Vllaznia-Gea Sport, ndarja në prag

534
Sigal

Situatë e paqartë midis Bashkisë së Shkodrës dhe kompanisë zvicerane. Sot, takim sqarues

Qëndrimet e fundit të “Gea Sport” ndaj Bashkisë së Shkodrës, por edhe mosmarrëveshjet mes vetë përfaqësuesve të kompanisë zvicerane kanë zbehur shpresat e tifozëve për të parë një Vllazni konkurruese sezonin e ardhshëm. Kërcënimet e zviceranëve për tërheqje, mund ta rikthejnë klubin shkodran në pikën zero, nga ku do të jetë shumë e vështirë për të ngritur kokën teksa vetëm pas tri javësh nis sezoni i ri futbollistik. Bashkia e Shkodrës publikoi një deklartë për shtyp nisur nga deklarimet e ditëve të fundit në shtyp ne lidhje me situatën në Klubin e Futbollit Vllaznia. “Bashkia Shkodër në respektim të ligjit, kontratës së bashkëpunimit me Gea Sport & Immobiliare s.a., po tregohet e përmbajtur në reagimet ndaj disa deklarimeve individuale e të pakuptimta të botuara në shtyp ditët e fundit. Sqarojmë se, Bashkia Shkodër ka qene dhe është e gatshme në zbatim të kontratës së bashkëpunimit me Gea Sport. Në zbatim të kësaj kontrate, Bashkia i ka kërkuar Presidentit të kompanisë Gea Sport, z. Nava, që në përmbushje të detyrimeve të sjellë propozimet për tre emrat e Këshillit Mbikëqyrës të kësaj shoqërie, këshill i cili ka kompetencën për emërimin e administratorit te Klubit, duke i hapur rrugën funksionimit të strukturave ligjore, siç përcaktohet në ligj dhe në kontratën e bashkëpunimit. Nisur edhe nga një njoftim i z. Nava, ku lajmëron se ditën e shtunë (sot) do të vijë në Shqipëri përfaqësuesi i tij z. Alesandro Grigoleto, Bashkia Shkodër është në pritje të realizimit te këtij takimi për të sqaruar këtë situatë, dhe pas këtij takimi do të ketë një sqarim për opinionin dhe institucionet për veprimet e mëtejshme. Theksojmë se, nga Bashkia Shkodër nuk ka pasur asnjë pengese ndaj kompanisë Gea Sport ne lidhje me fillimin e punës në Klubin Vllaznia duke mbështetur stafin teknik qe po punon me perkushtim. Shpresojmë në sqarimin e kësaj situate me përfaqësuesin e Gea Sport, dhe vazhdimin normalisht te punës në Klubin Vllaznia. Bashkia Shkodër dhe K.F.Vllaznia sh.a”, – thuhet në deklaratën e djeshme të Bashkisë së Shkodrës. Në fakt, përtej polemikave në kampin shkodran, trajneri Baldo Raineri ka vijuar rregullisht stërvitjen duke krijuar idenë se gjithçka është “Ok”, por që në të vërtetë ngjan si një qetësi para furtunës. Këtë të Shtunë në Shkodër do të mbërrijnë përfaqësuesit më të lartë të kompanisë “Gea Sport”, që do të qartësojnë edhe qëndrimin e tyre pas zërave për një tërheqje përfundimtare nga administrimi i Vllaznisë.

Zviceranët pretendojnë se Bashkia e Shkodrës, që është aksionare e klubit të futbollit, nuk i ka përmbushur pikat e kontratës, ndër të cilat regjistrimin në QKR të shoqërisë së re, derdhjen e një shumë të caktuar parash për shlyerjen e borxheve, apo vënien në dispozicion të të gjitha kontratave të futbollistëve. Përtej pretendimeve të Gea Sport, gjithçka do të sqarohet pas një takimi që do të mbahet mes palëve sot në Bashkinë e Shkodrës.

 Flamurtari u kalon turqve

 “TRK” dhe “Atlasjet” janë pronarët e rinj të Flamurtarit. Pas shumë e shumë bisedimesh tashmë gjithçka është bërë zyrtare. Këshilli Bashkiak i Vlorës i ka dhënë fund “odisesë” së privatizimit të klubit duke i dhënë dritën jeshile kalimit të klubit në duart e turqve që do të jenë dhe drejtuesit e rinj të skuadrës së Flamurtarit. Donatorët që kanë ardhur në Vlorë kanë premtuar investime të mëdha dhe projekte që do të marrin jetë shumë shpejt. Sinan Idrizi është dhe përfaqësuesi i palës turke, njëkohësisht udhëheqësi i këtij grupi që do të menaxhojë Flamurtarin. Nga dita e enjte “TRK” dhe “Atlasjet” do të ketë të drejta të plota mbi ekipin kuqezi dhe do të marrë vendime pa u ndikuar nga Bashkia e Vlorës. Kështu mbyllet një epokë në skuadrën e Flamurtarit, ku pas shumë kohësh Shpëtim Gjika nuk do të jetë më presidenti i ekipit.

 Mustafi, tani kushton 15 milionë euro

 Kushdo që dëshiron të blejë Shkodran Mustafin duhet të bëjë gati në valixhe, jo pak por 15 milionë euro. Pjesëmarrja në Brazil 2014, por mbi të gjitha aktivizimi titullar me Gjermaninë në eventin më të rëndësishëm sportiv të Botës, i ka rritur shumë kuotat e 22-vjeçarit nga Gostivari. Mustafi u bë shqiptari i parë në histori që ngre lart Kupën e Botës. Presidenti i Sampdorias, Masimo Ferrero, e konsideron pjesë të projektit të skuadrës tij, por nëse do të hezitonte për ta shitur nëse i vjen oferta e duhur. Numri 1 i klubit të Serisë A është shprehur se për 15 milionë Euro është gati ta lejojë largimin e Mustafit, pasi më këtë shumë mund të blejë 10 futbollistë të tjerë, që shumë shpejt mund të arrijnë nivelin e Kampionit të Botës. Kjo deklaratë e Ferreros është referencë për klubet europiane, kryesisht gjermane, që synojnë shërbimet e futbollistit, i cili e ka shprehur hapur dëshirën për të qenë pjesë e Bundesligës në të ardhmen. Mustafi është formuar në akademinë e Hamburgut në Gjermani, ndërsa në vitin 2009 kartoni i tij u ble nga Everton. Në 2012, pasi nuk gjeti hapësira në formacionin e parë të klubit anglez, u transferua te Sampdoria. Rritja profesionale e Mustafit në Serinë A nxitën interesimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për ta veshur futbollistin kuqezi, por në fund ai vendosi të përfaqësonte Gjermaninë, përfaqësuese me të cilën fitoi Botërorin, madje si protagonist.

 Dhimbje koke për trajnerin Xhani De Biazi, pas operimit të mesfushorit të Kombëtares

 Tetë javë jashtë fushave, Meha humbet Portugalinë e Danimarkën

 Alban Meha do të qëndrojë tetë javë jashtë fushe, duke humbur kështu dy ndeshjet e para eliminatore të Kampionatit Europian “Francë 2016”, pikërisht ato me Portugalinë (7 shtator) dhe Danimarkën (11 tetor). Kombëtarja Shqiptare humbet kështu një nga titullarët bazë. Mesfushori Alban Meha i dëmtuar në menisk gjatë miqësores kundër Makabi Haifa di t’i nënshtrohet operacionit dhe rikuperimi kërkon disa javë pushim për lojtarin shqiptar. Në këtë përfundim dolën mjekët pas rezonancës magnetike dhe në këtë mënyrë, ai ka nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale. Vetë lojtari i Paderborn ka deklaruar për mediat gjermane se kjo është zgjidhja e vetme edhe pse më e vështira. Për një dëmtim të tillë, koha e rekuperimit parashikohet deri në 8 javë, që do të thotë se 28-vjeçari do të rikthehet në fushë gjatë fundit të shtatorit ose fillimit të muajit tetor. Takimin e parë eliminator, Shqipëria do ta luajë në datën 7 Shtator kundër Portugalisë në “Stadium Municipal” të Aveiros, ndërsa në 11 Tetor, kuqezinjtë presin Danimarkën në shtëpi. 3 ditë më pas, ekipi i De Biasit do të udhëtojë drejt Beogradit për sfidën e tretë të grupit kundër Serbisë. Alban Meha konsiderohet si një titullarët e padiskutueshëm në skemat e teknikut italian, i cili duhet të rimodelojë mesfushën për sfidën e Portugalisë. Në përfundim të kampionatit, Alban Meha shpallet lojtari i vitit në Bundesligën e dytë, nga faqja online liga2-online.de. Meha në total grumbulloi 53 për qind të të gjitha votave duke lënë pas Timo Horn të Koln dhe Filip Klingmann të Karlsruhes. Në sezonin që sapo u mbyll Meha ishte një prej lojtarëve kryesorë të Paderbornit duke ndihmuar skuadrën të ngjitej në Bundesligën e parë. Në total Meha luajti në 25 ndeshja për ekipin e tij duke shënuar dhe 12 gola duke mos u ndalur as nga problemet në menisk që e mbajtën disa javë jashtë fushave të lojës në mesin e fazës së parë.