FORUM:Marrja e Godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve nga shteti, akti më i turpshëm

1499
Sigal

FORUM/ Pse është marrë godina e Lidhjes së Shkrimtarëve nga shteti? Flasin: Bashkim Shehu, Musa Vyshka, Pirro Loli, Vasil Dede, Hysen Sinani, Violeta Allmuçaj

Ka më shumë se gjashtë vjet që Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë është marrë në mënyrë të padrejtë nga shteti. Sot shkrimtarët shqiptarë janë të vetmit në botë, pa një godinë të tyre dhe pa një shtyp të tyre. E famshmja gazeta “Drita” ka po kaq vite që është mbyllur. Shkrimtarët shqiptarë, s’dinë ku të takohen, ku të qajnë hallet dhe ku të gjejnë vetveten. Ngushëllimin e gjejnë vetëm tek çantat e rënda në kurriz që mbartin brenda libra, projekte, skica letrare, të cilat i hapin dhe i bëjnë prezent mes shokësh nëpër tavolinat e kafeneve të panumërta të Tiranës.

 Hysen Sinani (Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve)

Ky veprim në shtet demokratik është një veprim banditesk. Këtë veprim se ka bërë as diktatori Enver Hoxha, pasi ai e dinte mirë forcën e penës dhe lidhjet e shkrimtarëve me popullin. Të lësh pa godinë shkrimtarët, këta paraprijës së mendimit të përparuar në çdo shoqëri është një krim.  Qeveria e re që do vij duhet ta vendosë në vend këtë padrejtësi që u është bërë krijuesve të saj.

 Bashkim Shehu

 – Nuk e di si është puna, por Lidhjes së Shkrimtarëve i takon një godinë sado e vogël. Edhe pse vetë jam jashtë jam shkrimtar dhe mendo se duhen vlerësuar. Merrem me krijimtari; shkruaj herë pas here artikuj opinioni në një gazetë të Barcelonës, më së shumti për krizën aktuale, po edhe për probleme të emigracionit, si për shembull kundër ksenofobisë dhe racizmit në rritje në vende të ndryshme europiane; bëj përkthime letrare ose nga fusha të ndryshme të humaniteteve; merrem gjithashtu me projekte kulturore, për aktivitete në Barcelonë ose në vende të tjera. Nga projektet kulturore në të cilët angazhohem, kryesori në këtë moment është ai i qytetit polak Vroclav, që do të jetë kryeqytet kulturor i Europës më 2016: jam në ekipin me përbërje ndërkombëtare të këtij projekti, që është në fazën përgatitore; punoj nga Barcelona, dhe shkoj në Vroclav herë pas here për ndonjë mbledhje të ekipit ose takim pune.   

  Pirro Loli

     Zakonisht zaptimet bëhen nga të huajt. Zaptimi i godinës sonë nga shteti ynë  ishte  qëndrimi më ogurzi ndaj kulturës, artit dhe letërsisë sonë kombëtare.  Pas kësaj u duk një shpërfillje totale ndaj shkrimtarëve, një burokraci agresive dhe indiferente njëkohësisht. Një godinë e disa zyra mund të gjenden kudo, por një ministri kulture të lëvizi gjërat e letërsisë, të organizojë e të përgjigjet për librin dhe artin, qenka e vështirë…Po të mëdhenjtë tanë, bejlerët e letërsisë, pse nuk e mbrojtën godinën e tyre nga zaptuesit, pse nuk kanë nxjerrë një fjalë nga goja për mungesën totale absolute të çdo organizimi të shkrimtarëve – ata hoqën b… mënjanë dhe lundrojnë akoma me famën e atij regjimi. Mendoj se sot, në emër të lirisë së fjalës, ata e kanë frikë organizimin, klubin a shoqatën. Kur heshtin të mëdhenjtë e letrave, hesht dhe shteti antiletrar. Mund të jemi nga vendet e rralla në botë që shkrimtarët nuk ekzistojnë në asnjë organizim.

 Violeta Allmuça

Pse politika e sotme shqipe është larguar nga shkrimtarët, madje, u ka marrë dhe godinën e Lidhjes?

S’ka se si të ndodhë ndryshe. Shkrimtarët nuk bëjnë kompromise, nuk janë servilë, nuk janë sahanlëpirës, nuk dinë të bëjnë korrupsion. Ata janë paraprijës të mendimit njerëzor dhe qëndrojnë në pararojë të çdo lëvizje qytetare. Marrja që i është bërë Godinës sonë është atentati më shkatërrues për krijuesit tanë. Të gjithë llojet e sporteve, shoqatat, bizneset kanë godinat dhe statuset e tyre, ne s’kemi asgjë.

  Vasil Dede

Veprimi më i shëmtuar. Ndërsa më i shëmtuari i të gjithë kohërave mbyllja e gazetës “Drita”. T’u marrësh shkrimtarëve godinën e tyre historike dhe të mbyllësh gazetën më të vjetër dhe më të bukur letrare është vrasje që i është bërë letërsisë shqiptare. Dikur, kur se prisja Agolli më ofron punë redaktor tek gazeta “Drita”. Ishte një ditë e bukur për mua. Po realizoja një ëndërr jo të vogël. Kur më mori më tha: Do punosh tek gazeta jo më shumë se një vit, se pas një viti vjen aty një djali i një shokut tim. E kishte fjalën për të ndjerin Teodor Keko që në atë kohë ishte ushtar. Unë vij për aq kohë sa ju keni mundësi i thashë. Shkova me gëzim në atë punë. S’ishte shaka, nga një punëtor i rëndomtë në gazetën më prestigjioze letrare. Po sot ku është kjo gazetë aq e madhe, aq me famë?

  Behar Gjoka

 Letërsia ndodhet në një situatë që pakkush  mer mundimin të ndaje vlerën nga jo vlera, sepse çdo shenjë, çdo dëshmi na mundëson  komunikimin real  gati të pamundur, sepse mungon një revistë letrare një gazetë  e mirëfilltë letrare apo kritike. Na mungon një lidhje e dikurshme shkrimtarësh (letrare), e cila mirë apo keq  i lidhte interesat e krijuesve pavarësisht fushës , pavarësisë, apo llojit.  Tani çdo gjë është një çorganizim i organizuar dhe në këtë çorganizim të organizuar shyqyr që autorët përpiqen që ta mbajnë letërsinë gjallë.  Ajo godinë kur nuk duhej hequr nga administrimi i krijuesve. Ajo ishte e shenjtë nga ku kanë dalë gjenerata të tërë shkrimtarësh dhe poetësh që i kanë dhënë emër Shqipërisë në botë. Ka  dhe një problem tjetër….Botuesit shqiptar,  kanë një marrëdhënie absurde me shkrimtarët saqë nuk e di deri, ku do të shkojë kjo marrëdhënie. Pasi librin e paguan autori. Pra jemi në një situatë, ku libri  gati- gati po shndërrohet në mall. Libri nuk është mall. Libri është simbol.  Është pasqyrë e një kohe të caktuar, e një rrethane të caktuar. Është një marrëdhënie, e cila e kapërcen kohën. I kapërcen këto lloj sinorësh, të cilat në fund fare nuk ka se si të na krijojnë mundësinë të komunikojmë realisht.  Letërsia shqipe tashmë gjendet tani diku në periferi, të mendjes së Institucioneve shqiptare, në periferi vëmendjes së lexuesit shqiptar, vëmendjes së botuesve shqiptarë. Është tek e fundit në nderin e atyre që marrin përsipër që kjo zonjë e rëndë (siç është letërsia),  të mos lihet të largohet (të përzihet) nga jeta e përditshme sepse, nesër  jeta do të jetë pak më e shëmtuar se sa sot.

 Musa Vyshka

Çfarë mendimi keni në lidhje me godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve?

Shteti nuk duhet të arrinte deri aty. Nuk duhet ta bënin këtë punë. Të mirë të këqij, ne jemi. Por jemi krijues. Jemi ndërgjegjja e një kombi. Jemi përcjellësit e mendimit qytetar, civilizimit, demokracisë. Jemi përçuesit e mendimit progresist. Pa librat e shkrimtarëve nuk do të kishte histori, Shqipëria, nuk do të kishte gjithë këto këngë, poezi, legjenda, portrete. Historia do të ishte e zbrazët.  Roli i shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve në historinë e një vendi është determinant.