Vasil Shkurtaj: Golat që shënova me Teutën, pjesë të Luftëtarit për Evropën

14
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”sulmuesi i Luftëtarit, shënoi dy gola në fitoren me Teutën
Duke e parë tabelën e renditjes, ne kemi hyrë në grupin e skuadrave që do të përbëjnë atë grup që zakonisht quhet, “Mesi i Artë” i tabelës. Por, duke qenë edhe 17 javë të tjera në Kampionat, duhet kujdes që të mos na shpëtojnë fitoret në vazhdimësi
Pas gjashtë muajsh pritje, si e shikon debutimin zyrtar me Luftëtarin?
E kam pritur me shumë emocion të luaja, sepse për gjashtë muaj vetëm jam stërvitur. Kam bërë shumë stërvitje të fortë, dhe pas ardhjes së Hasan Likës si trajner, kam pasur më shumë dëshirë të isha në lojë me skuadrën, pasi e shoh si një trajner evropian.

Duke e parë kështu, sa ju ndihmojnë kërkesat e tij gjatë procesit stërvitor?
Çdo trajner besoj se do të bëjë më të mirën e tij, si gjatë stërvitjes, ashtu edhe në ndeshje. Normale që kërkesat e tij na ndihmojnë shumë, dhe unë shikoj një vazhdimësi pozitive te skuadra, që nga bankina edhe me përbërjen cilësore që ka.

Zyrtarisht keni luajtur tre ndeshje, si të është dukur niveli i Superiores në Shqipëri?
Unë e kam njohur edhe më parë futbollin shqiptar, edhe pse kisha kohë pa ardhur këtu në Shqipëri. Ka një nivel shumë të mirë, nuk mund të them se ka ndonjë diferencë të madhe me Evropën. Këtu te Luftëtari, thuajse në të gjithë treguesit, duket një klub me standarde si në Evropë.

Në dy ndeshje të Kampionatit shënuat dopietë me Teutën, janë këto gola si një shpërthim pas pritjes suaj?
Unë kam qenë pjesë e Luftëtarit që nga vera e vitit të kaluar, por nuk kam luajtur vetëm në ndeshjet zyrtare, sepse në të gjitha miqësoret kam qenë prezent. Dygolëshi me Teutën është pjesë e punës e të gjithë skuadrës, por realisht i kërkoja për t’i shërbyer skuadrës.

Për ju, çfarë ndjesie kanë këto dy gola në këtë ndeshje?
Natyrisht që është e vështirë të mos luash për 6 muaj. Gjatë kësaj periudhe, unë unë ua shpreha më sipër, që jam stërvitur fort, ndaj mendoj se tashmë jam në formë të mirë. Ndjehem shumë i lumtur që shënova dy golat, që po e përsëris, i kam kërkuar për t’i shërbyer skuadrës.

Dy golat tuaj ishin vendimtarë, pasi atë të fitores jua dhuruan me autogol durrsakët, e quani këtë një fitore mbijetese?
Duke e parë tabelën e renditjes, ne kemi hyrë në grupin e skuadrave që do të përbëjnë atë grup që zakonisht quhet “Mesi i Artë” i tabelës. Por, duke qenë edhe 17 javë të tjera në Kampionat, duhet kujdes që të mos na shpëtojnë fitoret në vazhdimësi, sepse të gjitha skuadrat tashmë do të jenë të fokusuara tek fitoret.

Së bashku me ju, te Luftëtari luajnë edhe dy lojtarët më të kërkuar të Superiores, Abazaj e Bregu, si ndjeheni kur luani së bashku me ta?
Të dy janë shumë lojtarë të mirë, dhe në lojë ata më ndihmojnë shumë. Por e veçanta është se Luftëtari luan mirë në grup, dhe duke i bashkuar këta vlerat e tyre me skuadrën, Luftëtari bëhet edhe më konkret për potencialet që ka. Ndaj them se ne e synojmë zonën e Evropës, dhe për këtë do të përpiqemi të gjithë që ta arrijmë.

Në mesjavë luani ndeshjen e dytë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, do të kërkoni përmbysje me Laçin në Gjirokastër?
Ndoshta përmbysja e rezultatit 0-3 do të jetë e vështirë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur të arrihet, kur ajo synohet. Fitorja nuk diskutohet, dhe mes saj do të mundohemi të gjejmë edhe përmbysjen, që gjithsesi, mbetet e vështirë.

Te Luftëtari, do të ndjekësh rrugën Abazajt dhe Bregut për t’u larguar apo do të qëndrosh këtu në Gjirokastër?
Tani jemi në pikun e sezonit, dhe nuk mund të thuash se mendoj për veten, sepse në plan të parë është skuadra. Ndaj për momentin dua vetëm të ndihmoj Luftëtarin që të arrijë objektivat në Kampionat.
KATEGORIA SUPERIORE
Rezultatet-Java e 19-të
Të premten, 9 shkurt 2018 
Skënderbeu-Flamurtar1-0
Të shtunën, 10 shkurt 2018 
Kukësi-Kamza 0-1
Lushnja-Vllaznia 0-2
Teuta-Luftëtari 2-3
Partizani-Laçi 0-0

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 19 43
2. Flamurtari 19 32
3. Kukësi 19 29
4. Kamza 19 29
5. Laçi 19 29
6. Partizani 19 28
7. Luftëtari 19 26
8. Vllaznia 19 18
9. Teuta 19 17
10. Lushnja 19 10