Në 132- vjetorin e lindje, patrioti Fan Noli shkëlqen në piedestalin e historisë

601
Sigal

Noli u lind më 6 janar 1882 në Turqi dhe u nda nga jeta më 13 mars 1965 në SHBA

Në këtë ditë që Fan Noli ka përvjetorin e 132-të të lindjes, kontributi i tij në të mirë të Shqipërisë e shqiptarëve, reflekton më shumë mirënjohje e respekt për këtë personalitet e atdhetar të përkushtuar. Fan Noli është artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes. Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare. U lind më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Thrakë, jo shumë larg nga Ederneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar nga shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u morë me bujqësi, po shërbeu si psallt në kishëzën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake… Sa qe i mitur, Fan Noli hoqi sëmundje të rënda, ndaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por më shumë tek ai ndikoi krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900-n vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belgjiane, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të merrej me dramaturgji. Më 1903-n kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashërit. Më 1906-n, i nxitur dhe i përkrahur nga patriotët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, që kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovinistëve grekë. Megjithëse, kishte bindje të forta fetare, u dorëzua prift më 1908-n dhe filloi luftën për shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetare etj.. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912-n, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga I. Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përsëri shkoi në SHBA. “Vatra” e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921-n doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut “. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjerë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga A. Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, pas ngadhënjimit të të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Noli me shokë treguan butësi dhe ngathtësi. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca të huaj. Më 24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mërgimit politik dhe s’u kthye më në Shqipëri… Më 20 nëntor vajti në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdel, mbylli sytë përjetë, më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.

Marshi i Barabajt

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fè,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

0 stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!

0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!