Viron Bezhani/Sporti, jo i fundit, si në emrin e një Ministrie që e ka harruar atë (MTKRs)

546
Sigal

Sporti shqiptar vijon të lëngojë, në shpresën tij për të mbijetuar në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë. Një mbijetesë që duket gjithnjë më e vështirë, duke parë indiferencën që kanë karshi tij, pikërisht njerëzit që më shumë se kushdo, duhej ta përkrahnin dhe ta ndihmonin. Duket se në këtë përpjekje për të mbajtur kokën lart dhe me krenari, njerëzit e sportit janë të vetëm, pasi përkrahja e shtetit mungon, bile edhe atëherë kur sportistët shqiptarë nderojnë kombin, duke ngritur lart flamurin kuqezi në podiume dhe arenën ndërkombëtare. Situata sa vjen e rëndohet, pasi mbështetja nga (MTKRS) për sportin vijon të mungojë ose është me pikatore, aq sa ky sport të mbajë veten gjallë, por pa pasur mundësi të zhvillohet, të përmirësohet dhe të konkurrojë denjësisht në garat ndërkombëtare. Muajt ndjekin njëri-tjetrin dhe koha kalon, ndërkohë që shteti shqiptar ende nuk kujtohet se ekzistojnë institucionet e sportit. Federatat ende nuk kanë arritur të marrin fondin grant për vitin 2013, ndërkohë që shumica e aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare, për mungesë fondesh,  janë pezull. Kalendari i aktiviteteve zhvillohet sa për të kaluar radhën pasi mungojnë fondet e nevojshme financiare ndërkohë që borxhet që kane federata, janë të mëdha dhe askush nuk mendon të ndihmojë. Jemi në prag të Lojërave Mesdhetare “Mersin 2013”, një tjetër veprimtari madhore që organizohet një herë në katër vjet dhe ku Shqipëria është e obliguar të debutojë dhe të ballafaqohet denjësisht. Por edhe ky turne rrezikon të zhvillohet sa për të kaluar radhën, pasi MTKRS nuk ka dhënë asnjë shenjë për ta përkrahur atë dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. A thua se sporti është atribut i KOKSH-it dhe Federatave dhe jo MTKRS-së. Mendoj se sporti i përket të gjithë shqiptarëve. Shteti dhe veçanërisht MTKRS nuk duhet të kujtohen për sportin vetëm kur ka një medalje apo kur një Europian zhvillohet në Tiranë, por te kujdeset gjithnjë dhe dyert  t’i mbajë gjithnjë të hapura për sportin dhe sportistët. Por vështirë se MTKRS-ja jonë, (e cila emrin e sportit e ka të shkruar në fund), të mendojë kaq shumë për sportin dhe njerëzit e tij, duke nisur qe nga titullari i saj. Vetë Ministri i sapozgjedhur pak ditë më parë harroi se është edhe drejtues i sportit, duke thënë se përparësi për mua ka kultura. Askush nuk është kundër kulturës apo turizmit, por mendoj ( dhe këtu jeni dakord me mua) se edhe sporti ka vlera te jashtëzakonshme, ecën krah kulturës dhe në vetvetë është kulturë. Por njerëzit e sportit në MTKRS duket se i kanë harruar prej kohësh, këto parime të sportit. Mendoj se nuk ka një vizion të qartë nga ana e shtetit për ta ndihmuar dhe mbështetur sportin si një veprimtari aktive në shërbim të shoqërisë.  Në zyrat e MTKRS-së shkresurinat kanë mbuluar edhe vetë njerëzit e sportit, që nuk lëvizin për të parë problematikat e sportit dhe aq më tepër për t’i zgjidhur ato. Askush nuk duhet të harrojë se pa sport nuk ka shoqëri njerëzore, por duket se këtë vit vëmendja ndaj atyre që punojnë çdo ditë në palestër apo stadium do të jetë zero nga ana e pushtetit aktual. Rezultatet nuk kanë munguar asnjëherë dhe kjo falë pasionit dhe dëshirës që kanë njerëzit që merren me sport, ndaj përkrahja ndaj tyre duhet të jetë e madhe dhe jo vetëm kur lypset për të takuar një medalist e për t’u krekosur para kamerave. Sportistët nuk kanë nevojë për lëmoshë, pasi ndër vite të gjithë ata që janë marrë me sport kanë ditur të tregojnë veten e tyre, vlerat e tyre dhe se asnjëherë nuk kanë pritur pas dere. Rezultatet e tyre në çdo moment e ka konfirmuar këtë fakt. Ata duan vetëm që dikush t’i përkrahë dhe të dëgjojë problemet e tyre, t’i orientojë drejt një sporti më cilësor e rezultativ me ligje e rregulla, të cilat sot mungojnë ose nuk zbatohen fare. Ndaj zotërinj që doni që Shqipëria të zhvillohet mos e bëni atë çalë-çalë, por duke menduar edhe për sportin, sepse ai është një pjesë e rëndësishme që prek çdo qytetar. Sporti nuk duhet të jetë i fundit në listë si në emrin e një Ministrie, por i pari që bashkon të gjithë, sepse me sportin të gjithë ne krenohemi dhe të gjithë bashkohemi kur garojmë për ngjyrat e shtrenjta kuqezi.