Viron BEZHANI/Sporti në ditët më të errëta, autonomia shpëtimi i tij

540
Sigal

Kemi dëgjuar shpesh nga politikanët se sporti është i rëndësishëm, por në realitet mbështetja që i jepet atij nga shteti shqiptar është minimal dhe i pamjaftueshëm për zhvillimin e një sporti cilësor. E thënë haptazi, tek ne sporti nuk vlerësohet ashtu si duhet, pasi disa “shkencëtarë” e konsiderojnë atë si një aktivitet pa vlerë. Njerëz, të cilët shprehin injorancën e tyre, pasi sporti ka një rëndësi të madhe në jetën shoqërore, madje do ta quaja të jashtëzakonshme. Sporti ka vlera të mëdha edukative dhe shëndetësore, pasi një popull aktiv dhe që merret me sport do të vuajë më pak, do të konsumojë më pak ilaçe e shërbim shëndetësor. Sporti ka vlera edukative, pasi e largon rininë nga veset e këqija, larg lokaleve, kazinove e drogës, duke e bërë atë të përgjegjshme për të ardhmen e saj. E thënë më qartë, nuk ka edukim të një njeriu pa edukimin fizik.

Pra, duke parë gjithë këto vlera, që ka sporti, është e pafalshme për të gjithë politikanët shqiptarë që e kanë lënë atë në këtë gjendje të mjerueshme, thuajse të pashpresë dhe të harruar. Një sport që mezi mbahet në këmbë me një buxhet minimal, me anë të të cilit nuk mund të organizojë dot as aktivitete kombëtare. Buxhete që edhe kur vijnë është tepër vonë, me të cilat federatat dhe sporti mezi mban frymën gjallë, duke rënkuar gjithnjë e më shumë.

Një tjetër problem shumë madhor i sportit sot në Shqipëri janë terrenet sportive, gjithnjë e më shumë të pakta, gjithnjë e më shumë të shkatërruara. Terrene sportive në kushte skandaloze, shpesh jashtë përdorimit, ku as në Kandahar nuk besoj se mund të jenë në atë gjendje. Investimet në terrenet sportive në 23 vjet pluralizëm janë fare minimale, për të mos thënë që ato kanë munguar fare. Për pasojë, ato janë degraduar, kanë humbur shumë nga  e vlerat e dikurshme dhe nuk është menduar fare për shtimin e numrit të tyre.

Me një ministri Sporti thuajse inekzistente, që me gjithçka mund të merret por vetëm me sportin jo. Një akuzë e përsëritur dhe që vijon të mbetet në vesh të shurdhët, pasi edhe tani, në ditët e fundit të qeverisjes, ajo Ministri Sporti nuk arrin të bëjë asgjë për të. Me një paaftësi të dukshme për të përcaktuar se cilat janë hallet e këtij sporti dhe si të zgjidhen ato. Një drejtori që hesht, nuk ndihet, me një Ministër që nuk e di se në fund të dikasterit që ai drejton ka edhe fjalën sport.

Një tjetër problem madhor dhe që kërkon sot zgjidhje është sporti në shkollë, i cilit nuk zhvillohet më si dikur. Jo vetëm kaq, por edhe ambientet sportive janë të mbyllura, në një kohë që duhet të rrinë 24 orë të hapura në shërbim të komunitetit, pasi sporti shqiptar ka shumë nevojë për mjedise. Në këto kushte që është Shqipëria, ku terrenet sportive, kryesisht ato të hapura janë shkatërruar krejt, palestrat e shkollave janë një mjet i domosdoshëm për t’u marrë me sport.

Politikanët e sotëm kanë bërë shumë mëkate me sportin, sepse janë tallur me të. Duke u tallur me sportin ata janë tallur edhe me fëmijët e tyre, pasi djemtë e tyre janë sot përdoruesit më të mëdhenj të drogës (sipas praktikës). A nuk e dinë këta politikanë se sot sporti në botë zë vendin e pestë të ekonomisë botërore dhe që në sport janë të punësuar më shumë njerëz se sa në shumë fusha të tjera. Sigurisht që nuk e dinë, pasi nuk do ta kishin lënë sportin të katandiset në këtë mënyrë. Ne si shtet duhet t’i bashkohemi luftës së madhe që po zhvillohet sot në mbarë botën në sfidën ndaj dopingut dhe përdorimit të substancave të ndaluara, duke krijuar infrastrukturë për parandalimin e këtyre fenomeneve.

Për këtë arsye, qeveria dhe të gjithë ata që përfaqësojnë sot sportin duhet të mbështesin fuqishëm të gjitha programet zhvilluese, në mënyrë që përfaqësimi i shtetit të ndihet i pranishëm si në Lojërat Olimpike ashtu dhe ato Mesdhetare dhe jo të kujtohet e ti mbështesë ato në fund, siç ka ndodhur në dy vitet e fundit. Dy veprimtaritë e fundit më të mëdha ndërkombëtare, shteti shqiptar, me paturpësinë më të madhe nuk akordoi asnjë qindarkë, sikur këta sportistë nuk përfaqësonin shtetin shqiptar. Sportistë që po ngrenë mes vështirësive flamurin kuqezi. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si asnjëherë tjetër më parë është ndjerë i vetëm në këtë betejë, në këtë përballje, duke mos pasur mbështetje nga shteti. Asnjë qindarkë, asnjë uniformë, asnjë biletë e paguar, përkundrazi, të gjitha janë kryer nga KOKSH, që ka marrë përsipër edhe trajnimin jashtë të sportistëve më të mirë. Po ky shtet çfarë ka bërë? Asgjë, asnjë falënderim, apo as kokën nuk ka kthyer për të thënë se ka edhe sport, duke e lënë atë jetim. Në vend që njerëzit e shtetit ta përkrahin atë e kanë braktisur, duke e përdorur vetëm për fushatë. Ndaj lind pyetja, a mund të ketë ndonjë shtet në botë, ndoshta edhe më i varfëri, që të mos bëjë asgjë për sportin, asnjë veprim për ta mbështetur atë?

Mendoj se me sportin deri më sot, në 23 vjet demokraci, është luajtur pingpong, por tani ka ardhur koha që sporti, i cili mbart vlera të patjetërsueshme jetësore, të trajtohet më vete. Mendoj se duhet ndryshuar patjetër dikasteri, që sporti në Shqipëri të jetë i përfaqësuar në kabinetin qeveritar. Arsyet që duhet të ndryshojë janë shumë: 1-Nevoja e domosdoshme për një ekonomi më të mirë; 2-Rritja e frekuencës së veprimtarisë; 3-Autonomia në vendimmarrje dhe ajo financiare. Komuniteti i sportit duhet t’i zgjedhë vetë njerëzit e tij, pasi dihet që sporti është drejtuar ndër vite nga politikanë që nuk janë marrë kurrë me sport, ndaj dhe atyre nuk u dhimbset ai.  Por, mbi të gjitha, nuk dinë ta drejtojnë atë. Vetëm sporti autonom mund të konsiderohet i besueshëm. Sot sporti duhet parë në një këndvështrim tjetër, më të gjerë, duhet menduar se si ta shtrijmë sportin në çdo qelizë të jetës dhe më pas të vjelin frytet e të shohim cilësinë. Duhet një politikë e detajuar, një politikë e hapur, gjithëpërfshirëse e mbështetëse për sportin, që ai të shohë me shpresë nga e ardhmja.

Shkodrani Bekim Balaj ikën nga Çekia, shkon në Poloni

 Do të luajë në kampionatin polak sezonin e ardhshëm sulmuesi shkodran Bekim Balaj. Kjo është zyrtarizuar nëpërmjet huazimit njëvjeçar nga Sparta e Pragës për tej Jagiellona. Kuqeziu Bala ka arritur marrëveshjen zyrtare me klubin nga Bjallistok, në lindje të Polonisë, pranë kufirit me Bjellorusinë,  Jagiellona, e cila ka edhe të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit. 22-vjeçari Balaj u transferua te Sparta e Pragës nga Tirana dhe arriti të shënonte tre gola në 12 ndeshje, por nuk mundi të zinte një vend titullari në skuadër. Ndonëse fillimi ishte mjaft i mirë, më pas Balaj humbi terren, deri sa në muajt e fundit kaloi në ekipin e dytë të Spartës. Një gjë e tillë i ka kushtuar edhe mosthirrjen më në kombëtare, pasi u mor nga trajneri Xhani De Biazi për miqësoren me Kamerunin në nëntorin e kaluar, në Zvicër. Për Balajn është e rëndësishme të ketë një skuadër ku të aktivizohet rregullisht. Nga presidenti i klubit polak, Cezary Kulesza, shkodrani është vlerësuar si një lojtar klasi dhe një numër nëntë tipik. Brenda pak javëve, ai bëhet sulmuesi i dytë shqiptar që shkon në kampionatin polak, pas Sebino Plakut që tashmë është te Salsk Vroclav.

Valdet Rama, gati për aventurën e re me Valadolidin

 Mesfushorit të Shqipërisë, Valdet Rama, i kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla para se të zyrtarizojë vazhdimin e kontratës me skuadrën spanjolle, Real Valadolid. Ai ka bërë të ditur në Tvvitter dje se do të firmosë rinovimin, ndërsa për gazetën kosovare “Koha Ditore” ka thënë se kjo pritet brenda 2-3 ditësh. “Ende nuk është arritur marrëveshja 100 për qind. Por, jemi shumë afër, ndërsa kanë mbetur edhe disa detaje të vogla për t’u sqaruar. Menaxheri im ka pasur një bisedë shumë pozitive me trajnerin e ri të Valadolidit dhe për mua është shumë e rëndësishme që ai ka thënë fjalë të mira”, ka thënë Rama. Detajet e diskutuara kanë qenë të lidhura me përfitimet financiare të lojtarit, por dje nga siti blanquivioletas.com është bërë e ditur se edhe për ato është gjetur gjuha e përbashkët. 25-vjeçari kaloi te Valadolidi nga Orebro i Suedisë dhe luajti në pesë ndeshje me skuadrën spanjolle. Ai vlerëson se është treguar i suksesshëm në këto ndeshje.

Paderborn nuk lejon Alban Mehan të luajë në Ligën 1

 Alban Meha do të qëndrojë të paktën edhe një vit te Paderborni, pavarësisht dëshirës për të luajtur në ligën e parë gjermane. Meha është shprehur se nuk ka arritur të gjejë akordin me zyrtarët e klubit për largimin, edhe pse ka pasur oferta nga klube të ndryshme, përfshirë edhe disa nga Bundesliga. “Edhe sezonin që vjen do të luaj me Paderbornin. Kam pasur dëshirë që të ndërroj mjedis dhe të kaloja në ndonjë klub të Bundesligës, por kjo nuk u realizua”, thotë mesfushori, i cili luan me Paderbornin që më 2011, kur kaloi atje nga Eintraht Trier. “Kam pasur oferta të mira, por më duhet të respektoj marrëveshjen që kam me Paderbornin, pra edhe dy vite kontratë”. Meha, ndërkohë u është kthyer stërvitjeve para dy javësh, pas një lëndimi që pësoi dy muaj më parë, i cili e la jashtë ndeshjes së kombëtares me Norvegjinë. “Gjithsesi, lajmi mirë për mua është që e kam kaluar dëmtimin dhe kam filluar të stërvitem rregullisht. Shërimi ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe për momentin po e ndjej veten mirë, çka më jep shpresa të jem i gatshëm maksimalisht për sezonin e ri dhe ndeshjet e mbetura me kombëtaren në eliminatoret e botërorit”. Ai ka shtuar se ka synime të qarta në vazhdim të karrierës, si me klubin e tij, ashtu edhe me kombëtaren shqiptare. “Dua që me ekipin tim të kemi paraqitje të mirë në Bundesligën 2 dhe mundësisht të kapim elitën e futbollit gjerman. Për sa i përket kombëtares, mund të them se ajo është në rrugë të mirë që të arrijë sukses historik. Gjërat kanë ndryshuar pozitivisht dhe kjo më bën të jem optimist për katër ndeshjet e fundit, me qëllim që të kapim së paku vendin e dytë. Të gjithë janë duke dhënë më të mirën për të arritur synimin, që është kualifikimin në Brazil”.

Skënderbeu, me sulmues të ri, vjen Ejupi nga Shkëndia e Tetovës

 Muzafer Ejupi, sulmuesi shqiptar nga Maqedonia, do të luajë me Skënderbeun për dy sezonet e ardhshëm. 24-vjeçari ka firmosur kontratën me presidentin Adrian Takaj, duke mbushur në këtë mënyrë boshllëkun pas largimit të Sebino Plakut. Pas firmës, Ejupi doli menjëherë në stërvitje me skuadrën e tij të re. Sezonin e kaluar ai luajti me Shkëndijën e Tetovës, duke qenë një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, me 19 gola të shënuar, tre më pak se shënuesi më i mirë.