Viron Bezhani/ Qendra Olimpike, shtëpia e domosdoshme e sportit shqiptar

32

Përkrahje nga shteti për ndërtimin e një Qendre Olimpike. Jemi vendi i vetëm në botë që nuk e kemi

Tranzicioni për sportin shqiptar ka qenë i gjatë dhe i vështirë, madje sporti ende vijon të vuajë periudhën e vështirë të rimëkëmbjes dhe është në kërkim të një identiteti të humbur. I lënë në harresë për vite me radhë tashmë ka ardhur koha për të ndryshuar faqe dhe për t’i dhënë krenarinë e duhur sportit dhe atyre që sot veshin fanellën e nderojnë flamurin kuqezi kudo në botë. Nuk është e lehtë të mbash mbi supe flamurin kuqezi në një podium, pasi për të shkuar deri aty duhet shumë punë, djersë, sakrificë dhe energji. Ndaj të gjithë ne që e duam sportin e bëjmë politikat e tij, na duhet më shumë se kurrë të punojmë më shumë dhe të ndihmojmë ata që zbresin në fushën e blertë ë një stadiumi, në parketin e një pallati sporti, ngjiten në ring etj. Asgjë nuk është e lehtë, madje në momentet që kalon vendi ynë është e vështirë të mendosh për sport, por asgjë nuk është e pamundur pa bashkëpunim. Ky bashkëpunim e koordinim veprimesh duhet me të gjithë aktorët, për të arritur aty ku ne synojmë, të kapim majat.

Dhe që sot t’ia dalim mbanë që sportistët e trajnerët e tyre të jenë të suksesshëm nesër në botë duhet t’u krijojmë atyre kushtet e duhura. Por si, ku dhe çfarë duhet bërë? Ndonjëherë gjërat janë të thjeshta e duhet pak gjë që ato të jenë realizueshme dhe të prekshme e shpesh jemi vetë ne që i ndërlikojmë ato. Një gjë e mundur për t’u realizuar shumë shpejt dhe me pak para është ajo e ndërtimit të një Qendre Olimpike në Shqipëri. Ne, për fat të keq, jemi vendi i vetëm në botë që nuk kemi një qendër të tillë ku të stërvitim sportistët tanë më të mirë. E kjo na detyron të shpenzojmë shumë herë më tepër për t’i trajnuar ata, duke i çuar shpesh për stërvitje e përgatitje jashtë Shqipërisë, ndërkohë që këtë gjë mund ta bëjmë në shtëpinë tonë. Në Shqipërinë tonë të bekuar nga Zoti, me det e mal, ku kushtet klimaterike janë optimale.

Dëshira ime dhe e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për të ndërtuar Qendrën Olimpike në kryeqytet nuk duhet të jetë një xhelozi apo një garë mes njerëzve. Përkundrazi, ai është një projekt që duhet përkrahur nga të gjithë, pasi është një projekt i të gjithë shqiptarëve, i të gjithë atyre që merren sot me sport dhe duan vetëm kushte më të mira për t’u stërvitur. Dhe për këtë arsye ne duhet t’u japim atyre sportistëve më minimalen, kushtet ku të stërvitem e jo t’i mashtrojmë. T’u japim  terrene sportive e jo t’i shkatërrojmë ato. Ne i kemi mundësitë, ndaj sot mjafton vetëm vullneti i atyre që kanë në dorë të ndryshojnë gjërat për mirë. Dhe kjo mund të bëhet me pak shpenzime financiare, pasi sporti ka një terren të përshtatshëm ku mund të ndërtojë themelet e forta të së ardhmes. Kompleksi sportiv “Dinamo” është i përshtatshëm për të bërë realitet ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për të pasur Qendrën e tyre Olimpike. Një kompleks sportive i gatshëm dhe që me pak shpenzime ai mund të kthehet në një Qendër Olimpike moderne. Dhe kjo do të na bënte krenarë të gjithë shqiptarëve.

KOKSH ka projektin, që nuk është vetëm i tij, por i të gjithë shqiptarëve, madje edhe i shtetit shqiptar, që është partneri ynë kryesor dhe bashkëpunimi që kemi me të gjitha Ministritë e konfirmon këtë fakt. Kompleksi “Dinamo” është një mjedis i përshtatshëm për një Qendër Olimpike, pasi mjaftojnë pak para për ta kthyer atë në funksional, për t’i ndryshuar atij fytyrë. Mjafton vetëm një menaxhim më i mirë i këtij institucioni ku ndodhet sot Agjencia e Shërbimit të Sportit. Objektivi është të ndërtojmë një Qendër Olimpike gjithëpërfshirëse, ku do të grumbullohen të gjitha federatat sportive, qendra antidoping, KOKSH dhe të gjitha institucionet sportive. Për këtë arsye ne kërkojmë sërish bashkëpunimin me shtetin, mbështetjen e ndihmën e tij, që ta shohë këtë projekt dhe ide si një sfidë për të ringritur sportin shqiptar në dhe ta çojë atë në vendin e duhur. Ne si KOKSH jemi gat të japim kontributin tonë në çdo drejtim, për t’i dhënë Shqipërisë sportive një pamje tjetër, me krenare në arenën ndërkombëtare. T’i japim Shqipërisë një Qendër Olimpike për sportin, që nesër edhe ne të ndihemi krenarë se hodhëm një gur të fortë themeli në ringritjen e sportit.

Dy herë fituesi i “Këpucës së Artë” është ende nën kontratë me arabosauditët e Al-Faisalit

 Migen Memeli, midis Flamurtarit e Tiranës

 Migen Memelli është në planet e Flamurtarit dhe Tiranës. Sulmuesi i fuqishëm pogradecar aktualisht luan me Al-Faisalin, por tashmë ai nuk është në planet e klubit nga Arabia Saudite, me të cilin ai ka luajtur edhe në sezonin 2010-2011. Dy herë fituesi i “Këpucës së Artë” të Shqipërisë, si golashënuesi më i mirë i sezoneve 2008-2009 me Tiranën (me të cilin fitoi dhe titullin kampion) dhe 2012-2013 me Flamurtarin, ndodhet pikërisht në listën e dëshirave të dy klubeve me histori të madhe, por me pretendime krejt të ndryshme: vlonjatët për të zënë një vend në zonën europiane, ndërsa tiranasit për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Bardheblutë e mbyllën pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit, duke pasur njëherësh edhe sulmin më të dobët në kampionat: vetëm gjashtë gola të shënuar. “Jam i informuar për interesimin e Flamurtarit dhe Tiranës, – tha Migen Memelli për gazetën “Telegraf”, – por më parë duhet të zgjidh marrëdhëniet me klubin ku luaj aktualisht, Al-Faisalin. Sigurisht, që më pëlqen të kthehem të luaj në Superligë”. I vlerësuar për grintën dhe rendimentin e tij në lojë, ai ishte i shumëkërkuar në merkaton shqiptare, por sulmuesi 34-vjeçar tani duhet të zgjedhë. Migeni ka një përvojë të madhe ndërkombëtares, pasi përveçse se ka luajtur me Al-Faisaly dhe Al-Tauon në Arabinë Saudite, është aktivizuar edhe në Norvegji me Bran Bergen dhe në Suedi, me Gaisin. Memelli është autori i mbi 130 golave ka veshur edhe fanellën e Skënderbeut, Teutës, Elbasanit, Laçit dhe Flamurtarit është autor i golit më të shpejtë në kampionatet shqiptare, pas vetëm 8 sekondash lojë, në fitoren 2-1 të Tiranës në Vlorë (2009). Migen Memelli është aktivizuar këtë sezon në 13 ndeshje, duke shënuar vetëm një gol. Ajo që e bën akoma dhe më interesant klubin nga Arabia Saudite, ka të bëjë me faktin se aty luan edhe mesfushori shkodran, Gilman Lika (një gol), ndërkohë që vetëm tri ditë më parë firmosi dhe trajneri i portierëve, Arben Kasolli, themeluesi i Akademisë “Goalkeeping Kasolli Acadamy”, në Holandë. Pra, tre shqiptarë në një klub arab, gjë që nuk ndodh shpesh. Gjithsesi, shqiptari i pari në që ka luajtur në Arabi është mbrojtësi i famshëm shkodran, Hysen Zmijani. Ai ka qenë pjesë e Al-Nassr në sezonin 1994-1995. Në Iran, me Sepahanin, luajnë dy lojtarë shqiptarë: mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku dhe sulmuesi Xhevair Sukaj. Sezonin e kaluar fituan Kupën e Iranit. Gjatë karrierës së tij 13-vjeçare (nga viti 2000), Migen Memelli ka veshur fanellën e 10 skuadrave: gjashtë në Shqipëri, dy në Arabinë Saudite dhe nga një në Suedi dhe Norvegji. Migeni shënoi në sezonin 2008-2009 ndaj Flamurtarit edhe golin me të shpejtë të kampionatit kur realizoi pas vetëm 8 sekondash lojë në takimin e zhvilluar në Vlorë. Ai mban një rekord origjinal në edicionin 2008-2009 të Kupës. Shënoi pesë gola në fitoren 5-0 të Tiranës kundër Lushnjës në 1/8 e finaleve: 36’, 63’, 67’, 82’ (11-m), 88’.