Suplementi Pena Shqiptare/ Cikël poetik nga Timo Flloko

466
Sigal

Pija që deh

I thashë zemrës, -Je në risk,

Kur kaq fort ti rreh!”

-Pse të trembem, thotë zemra

-Ndjenjat pse t’i fsheh…?!

 

Sa pandehma, iluzione,

Gracka fati ngreh?!

Zemra ime, dashuria

Është “pije” që të deh…!

 

Me shigjeta helmatuese

Të godet e ti s’sheh

Le të gjuajnë, gufon zemra

S’më vdes ai helm…!

 

Dhimbjen kur unë thellë ndjej

Botës pse t’ia fsheh

Çfarë më shumë se dashuria

Na merr mendtë, na deh!

Miqtë
Kot e ke, më tha ndërgjegjja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, – Pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

-S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri, ti s’fal, thotë Krishti,
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë,
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh, sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak,
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”!

 

Poeti

I shtinë qiellit,

ai ra…

Ra për të mos u kthyer më,

u përgjak,

u përmbys,

ra…

(Askush s’ka dy jetë!)

 

Bizhutierët rendën

të mbledhin thërrime yjesh;

të çmendur, të marrë,

pas hënës u sulën pa frymë;

Diellit shumëkush mori arratinë…

Ti,

poet,

shpirtdhembshur përherë,

me shtatin e tij të vrarë,

të kaltër,

mbi shpinë!

 

Kur braktis atë që do

 

Ti po kthehesh përsëri tek unë,

Me pendesë edhe trishtim pa fund.

Ka shumë kohë qe po të pres…

Sa shumë…

Vjen,

 

Përmes erës nëpër natë, ti vjen.

Nostalgji dhe dëshpërim më sjell…

Sa e huaj je tani, s’e ndjen?…

Ku shkuan ëndrrat, ku?

Kë deshën sytë e tu?

S’e di…!

 

Ne heshtim që të dy.

Na ndan një ftohtësi, tani…

Kur braktis atë që do,

Vjen një çast që e kupton,

Se pa të, ti dot s’jeton…!

Çfarë, më thuaj, vlen në botë,

Kur je vetëm e ke ftohtë,

Dhe një zemër s’e gjen dot…?

Ku shkuan pritjet, ku?

Ku ndali hapi yt?

 

S’e di…!

Një ndjenje në fshehtësi,

Jam skllavi yt, më thotë tani…

Unë,

 

Sa trishtim po ndjej ne shpirt, çudi…!

Kur pendesën shoh në sytë e tu.

S’di…të dua a të humba përgjithnjë?!

Ti u ktheve, lotin shoh të ngrirë.

Jam i dobët dhe të fal?! S’e di…

Mund ta kthejmë në jetë dashurinë?!…

 

 

 

Sytë

Sytë shohin, shihen; fshehin, fshihen;

Sytë ikin largohen, …sytë mërgohen.

 

Sytë ndrijnë, qeshin; ndizen, ndezin,

Sytë dashurojnë, dashurohen …sytë verbohen.

 

Sytë lotojnë, pikëllojnë; fiken shterohen,

Sytë ftohen, s’flasin, ….sytë vrasin.

 

Shtati kallkan ngrin,

sytë mbesin,

hapur, kur vdesim.

 

Rob i manive

 

I përzura komplekset nga vetja:

Inferioritetin

e nisa të parin…

Ik prej meje, dil

kjo botë është e ashpër për ty

maniak depresiv

ne kopshtet çehoviane shko

shkarko fobitë

s’ke strehim në trurin tim

S’të lodhi përulja

ndjesitë diabolike?

Sa herë i marr erë një luleje

druaj se pas shpine

thika më ngulet…!

 

Supersticionet,

gra të pabesa

i degdisa

në manastirin e harresës!

Ritualet i vara në kremastarë,

dalë nga preferenca prej kohësh.

I hoqa qafe lajkat, pa kortezi

Madamë Pandehma – modus

jashtë modës!

Grimcat e të përditshmes thërrasin:

-Një ditë do të të vrasim

 

Lojëra parandjenjash sajojnë numrat fatalë

mezi ç’presin të varem…?

Zbraza raftet e trurit nga kotësitë

përzura dhe ëndrrat!

Kur u shfaq ai, deliri i madhështisë,

kalorësi i gamiles, me krye në hava!

“Jeto madhështinë, më dërdëllit

kthehu në vetëdije,

bota është e ngushtë

s’ka vend as për hijet…!

Gëzo marrinë, gjigant!”

më shkund deliranti.

E ndoqa pas

askund s’gjeta

për të një kafaz!

 

Por, ne mund e stërmundo,

tinëzisht një ditë

e shpura delirin në kopshtin zoologjik,

kureshtarëve t’ua fal

si gjest filantropik!