Xhevdet Zekaj: Për Vasil Rucin, bomberin klasik dhe të paparashikueshëm të Vlorës. Ja skeda e një kampioni

2284
Sigal

Asnjë portier nuk ka faj për golat e pësuar nga ai

 

Vasil Ruci – Bomberi klasik, elegant dhe i paparashikueshëm

Xhevdet Zekaj

 

Vasil Ruci i madhi mes të mëdhenjve i një brezi të talentuar futbollistësh vlonjat. Flasim për fundvitet 70 dhe ato vitet 80. Qyteti i Vlorës ishte në makth e dhimbje mbas largimit te Mexhid Haxhiut, Koto Ziles, Nako Saraçit etj., edhe pse pa shumë suksese dhe me ndonjë vend të katërt e pestë, ne festonim në Vlorë për fitoret dhe futbollin e bukur. Por, aty nga viti 1976 tek ekipi i të rinjve të Flamurtarit, flisnin për një grup futbollistësh të talentuar, fati im nga miqësia me Arben Cekodhimën, Gjergj Lekën, Gramoz Gjoni, Taqo Bifshën, Petro Rucin, Agim Labajn e disa të tjerë, të isha pjesë e kësaj shoqërie. Në atë kohë, lindi epoka e triumfit të Vasil Rucit e kompani, triumf që në arenën ndërkombëtare do jetë i paarritshëm nga asnjë skuadër në nivel teknik.

Vasili në këtë shoqëri, nuk ishte vetëm futbollisti i madh, por edhe njeriu mendje ndritur, me një ironi të hollë, humor të pafund, dhe që dilte nga çdo lloj situate. Si bregas, si dhërmias lindur e rritur me detin, ai ishte mëshirim edhe i një farë dinakërie dhe të menduari me një refleks të paparë Përpos gjithë aftësive, teknikës, taktikës, ekzekutimit, nuhatjes së golit, Vasil Ruci ishte një futbollist, që pa i ardhur topi, mendonte se ku do ta pasonte apo gjuante, Vasili edhe pse ishte 18 vjeçar, në futboll mendonte sikur të ishte 30 vjeçar dhe kjo i jepte cilësinë e një lideri kampioni të madh.

Të shkruash në kaq pak faqe, për historinë e Vasil Rucit, është e pamundur, aq më shumë e trajtuar si një përfaqësues i fansit vlonjat, nga këndvështrimi i tifozit, qytetarit, mikut.

Ai, modeli që e ëndërronin të gjithë ta kishin mik, idhull, shok, ta preknin, ta dëgjonin dhe të deheshin në muzikalitetin dhe futbollin që luante, në ledhatimin e përkëdheljen e topit, në gjuajtjen predhë, po dehës ishte… “Për talentin e jashtëzakonshëm, si lojtar me cilësi dhe vlera të larta në sportin e futbollit, të shfaqura gjatë ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe si specialist i mirënjohur, me kontribut të shquar në rritjen dhe zhvillimin e brezave të futbollit vlonjat”. Ky ishte motivacioni i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, kur i akordoi më 21 qershor 2017, me dekret, Titullin “Mjeshtër i Madh” Vasil Rucit. Ndoshta ky ishte vlerësimi më i madh për bomberin e shquar të Flamurtarit të viteve ’80, që ka bërë historinë me kuqezinjtë e Vlorës në kampionatin shqiptar dhe në Kupat e Evropës.

Në këto të fundit mbeten të paharrueshme përballjet me Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit. I lindur e rritur mes detit dhe malit, me rrënjët nga Dhërmiu, futbolli e “përpiu” që në “Shtëpinë e Pionierit”. Aty u pikas si talent dhe ra në duart e Ibrahimit e më vonë Skënder Elmazit mesa mbaj mend. Ky i fundit i dha një bluzë, duke i thënë: Futu në fushë, por mos ki frikë. Aty gjeti një ditë të gjithë ata, që do të mbeteshin yjet e futbollit. Ishte dhe u ndesh me kundërshtarë si Perlat Musta, Minga, Kola, Baçi, Naçi, Lekbello, Josa, Mema, Mersini, Omuri, Muca, Mema, Demollari, Targaj, Çobani, Zëri, Përnaska, Ballgjini Sh, H. Gega, Agron Dauti Jera, Dedja, Luçi, Paçrami, Hafizi, Rragami F, Hasan Lika, Millo, Berisha, Hysi, Ahmetaj, Lame, Y. Shehu, Murati, Starova, Kovaçi, Kokalari, Mile, Braho, Kalluci, Gurma, Shoni, Boni, Kërçiçi, Xhambazi, Jani, Koka, Miho, Hima, Leshteni, Çela, Ballgjini H, Lleshi, Jorgaqi, Popja, Gogunja, Bajzaiti, Kuriu, Pagria, Shtini, Tegu, Majaci, Kokuri, Tole e sa e sa të tjerë. Por më kujtohet se ishte një spartakiadë, ku u shpallën më të mirët dhe Vasili ishte aty, tek më të mirët. Me ndihmën e Bejkush Birçes luajti ndeshjen e parë me Flamurtarin, në vitin 1976, përballë Besës së Kavajës. Ndeshi edhe pengesa absurde në fillim, sepse vuajti tragjedinë e popullit të tij, “biografinë e keqe”. Ku si pa dashje apo edhe për arsye brezash trajneri Sulo i tha: “Vasil, ik rregullo biografinë në Dhërmi dhe hajde pastaj.” Por shansi bëri që mjeshtri Bejkush Birçe, ta vlerësonte dhe t’i besonte një vend në skuadër, vend që e nuk e dorëzoi, por pozicionit që e modernizoi, i dha fizionomi, spektakël, virtuozitet, art, forcë, teknikë, nuhatje, ekzekutim dhe që na kujtonte shpesh Gerd Mylerin, pra shkurt Vasili të ishte gjithmonë në vendin e kohën e duhur.

 

Ky është i madhi dhe i urti, Vasil Ruci! Modesti dhe i zgjuari! Ai që bashkë me shokët e tij, luajti futboll me pasion e përkushtim, pa pretenduar kurrë miliona, por thjesht me ëndrrën që ta shihte ekipin vlonjat fitimtar dhe, pse jo, që të mund të dilte një herë edhe “jashtë shtetit”… Futbollisti që në jetën e qytetit bregdetar erdhi qetësisht, por do të ruhet aty përjetësisht si ikonë e ngjyrave kuqezi. I shënjuar nga goli që rrëzoi Zubizaretën, nga gjunjëzimi i Barcelonës së madhe në Vlorë. Pati fatin si pakkush shqiptar të luante në mitikun “Kamp Nou”, përballë yjeve të kohës, si Lineker, Butragenjo, Hjuxh, Zubizareta etj. I paharrueshëm edhe në garat tona kombëtare si driblues i pashoq, virtuoz dhe tmerri i portierëve kundërshtarë. Kur dielli perëndonte në stadiume, komentatori i njohur sportive shqiptar, Ismet Bellova, me muzën e vet ligjëronte: “Mahnitesh nga një lojtar si Vasil Ruci, lum Flamurtari i Vlorës që e ka!”. Thjesht kam qenë me fat që kam jetuar kohën e artë të Vasil Rucit, dhe që e shijoj edhe sot të gjitha cilësitë e të madhit Vasil!

Skeda: VASIL RUCI
Datëlindja: 17.02.1958
Gjatësia: 174 cm
Vendlindja: Vlorë

Karriera si futbollist
Sezoni             Skuadra           Ndeshje           Gola    Kupa/ Nd. Gola
1976-77           Flamurtari       18                    2          –           –
1977-78           Flamurtari        21                    4          4          2
1978-79           Flamurtari        23                    5          5          1
1979-80           Flamurtari        22                    4          6          3
1980-81           Flamurtari        26                    8          6          2
1981-82           Flamurtari        24                    12        5          3
1982-83           Flamurtari        24                    7          7          5
1983-84           Flamurtari        25                    12        4          2
1984-85           Flamurtari        23                    7          6          5
1985-86           Flamurtari        24                    9          5          5
1986-87           Flamurtari        25                    12        4          3
1987-88           Flamurtari        23                    9          7          6
1988-89           Flamurtari        17                    3          6          4
1989-90           Flamurtari        2                      1          –           –
1990-91           Flamurtari        I dëmtuar
1991-92           Flamurtari        I dëmtuar
1992-93           Flamurtari        7                      1          3          1
TOTALI:         304                  93        71        42

Karriera si trajner
2004-05           Flamurtari        Kat. 1  7nd      (4F-0B-3H)
2005-06           Flamurtari        Kat. 1 26nd     (20F-1B-5H)
2007-08           Turbina            Kat. 1  12nd    (6F-1B-5H)
2006-07           Flamurtari        Kat. S  16nd    (3F-4B-8H)
2011-12           Vlora               Kat. 1 1nd       (0F-1B-0H)

Pozicione te tjera
1998-99 Flamurtari Drejt.Teknik
2006-07 Flamurtari Drejt. Teknik
2009-10 Flamurtari Drejt. Teknik
2013-17 Flamurtari Akad.Grupmoshave
2017-19 Flamurtari Drejt. Teknik

Trofe të fituar në futbollin elitar shqiptar
2 herë “Këpuca e Artë” (1981-82 dhe 1983-84)
1 titull kampion i Shqipërisë (1990-91)
2 Kupa të Shqipërisë (1985 dhe 1988)
2 Superkupa të Shqipërisë (1991-92)

Golat e shënuar në ndeshje ndërkombëtare
02.10.1985 Flamurtari – HJK Helsinki 1-2 (11’)
17.09.1986 Flamurtari – Barcelona 1-1 (67’)
04.11.1987 Flamurtari – Vizmut Aue 2-0 ( 73’)
25.11.1987 Barcelona – Flamurtari 4-1 (71’)
14. 09.1988 Flamurtari – Leh Poznan 2-3 (40’)

Ndeshje ndërkombëtare të luajtura: 27
Gola të shënuar: gjithsej 6