Do i bija ziles, se derën do ma hapje ti…
As Kafka nuk bindet për shkëmbimin, nuk është misioni i tij, është i dyzuar në atë kërkesë kaq të vonë në kohë. Ndoshta çuditet, kanë ndryshuar shumë gjëra që nga ajo kohë kur e ka shkruar atë novelë, ndoshta jam e vetmja që do e doja njeriun tim mbas metamorfozës tënde. Mbase ke pritur të ndodhte diçka e tillë për të qetësuar personazhin tënd. Por nuk ndodh asgjë, e kam parandier shumë herët që metamorfoza ishte e frikshme, dhe unë duhet ta shihja…frika ime kishte të drejtë. Metamorfoza e jetës në rrugën pa kthim, vdekja është vetëm një, nuk mund ta kthesh mbrapsht thjesht se nuk të pëlqen, mos u lodh të filozofosh ajo ndodh, ndaj kujdes me jetën që të jep mundësi zgjedhje, ta jetosh, ta dhurosh apo ta flakësh.