Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Sorrë e vjetër

320
Sigal

ulur në një degë të tharë moti
duke përtypur vjetët e veta
krroket
krroket
i ka krrokamat ushqim
si të ishin krimba

është zezi prej zemre
jo prej hallit
thjesht është një zezi
gjysëmgjel i ulur në savane të dimrit

diku brënda ka shpirtin
që bën djallin xheloz
dhe ështe xheloz për ata që kanë ikur
dhe është xheloz për ata që po vijnë
ia shihni shenjat e pista në vështrim e në sqep

e ka vrarë skuqjen qysh prej vogelisë
dhe është i hidhur sepse është mbret kufomash
dhe është i hidhur sepse e ka mallkim
për të ndezuar hidhërime në çdo pyll
e në çdo emergjence të buzëqeshjes
doemos

ish aq i gjallë deti

ish aq i gjallë deti atë ditë!
nëpër qiellin e vdekur fluturonin dallëndyshe të turpëruara,
rrezet dielli i thyente përtej nëpër gurishte,
pa një rënkim
dashurohesha me ty e dashurohesha rishmë.
sa kish lindur dita.

sërish këtu dita sa ka lindur!
ti më je e largët, një hënë që fiket perëndimit…
bari diç i thotë ajrit, gjelbërohet. era
dhe gjaku diç më thonë mua, prej lashtësie zërat,
rënkime që shuhen në ranishte.

fryma shpërthen, jehon, kërkon të vdekurit e humbur!
e hutuar një varkë peshkatari kërkon shteg nëpër kaltërsi të pane!
e ashpër mëshira, m’i ndeshkon kujtimet me dhimbje, e ashpër!
qahen hijet, shtëpi të zymta të braktisura dhe ato…

deti nuk është aq i gjallë sot!
aroma e lehtë e kurmit tënd është këtu, aq pranë, i kapshëm.
fluturojnë në lakore të mbyllura dallëndyshet, zhgënjyer.
zhgënjyes një kthim imi në të largëtën e pamundur…