Suplement Pena Shqiptare/ Faslli Haliti, Zhuliana Jongarxhi dhe Ismail Xhaferri

Ismail H Xhaferi

 Më shkruaj

 Letër e një emigranti

Më shkruaj një letër nga vendlindja,
Më shkruaj një letër të thjeshtë me dorë,
Më shkruaj, nëse zogjtë fluturojnë dy nga dy,
Më shkruaj, nëse era e grisi mantelin vjeshtor.

Më shkruaj një letër nga vendlindja,
Kam nevojë, or mik, këtu në dheun e huaj,
Më shkruaj sa dasma janë bërë në Lunxhëri,
Për vdekjet asgjë mos më shkruaj.

Më shkruaj një letër nga vendlindja,
Më shkruaj, se me harrove fare,
Më shkruaj, nëse hëna e Lunxhit zbret në majë të Gishtave,
Të vijë të trokasë në dritare.

Më shkruaj një letër nga vendlindja,
Më shkruaj, miku im i vjetër,
Nëse lisi i plakur i bëri ballë erës,
Nëse ullinjtë e rinj i kanë rritur degët.

Më shkruaj një letër nga vendlindja,
Më shkruaj, se zemra mallin s’mund ta mbaj’,
Nëse hardhia në mars do qajë sërish për mua,
Fshija lotët me gjethet e saj.

Më shkruaj......

 

 

Zhuliana Jorganxhi

XHEVAHIRI I FJALES

 Mikes sime poete N.Lako

Më kërkove rrugëve të Korçës.
Perëndimi ulej atë çast këmbëve të saj,
thyente kokën nëpër kalldrëme,
gurët bëheshin fjalë xhevahir.
Në kërkim të tyre nuk e di
më gjete a të gjeta.

Erdhi një kohe,

që besuam se erdhi,

diku në një cep dhjetori ‘nentedhjete,

besuam se gjetëm rininë e shpirtit të humbur,

nën dritën e xhevahirit të fjalës së lirë
nuk e di,
më rigjete a të rigjeta.

Eshtë një kohë tani,
që nuk e di në është…
Rrugëve të botës
enigma e fjalës na bën ende shënjë.
Rend unë a rend ti,
të kërkoj a më kërkon,
nën dritën e xhevahirit të gjuhes sonë,
të gjej a më gjen
nuk e di…

Do vdes duke të kërkuar,
do vdes duke të gjetur,
nën driten e një xhevahiri,
xhevahir të fjalës, që nuk vdes!

 

 

FASLLI  HALITI

Por duhej njё dorё qё ta largonte guriçkën

Ta çlironte shkëmbin nga ajo guriçkё terror

 

KU  TË GJEJE  ATË  DORЁ

Ajo

Ishte guriçkë

Duke u rrokullisur furishëm përpara

Fitoi përmasat e një shkëmbi

E frenoi.

E stopoi  

Njё guriçkë meskine.

Shkëmbi u vesh me myshk.

E mbuloi një myshk zhizhink

Duhej një dorë që ta largonte guriçkën

Ta çlironte nga ajo guriçkë terror

Po ku mund ta gjeje,

Ku mund

Të gjendej ajo dorë?

 

ZOTI, JOBI, DJALLI 

 Ti satanai

Ti djalli...

Ti demoni

 

Ai Perëndia,

Ai  Zoti,

 

Unë isha dhe mbetem, Jobi.

 

RRËZIMI

 

A je mirë?

A mbahesh fort ?

 

Ah, më  rrëzove djalosh ...!

 

 

PO SIKUR...

 Mos bёj dredha

Fol,

Bjeri drejt !

 

Po sikur unë të jem dredha vetë ?

 

 

STINËT E MIA

 

PRANVERA

 Pranvera

Vesh pemët,

Zhvesh vajzat të tëra...

 

Sytë e mi ёmbёlsohen me fruta të gjalla.

 

 

VJESHTA

 Vjeshta

Vesh vajzat,

Zhvesh pemët

E dua vjeshtën

Sikur të jem dhe gjethe e vdekur,

 

Ajo u zbulon pemëve  gjinjtë e pjekur.

 

 

SI S’U BËMË

 Grindjet tona,

Zënkat,

Mёritё,

Gozhdë të ngulura

Nё muret mёndafshorë tё zemrës

Zemra i shkul, ato me rrahje tё pambukta,

Brimat i mbyll,

I mbush

Me  dashuri

Eh moj zemër, zemër,

Si  s’u bёmё njё sekondë, një minutë, një orё,

 Si s’u bëmë njё ditё, një javë, një muaj  si ti,  mёndafshorë...!

 

 

PASQYRIMI

 Shoh

Dritat

Qё bien

Mbi Liqenin Artificial të Tiranës.

Liqeni 

S ‘i shuan

Asnjë  natë,

Asnjë natë ato nuk i fik,

Me fllade, freski,  reflekse i spërkat.

 

I pёrkёdhel me valё tё kaltra si tё jenё zambakё..

 

 

 

 KËSHTU TË KUPTOJ

Sipas Linkolnit

Sa s’dua

Tё jem

Skllav,

Aq edhe s’dua  tё jem bos,

Miliarder, sheik, biznesmen, zotёri.

 

Si Likolni të kuptoj dhe unë Ty, Demokraci...

 

 

PARADOKS I RI

 Po na helmoni me mjaltë,

Po na gjakosni me lule,

Po na verboni

Me efloreshenca, 

Po na trullosni me varak,

Po na zini frymën me “demokraci”

 

Po u jepni thonjve gjatësi, liri,dhelpëri, pa kufi.

 

 

 

 

MOS I THUAJ

 Nёnё,

Mos m’i thuaj djalit

Mbret ,

Unё e dua djali

Mё shumё se mbret

Qoftё edhe me tё meta njerёzore,

Unë  e  dua djalin, mbi të gjitha, njeri tё vёrtetё...

 


TATOHEN LULET, PUTHJET

 Tatohen lulet,

Puthjet,

Kolori,

Ngjyrat,

Ritmi, rimat,

Aromat, meloditë, kundërmimi,

Tatohen mërmërimat, fishkëllimat,

Tatohen tё qeshurat, hareja, trishtimi?

 

Dhjetor  2016