Intervista/ Shpëtim Duro: Zhalgris në letër favorit, ne kemi shanset tona

354

Nga Struga flet për “Telegraf” trajneri Shpëtim Duro, synimi në ndeshjet e Ligës së Kampioneve

Sigal

Agron Kaja

“Kemi përballë Zhalgris me eksperiencë dhe në sezonin e kaluar ishte pjesëmarrëse në Grupet e Konferencë Ligë. Në letër duket se është favorite, por edhe ne kemi shancet tona e do synojmë kualifikimin”

Po shijoni titullin kampion me Strugën, apo jeni në fokusin e përgatitjeve për Ligën e Kampioneve?

Patjetër që është eksperienca e parë e Strugës, skuadrës që bëri historinë duke u shpallur kampion për herë të parë. Pas këtij suksesi jemi duke punuar për t’u paraqitur sa më mirë në dy ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampioneve.

Struga kampione në Maqedoninë e Veriut, si i ka nisur përgatitjet për Europën?

Përgatitjet i kemi filluar më 7 korrik në Strugë. Kemi rreth një muaj që zhvillojmë përgatitje në kushte shumë optimale dhe ky mendoj se është një favor për skuadrën tonë. Përgatitja ka nisur me ngarkesa të larta, për të zbritur këtë javë.

Veç përgatitjeve, keni zhvilluar ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe?

Ndeshjet miqësore janë të domosdoshme në të tilla përgatitje dhe Strugës nuk i kanë munguar në këtë periudhë përgatitore. Kemi zhvilluar tre ndeshje miqësore, ku veç rezultateve rëndësi kishin paraqitjet e mira të skuadrës.

E ka Struga kontigjentin e lojtarëve për t’u paraqitur me sukses në këto dy sfida?

Për mua si trajner, mendoj se Struga e ka kontigjentin të plotë që të përballet me kundërshtarin lituanez. Gjatë këtyre përgatitjeve nuk kemi patur dëmtime e ndryshime në skuadër, dhe këto e bëjnë edhe më të plotë e të fortë grupin.

Në raport me skuadrën e sezonit të kaluar, çfarë përforcime keni bërë në skuadër?

Grupi i sezonit të kaluar thuajse është gati 90%, por kemi bërë edhe tre përforcime që unë quaj cilësore. Nga Superiorja shqiptare janë afruar Mentor Mazrekaj dhe Vangjel Zguro, si dhe boshnjaku Senad Jaroviç që janë përshtatur mirë me grupin.

Deri në ndeshjen e parë më 11 korrik, do ketë ndryshime të tjera te Struga?

Ne jemi në përgatitje të ndeshjeve me Zhalgris në Ligën e Kampioneve dhe besoj se kjo do të jetë skuadra që do të luajë në këto dy ndeshje. Nëse do të kemi mundësinë e përforcimeve të tjera, ato do të jenë për vazhdimësinë.

Struga nuk ka një eksperiencë në ndeshjet europiane, po lojtarët kanë përvojë për ndeshje të tilla?

Struga e ka titullin e parë kampion dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën në Ligën e Kampioneve. Brenda skuadrës, duke u përfshirë edhe unë si trajner, kemi përvojë në ndeshjet ndërkombëtare. Janë disa futbollistë, që kanë luajtur ndeshje në Europë, prandaj edhe ne kemi shanset tona.

Dhe si e shikoni skuadrën e Strugës përballë kundërshtarit lituanez, Zhalgris?

Kemi përballë Zhalgris me eksperiencë në kompeticionet europiane. Në sezonin e kaluar kjo skuadër ishte pjesëmarrëse në Grupet e Konferencë Ligë. Parë kështu, në letër duket se është favorite, por e përmenda më sipër se edhe ne kemi shancet tona e do synojmë kualifikimin.

0 ndeshje

Skuadra e Strugës nuk ka luajtur asnjëherë në Ligën e Kampioneve, kjo është ndeshja e parë.

3 përforcime

Gjatë këtyre përgatitjeve janë bërë edhe tre përforcime me Mazrekajn, Zguron  dhe Jaroviç

MAQEDONASIT NË EUROPË

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i parë eliminator

Datë 11 korrik 2023

Zhalgris (Ltu)-Struga

Kthimi/ Datë 18 korrik 2023

LIGA E KONFERENCËS

Turi i parë eliminator

Datë 13 korrik 2023

Hegelman (Lit)-FC Shkupi

Shkëndija-Haverforduest (Uell)

Kthimi/ Datë 20 korrik 2023

Transferta e Dakut në Rusi, 1 mln euro në sezon

Marlind Daku është i njohur edhe në futbollin shqiptar, pasi tri vite më parë ai ishte pjesë e Kukësit në Abissnet Superiore, me të cilin luajti në 13 ndeshje e shënoi 1 gol. Sot ai duket si lojtari i momentit, sepse pasi i ka dhënë fund eksperiencës me Osijek në kampionatin kroat, pritet të nënshkruajë kontratë tre vjeçare me klubin rus Rubin Kazan. Ka ditë që Daku ndodhet në Kazan për të kryer vizitat mjekësore dhe më pas për të firmosur një kontratë tre-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 1 milion euro në sezon.

Nga Shkëndija e Tetovës, Cuculi thotë “Lamtumirë”!

Ish-futbollisti Partizanit dhe i Kukësit në Superioren shqiptare, Adrian Cuculi, është tërhequr nga futbolli i luajtur. Dje ai ka postuar një video duke u shprehur se: “Ajo që kaloi, mbaroi. Tani takohemi në fusha të tjera”. Skuadra e fundit e tij ishte Shkëndija e Tetovës në kampionatin maqedonas të futbollit (2022-2023), ndërkohë që në karrierën e tij ai shënon edhe 6 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut në vitin 2014.