Sigal

Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan. Mësimet para i mori në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin – Konvikt të Çotilit, asokohe në Vilajetin e Manastirit, (pjesë e Perandorisë Osmane, ndërsa sot fshat në Maqedoninë Greke). Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-’06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me L. Gurakuqin, dhe nisi të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Me shpalljen e kushtetutës të Perandorisë Osmane kthehet në atdhe, 1908. Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit (1909) dhe me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 qe bashkëpunëtor i Lef Nosit në hapjen e revistës “Tomorri”. Shkolla Normale u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kajro ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, inxh. F. Shirokën dhe av. Çajupin. Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A. Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”.

Kontributi i Xhuvanit për arsimin dhe pedagogjinë

Aleksandër Xhuvani u mor me trajtimin e çështjeve më të rëndësishme dhe më thelbësore pedagogjike, të lidhura ngushtë me nevojat për ngritjen e nivelit shkencor të arsimit dhe të shkollës shqipe. Punimet dhe veprat e tij pedagogjike dhe psikologjike u shkruan dhe u botuan në kohën kur në Shqipëri kishte nevojë shumë të madhe për vepra të tilla në gjuhën shqipe. Pedagogjia sipas Aleksandër Xhuvanit, është shkencë dhe art i edukatës me rëndësi shumë të madhe shoqërore dhe kombëtare. Ajo ka lidhje të ngushtë me shkenca tjera, sidomos me psikologjinë, etikën, fiziologjinë, sociologjinë, logjikën etj. “Psikologjia pra bashkë me Logjikën e me Moralin (shkruan Xhuvani) na japin rregullat e edukatës dhe janë bazat themelore të Pedagogjisë, pa të cilat ajo nuk ban punë” Xhuvani u morr gjithashtu, edhe me përpunimin e çështjeve të ndryshme nga disiplina të veçanta shkencore të pedagogjisë, ndër të cilat është edhe pedagogjia e përgjithshme. Ndër çështjet që trajtoi ai në këtë fushë është edhe ideali i edukatës kombëtare. Sipas tij, ideali themelor i “edukatës asht formimi i personalitetit, d.m.th. mësimi ka për qëllim të formojë njerëz me gjykim me vete e të lirë, me nji sy të patrembun për çdo rast të jetës e me nji dashuni të vërtetë për çdo gja të ndershme dhe ma fort për veprimin e njeriut në shoqëri njerëzore.” Ky ideal, vazhdon Xhuvani, mund të arrihet përmes organizimit të drejtë të edukatës (mendore, morale, religjioze, kombëtare, fizike, punuese dhe estetike). Aleksandër Xhuvani kontribuoi edhe në fushën e historisë së pedagogjisë botërore dhe historisë së pedagogjisë shqiptare, e cila rreth gjysmë shekulli ndërlidhej ngushtë me jetën dhe punën e tij arsimore dhe pedagogjike.. Ishte histori e gjallë e shkollës dhe e pedagogjisë shqiptare. Meritë e tij është fakti që vazhdimisht u përpoq për ndërlidhjen e traditës pedagogjike përparimtare me nevojat aktuale të shkollës dhe arsimit shqiptar, siç ishte pedagogjia herbartiane, rrymat e ndryshme të pedagogjisë së shkollës së re etj. Jo rastësisht shkroi në vijime, për lulëzimin e demokracisë dhe të shkollave në Athinën dhe në Romën antike, kur kultura dhe shkolla shqipe rrezikoheshin nga italianizimi dhe fashistizimi i tyre. Xhuvani shkroi edhe monografinë “J.H. Pestalozzi (Jeta, veprat e pedagogjia e tij).” Xhuvani u shqua edhe për punën e madhe dhe me kompetencë profesionale që bëri për zbatimin në praktikën shkollore të arritjeve të pedagogjisë shkollore dhe të metodikës. Normalja e Elbasanit, sidomos ushtrimorja e saj, u shndërrua në laborator për “eksperimentimin” e metodave dhe formave të reja mësimore, të mjeteve të konkretizimit të mësimit. Kjo veprimtari ishte nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të Xhuvanit, i cili shquhej për afinitet dhe përgatitje të lartë profesionale – metodike. Si i tillë, kontribuoi në zhvillimin e metodikave të mësimdhënies së lëndëve të ndryshme, sidomos të metodikës së mësimit të shkrim – leximit fillestar, të gjuhës dhe të letërsisë shqipe etj. Gjithashtu, vlerë të veçantë kanë edhe pikëpamjet e tij për çështje të ndryshme të pedagogjisë parashkolloretë arsimit për të rriturit (andragogjisë), të pedagogjisë familjare. Edhe Xhuvani, sikurse rilindësit tjerë, që kur gjendej në Egjipt, theksoi me forcë, domosdonë për ngritjen arsimore dhe kulturore të femrës shqiptare, të cilën e vlerësoi faktor shumë të rëndësishëm kombëtar dhe edukativ (pedagogjik). “Shkalla arsimore e gruas shqiptare, shkruan ai, asht themeli i edukatës shoqnore, themeli i përparimit tonë si shtet e si komb.”[8]

Veprat më të njohura

Fillime të pedagogjisë. Pjes`e parë. Psikologji e shtime në punë t`edukatës;

Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktikë e Edukatë;

H. Pestalozzi. Jeta, veprat e pedagogjia e tij;

Fillime të pedagogjisë. Pjes`e dytë. Didaktika;

Edukatë (dorëshkrim)[9]

Libri i gjuhës shqipe;

Njohuritë e para të sintaksës shqipe;

Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme” (me Kostaq Cipon);