Vëllezërit Hasko(Malindi): Dinastia  që bëri epokë në qytetin e futbollit  modest 

456

Cikël: Historia e  protagonistëve të futbollit  në Skrapar

Tradita e futbollit skraparas nuk është se ka ndonjë hershmëri apo specifikë dalluese nga ajo e zhvillimit të këtij sporti në Shqipëri. Ajo është e tejngjashme me atë të qyteteve  homologe ku futbolli ka qenë dhe është  i shenjtë, sa është vetë Zoti. Ashtu sikur luhej dhe jetohej futbolli në Milano, Londër apo Rio,  të njëjtën simbiozë përjetonte edhe  qyteza ime Çorovoda, por ajo që na dallonte dhe që ja u kalonte këtyre ishte se “stadiumi” jonë natyral kishte për dushe dhe dhoma veshje  lumin me bregun e tij si dhe nuk mbante as 60 dhe as  80 000 spektatorë, por 100% të popullsisë së qytetit. Futbolli kishte aq fuqi sa e tjetërsonte gjithçka, pse jo, krijonte një atmosferë të një bote tjetër. Ishte ky futboll që nxirrte nga “rreshti” të gjitha rregullsitë, pa përjashtim! Mbaj mend që në atë kohë korin e “ultrasve” e udhëhiqte, mbështetja e pakontrolluar e “First Lady”-it sikur thuhet sot, ose atëherë kishte për ekuivalencë, znj e sekretarit të parë, dhe kjo nuk ishte pak sepse ishte “kartabiankë” në prapavijë, për “tifozët e çmendur”- sikur thuhej atëherë . Përpos të burgosurve që nuk ju gjet asnjëherë “miku”, të gjithë pa përjashtim, të shtruarit e spitalit, rojet, burrat, pleqtë e gratë do të ishin “ultras”, madje si askund tjetër me “partiturën” dhe nën drejtimin e “dirigjentëve”, Bardhyl Dyrmishi dhe Syrja Begolli do të performonin në një “kor” gjigand  mbështetjen për magjinë  “5 Shtatori”. Ishte një “ole muzikore” në miniaturë mu në  zemër të  sistemit fanatik që karshillohej nga gjithë qyteti amfiteatër. Ka qenë një “simbiozë”  e vështirë, por edhe e çuditshme, e të lejueshmes me të kundërtën por kur kishte futboll edhe  fanatizmi ideologjik, liberalizohej, si të thuash  “kishte liridalje”, ose më açik mund të thuhej që vigjilenca kishte marrë leje për të mos e pasur  “mendjen”. Nuk është ndonjë nostalgji platonike, por është një e vërtetë aq emocionuese sa unë nuk gjej mënyrë ta përcjell, ose këto që shkruaj m’i  kuptojnë vetëm ata që e kane përjetuar. Edhe pse kanë kaluar mbi 25 vite, një organizim i tillë aq spontan, nuk besoj që sot të ekzistojë kund, sado që shoqatat e tifozerive janë të liçensuara, madje edhet të mbështetura financiarisht. Me shumë guxim, duke mos pretenduar se do të pasqyrojmë gjithçka, po nisim një cikël shkrimesh për futbollin e një qyteti  me shpresën se do të kontribuojmë sado pak për një pjesë jo pak interesante të historisë skraparase. Po nisim me një nga dinastitë futbollistike që i ka hedhur themelet dhe e ka ngritur deri në kat të sipërm këtë futboll të qytetit modest sikur Çorovoda.                                                                                                                                  Familja Hasko (Malindi) dhe futbolli në Skrapar janë të lidhura aq sa është i lidhur edhe vete futbolli me Anglinë. Çka dua të them se futbolli në Skrapar ka pothuajse të njëjtën “moshë” me shumatoren e jetës futbollistike të vëllezërve Hasko (Malindi). Vetëm pak vite në fillimet e saj, futbolli nuk ka pasur në prezencë ndonjë nga pinjollët Hasko(Malindi). 4 vëllezër Fatosi, Gëzimi, Dashnori dhe Sokoli do të shkruanin jo vetëm historinë familjare të këtij sporti, por janë edhe një gurë i rëndë në themelet e futbollit të këtij qyteti. Në “sekretet” e tyre familjare ekziston edhe një version ku edhe  më i “epërmi” i tyre Agroni ka qenë pjesë e një tentative, për ta çuar në 5, rekordin e të luajturit, por një penallti e dështuar në një aktivitet vetëm do ta linte në tentativë këtë rekord .                                                                                                                                    Ka qenë  në “modë” që  shoferë dhe futbollistë bëheshin ata që dështonin në mësime. Një tabu që do të tjetërsohej nga intelektualët dhe të gjithëshkolluarit Hasko (Malindi). Kjo do të ishte një risi e edukuar nga kjo familje që aq sa ishte futbollistike aq ishte edhe intelektuale. Më vonë, “moda” do imitonte Haskot, mbasi  pothuaj shumica e futbollistëve të “5 Shtatorit” do të ishin të shkolluar dhe intelektual të zgjuar. Kështu V Bega, R Hajdini, M Nano, F Cërri,A Qafoku,H Çeço, F Guri etj etj përpos se do ishin futbollistë të talentuar, të njëjtin talent do ta demonstronin edhe në dije.                                                                                                                                                     I pari dhe padyshim më i miri i dinastisë por jo vetëm, Fatosi, do ta niste futbollin atëherë kur do ti duheshin ende disa muaj  për të mbushur 16 vjeç. Afërsisht gjysmë shekulli  më parë do të ishte “sebep” një takim i një aktiviteti lokal. Shorti kishte vënë përball Gjimnazin e qytetit me  N. Bujqësore Ushtarake. Talenti minoren i  gjimnazistit krahas paraqitjes ekselente nuk do t’ia kursente edhe futjen e topin për shalës të “deklasuarit” të internuar ‘bujqësoroushtarakut” Gëzim  Kasmi. Bashkë me “kërcënimin” e mos përsëritjes më të këtij veprimi, gjigandi i qendërmbrojtjes tiranase do t’i  jepte verdiktin “fatosit” të vogël  –  “TI VLEN”. Menjëherë do të rreshtohej  në formacionin bazë. Me të njëjtin emocion sikur edhe atëherë, Fatosi tregon se fati do ta caktonte të luante në takimin e parë të jetës tij në një fushë tejet të vështirë sikur ajo e Delvinës. Aty ku tifozët ishin aq afër a thuaj se ishin edhe lojtar – tregon Fatosi. Ka qenë një takim  që duke pasur në krah G Kasmi, N Guri rrjedhimisht edhe fitorja nuk mund të mungonte  0:1, ka fituar 5 Shtatori. Ky  debutim do të ishte  fatndjellës për ekipin sepse krahas kësaj fitoreje në këtë kampionat 1967-68,  “5 Shtatori” do të kishte një  ndër vitet më të suksesshme të tij. Vetëm pak “centimetra” e kanë ndarë arritjen e kategorisë së parë. Jeta futbollistike e Fatosit është një material i tejkaluar i një monografie, ajo ka brenda jetë, ngjarje nga më  interesantet, të bukura, me ankth, tension, emocion  dhe tejet të larmishme. Takimet “derby” me Poliçanin, Përmetin, Ersekën, Memaliajn etj Fatosi i klasifikon tek ato të pakompromis, tejet të luftuara dhe me plot ndershmëri grintore. Në gjatësinë e kësaj “mbijete” kanë bukurinë e tyre edhe vendimet “trukuese të trojkës” F Hasko, R Idërshaj, M Bregu., të cilat mbas “samitit” festoheshin as më shumë  e as më pak me ndonjë gotë rakie në respekt të celebrimit me sukses të marrëveshjes bilaterale. Me shumë nostalgji Fatosi  tregon  – “Ka pasur shumë ekipe që kemi pasur marrëdhënie të mira, e tillë ishte edhe ajo me Beslidhjen. Mbaj mend njëherë, që barazimi ishte e mesme e artë për të dy ekipet .Edhe pse ata ishin në vend të parë dhe kishin kualitete të dëgjuara si N Lorenci ,Hasku, Rama, Bici, Shaba, etj etj për hir të së vërtetës, na e dinin forcën, prandaj me shumë dorë në zemër na kërkuan këtë lëshim. Bashkë me “grupin”, pa i thënë Helmut Shenit (sikurse i thoshim trajnerit Muharrem Baze), menduam ti “ndihmojmë” deri në barazim, por njëherazi po kaq ndihmonim veten se nëse humbnim…. , na priste një kategori më poshtë, kështu që gjithçka mund të ndodhte. Më kujtohet si tani ai takim ku  edhe zoti nuk e donte këtë barazim. Po shkonte  90’ dhe ishim në humbje 0 :1, jo se lezhjanët  na “tradhëtuan” por ashtu pa u ndier shkoi fundi i lojës. Tensioni nuk kapi vetëm tifozerinë, po pse jo edhe ne “negociatorët”. Gjithsesi  ata e mbajtën fjalën dhe në limitet e lojës në shtesë zbatojmë  “planin B”. Unë futem në zonë, një ndërhyrje  e parregullt dhe…,  penallti. Gjithçka ok, mirëpo për penalltinë na vuri veton P Kuçi, që nuk ishte pjesë e “lojës”. Edhe pse portieri mik qëndroi “statik”, sërishmi topi godet shtyllën dhe del jashtë. Ishim në ankth dhe tension sa nuk bëhej më, çdo sekondë na drejtonte  nga kategoria e III. Ka qenë një nga ato rastet kur edhe pse të gjithë “kontribuonim” të bëhej gol apo autogol sërishmi topi nuk futej në rrjetë edhe pse lezhianët e hapën pothuajse portën fare. Në këto kushte gjyqtari vetiu u bë pjesë e “lojës” dhe e shtyu deri sa barazuam diku nga minuta e 98”. Me gradën e kapitenit, takimi Apolonia – 5 shtatori i vitit 1980 do të shënonte edhe lamtumirën e futbollit të luajtur për Fatosin duke ja  dorëzuar fanellën një tjetër talenti sikur F Cërri.

Jashtë konfliktit :

Gëzimi për Fatosin – E kam të vështirë, por jashtë modestisë ka qenë një “pedagog” i mirë jo vetëm për mua, një inkurajues i jashtëzakonshëm për ne që debutonim në fillim. Mbaj mend, atëherë isha student, viti 1977, fituam 1:3  në fushën e vështirë të Burrelit(31 Korrikut). Të ishe “trim” në Burrel ishte e vështirë. Diku nga fundi, Fatosi me një sparkatë të ashpër hedh ne pistë një futbollist vendas. Irritimi  nuk kishte kufi, por gjeti edhe shkak për të shpërthyer, as karton i  kuq nuk i kënaqte . U krijua një situatë e vështirë. Fatosi me shumë qetësi , “pranon” ndëshkimin dhe për t’ju treguar tifozerisë se kjo është vetëm një lojë, u drejtohet duke u thënë – A mundet kush  të më jepi një cigare. Kjo solli një “ndërthurje” të irritimit me qetësinë. Ka qenë një veprim që në Burrel u përfol sikur skraparllinjtë  na rrahën edhe me top edhe me ironi.

Golashënuesi më i mirë i kampionatit të kat II, 1980 .  H Çeço për Gëzimin  Vërtet unë dola golashënuesi më i mire(23 gola) , por të kishe pykë (qendërsulmues) një  futbollist si Gëzimi,  cilido sulmues do të ishte i  tillë . Ka qenë një altruist përtej normales, sakrifikonte për ekipin tej egoizmit,  ta dhuronte rastin vetëm të  zgjatje  këmbën për të shënuar.

I dyti, por në balotazh  milimetrik me Fatosin, Gëzimi do të përbënte një përforcim  të “rënë”  nga qielli  për “pesështatorasit” që tashmë  kishin filluar të bëheshin faktor në kategorinë e II . Edhe Gëzimi do ta kishte fillimin porsi një “fatos” i mbarë teksa, mbasi do të shkëlqente  që në debutimin e parë zyrtar. Ka qenë Kuçova ajo që do të shpaloste talentin e  qendërsulmuesit potent, por edhe të pinjollit tjetër, Dashnorit tejet minor. Viti i largët i 1968 i Spartakiadës Kombëtare do të kishte dy “Gëzima” në një ditë, atë  të pasurimit të  “5 Shtatorit” të të rinjve më e dy prurje potenciale, por edhe gëzimin e Gëzimit të shënimit të golit të parë zyrtar. Në këtë aktivitet ka qenë një episod shumë  interesant, teksa  një “konflikt” brenda familjes do të bënte që më i madhi dhe më i “forti”, Gëzimi,  do t’i rrëmbente gjuajtjen  e një penalltie të dhënë në favor të “5 Shtatorit”. Parimi se peshku i madh që e ha të voglin ka gjetur zbatim perfekt edhe pse trajneri  bërtiste që penalltinë ta gjuante ai që ishte specialist i tyre Dashi, sërishmi Gëzimi ka vendosur veton duke e gjuajtur dhe me  sukses. Ky event do të shënonte edhe debutimin e parë zyrtarë të dy “Malindëve” të mesëm. Ndërkohë ecuria e aktivizimit dhe sukseseve të tyre do të vazhdonin edhe më tej por padyshim Gëzimi do të linte më shumë gjurmë. Takimi i parë me të rinjtë shënon atë të vitit i I-rë gjimnaz, kur në ndeshjen  “5 Shtatori”  – “Erzeni” 2: 1, të dy golat do të mbanin firmën e talentit në pritshmëri Gëzimit. Me plot sukses, Gëzimi do të vazhdonte të ishte “prima” për të rinjtë deri  në vitin e III gjimnaz, atëherë kur  do t’u jepte lamtumirën bashkëmoshatarëve të tij për t’u bërë pjesë e “5 Shtatorit” të madh, madje edhe për këtë ka qenë një episode interesant sepse ka qenë doktori i mirënjohur Profit Cani që e ka “detyruar” që në këmbim të mjekimit të dorës së thyer të pranonte kalimin  në ekipin e parë .

Fillimi i fakultetit do ta shkëpuste  nga futbolli i luajtur zyrtar, por  inxhinieri topograf asnjëherë nuk do qëndronte larg tij. Aktivizimi në fakultet ka qenë më shumë se një paraqitje e një futbollisti student, madje në vit të tretë ai do të bëhej pjesë e ekipit të “5 Shtatorit”,  ku do të luante  part-time, vetëm për ndeshjet. Por në episode mbresëlënëse për Gëzimin, mbetet  ndeshja “Shkëndija” – “5 Shtatori” 0:1, atëherë  ish-studenti  i Inxh. Ndërtimit, G Hasko, që ishte  pjesë e ekipit të “5 Shtatorit” do të karshillonte bashkëmoshatarët  e tij jo vetëm me paraqitjen por edhe me shënimin e golit të fitores. Ka qenë një paraqitje e shkëlqyer e Gëzimit, sa ka befasuar edhe trajnerin  e Shkëndisë, të mirënjohurin Sh. Rreli. Ka qenë ajo Shkëndi e vitit 1976 që ka pasur kualitete si  Maliqati, Hodja, Canaj, Faqekuqi, Mile etj dhe që vetëm mbas një viti do të bëhej inkubator i  furnizimit të ekipeve elitare sikur Partizanit, 17 Nënorit, Dinamo etj etj. Mbarimi i fakultetit do ta kthente në “bazë”, në qendër të sulmit të “5 Shtatorit”, por tashmë të veshur edhe me mantelin e topografit. Ishin vitet e arta të “5shtatorit”, atëherë kur “atdheu” thërriti bijtë e tij anembanë vendit. Ishte një “kushtrim” që me një të thërritur mblodhi në një superekip golashënuesin më të mirë të kat. II-të sikur  H Çeço, A Hysi, F Guri, V Bega etj etj dhe këta i priste një kontigjent po kaq cilësor sa edhe “legjionarët” e kthyer. Askush nuk mund ta ketë harruar atë kur,  për një veprim të bukur të Gëzimit, një tifoz në habi thotë- “Çfarë tekniku ky 10!” Tifozi bashkëbisedues e korrigjon dhe me ndershmëri naïve i thotë- “Nuk është teknik ai, por është inxhinier”. Por në jetën e  futbollit të dinastisë është e shënuar edhe një koinçidencë interesante. Të dy  “bigët” Fatosi dhe Gëzimi e kanë lënë futbolli në të njëjtin vit kalendarik futbolli dhe me të njëjtin ekip. Takimet “Apolonia” – “5 Shtatori” 1980 në Fier dhe në fazën e dytë “5 Shtatori” – “Apollonia”, në Çorrovodë, ishin takime të lamtumirës për dy Malindët e parë. Padyshim Gëzimi e ka lënë në kulmin e formës së tij, në moshën 27 vjeçare  por emërimi pedagog në fakultetin e Inxh. Ndërtimit nuk do ta lejonte më tutje aktivizimin qoftë edhe me shkëputje.                                                                                                                                Dashnori                                                                                                                                                  Ashtu sikur koinçidenca e  “varjes” së këpucëve me të njëjtin ekip i dy vëllezërve më të mëdhenj, edhe në rastin e Dashnorit  ka qenë e njëjta ditë  dhe ndeshje për fillimin e karrierës, së bashku me Gëzimin në Kuçovë. Dashnori ka qenë një futbollist organizator i talentuar por që e ka zhvilluar aktivitetin sportiv deri në nivelin e  të rinjtë të “5 Shtatorit”, dhe ka pasur pak aktivizime me ekipin e të rriturve, por ka qenë i aktivizuar edhe me spartakiadat e fakultetit ku ka kryer studimet. Emërimi në fronte, që nuk ja mundësonte frekuentimin në stërvitje do ta ndante nga futbolli edhe pse saktësia në gjuajtje dhe intuita organizative e lojës ishin vlera pozitive. Njëherazi, së bashku Fatosi, Gëzimi dhe Dashnori kanë luajtur disa herë.                                                                                                                                                 Sokoli                                                                                                                                                       Sokoli, më i vogli i dinastisë,  i dilte për “detyrë” që jo vetëm të ruante të pastër “racën” si në paraqitjen futbollistike, por edhe në atë të arsimimit. Ka  bërë një paraqitje të shkëlqyer me të rinjtë e “5 Shtatorit”. Ka qenë një periudhë 1984-1988 kur si rrallë herë, kualiteti dhe pretendimi i minorëve “pesështatoras” ka pasur atë konkurrencë dhe nivel. Futbollistë që rivalizonin  në ndeshjet e kontrollit ekipin e të rriturve me shumë dinjitet dhe  siguri. Pse jo, kontigjenti i të rinjve pa asnjë diferencë,  përbënte një ekip të dytë të rriturish. Dhe në të tillë konkurrencë, Sokoli ka qenë një futbollist i formacionit bazë dhe nëse nuk e teprojmë, në miniaturë një mbrojtës  i tipit “alla Brigel”. Fillimi i studimeve do ta shkëpuste nga futbolli i luajtur zyrtar.

Ilir J Hoxha