Vasil Bici: “Grup i vështirë, këshillat e mia për De Biazin”

612
Sigal

Specialisti: “Kemi bërë ndeshje të mëdha ndaj ekipeve të forta. Ndaj Serbisë, jo luftë”

Ish-trajneri i mirënjohur Vasil Bici, i cili më parë ka qenë ndihmës i Medin Zhegës në ekipin Kombëtar, tha për gazetën “Telegraf” se shorti i eliminatoreve të Kampionatit Europian “Francë 2016” i rezervoi Shqipërisë një grup tepër të vështirë, me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë e Armeninë, që nga specialistët u konsiderua si “grupi i ferrit”. Specialisti i njohur oli edhe sfidat e nxehta me Serbinë, duke theksuar faktin se bëhet fjalë për ndeshje futbolli, dhe për një luftë, pavarësisht pohimeve të trajnerit të Serbisë, Ljubinko Druloviç, i cili tha për mediat e vendit të tij se, në Shqipëri i priste “ferri”. “Mendoj se, ndeshjet me Serbinë, si në Beograd ashtu dhe në Elbasan, duhet t’i konsiderojmë si ndeshje të eliminatoreve të Kampionatit Europian, dhe aspak si një “luftë” midis dy vendeve. Është thjesht një eveniment futbollistik dhe futbolli gjithmonë është simboli i paqes”- tha Bici. Ai i sugjeroi edhe disa këshilla trajnerit De Biazi, në lidhje me përgatitjet dhe se ku duhet të fokusohet ai.

 – Zoti Bici, Kombëtarja jonë njohu kundërshtarët e saj në shortin e eliminatoreve të Kampionatit Europian “Francë 2016”. Si do ta vlerësonit?

– Ishte me të vërtetë një short i vështirë, çka e pranuan edhe drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. Mendoj se, nuk kishte ku të shkonte më keq për ne. Të gjitha skuadrat e grupit tonë, Portugalia, Danimarka, Serbia dhe Armenia janë të forta. Për më tepër, që në jemi në një grup me pesë skuadra, ndryshe nga të tjerat që janë me gjashtë ekipe, çka e na vështirëson më shumë punën.

– Kombëtarja jonë bëri një edicion me dy fytyra në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, pavarësisht se të gjithë e pranojnë se kemi një skuadër më të mirë. Cili është opinioni juaj?

– Si një specialist i mirëfilltë futbolli, unë mendoj se Kombëtarja jonë është rritur, ka më shumë personalitet si skuadër. Dua ta theksoj faktin se, asnjë nga katër skuadrat kundërshtare nuk do ta ketë të lehtë në vendin tonë, nuk ka rëndësi nëse do të luhet në Tiranë apo në Elbasan. Dhe këtë e kemi treguar. Personalisht, i uroj trajnerit De Biazi dhe Kombëtares sonë, një fillim sa më të mbarë.

– Shqipëria ka luajtur më parë me Portugalinë, Danimarkën dhe Armeninë. Çfarë rezultatesh mund të presim?

– Së pari, jam i mendimit për të mos i parë si “mollë të ndaluara” fitoret me rivalët. Ne kemi barazuar me Portugalinë (0-0) në vendin e saj, teksa në Tiranë kemi humbur në minutat e fundit (1-2). Edhe me Danimarkën kemi barazuar (1-1) në Shqipëri. Tashmë jemi mësuar të luajmë me ekipe të forta, si me Anglinë, Gjermaninë, Francën, dhe kemi luajtur të barabartë. Dua të kujtoj se, kemi mundur Rusinë në Shkodër (3-1) dhe kombëtarja e Serbisë nuk është aspak më e mirë se ajo ruse.

– Një nga duelet më interesante, por dhe më të shumëpritura është ai me Serbinë, kjo dhe për shkak të historisë së marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Çfarë mund të presim nga këto përballje?

– Mendoj se, ndeshjet me Serbinë, si në Beograd ashtu dhe në Elbasan, duhet t’i konsiderojmë si ndeshje të eliminatoreve të Kampionatit Europian, dhe aspak si një “luftë” midis dy vendeve. Është thjesht një eveniment futbollistik dhe futbolli gjithmonë është simboli i paqes. Trajneri serb e konsideronte ndeshjen në Shqipëri si “ndeshje ferri”, por unë mendoj se, nuk ka të drejtë ta cilësojë më këto terma. Besoj se, ndeshja në Shqipëri do të luhet me një “fair-play” të jashtëzakonshëm, pasi ajo është karakteristikë e vendit tonë.

– Çfarë do ta bënte Kombëtaren një skuadër të denjë për ndeshje të mëdha?

– Ne duhet t’i bëjmë hyzmetin punës në skuadër, duhet të përgatitemi shumë seriozisht, por të synojmë edhe prurje të reja cilësore. Duhet të japim maksimumin në katër ndeshjet që do të luajmë në Shqipëri dhe të synojmë të marrim maksimumin e pikëve.

Bilanci me kundërshtarët

Ekipi                   N    F     B    H

Portugalia           5     0     1     4

Danimarka          8     1     1     6

Jugosllavia* 5     0     1     4

Armenia              3     1     1     1

* Serbia

RENDITJET

NË FIFA

4     Portugalia    1219

20   Danimarka   907

29   Serbia    775

30   Armenia       771

55   Shqipëria     571

NE UEFA

2     Portugalia    1219

14   Danimarka   907

18   Serbia    775

19   Armenia       771

30   Shqipëria     571

Ish-trajneri: “Skënderbeu është shumë i shkëputur. Kush gabon në fushën e tij rrezikon shumë”

 “Titulli çështje e mbyllur, lufta për vendin e dytë”

 Skënderbeu kryeson me +10 pikë Kategorinë Superiore, ndaj dy rivalëve më të afërt, Laçi e Partizani, që ndajnë vendet 2-3 në kuotën e 31 pikëve. Korçarët, kampionë në fuqi, duken të sigurt drejt titullit të katërt rresht dhe të pestin në historinë e klubit (përfshirë dhe atë të vitit 1933), edhe pse nga përfundimi i kampionatit kanë mbetur edhe 13 javë për t’u luajtur. “Matematikisht, Skënderbeu ende nuk e ka siguruar titullin kampion, kështu që lufta mbetet e hapur, – tha ish-trajneri Bici.  – Por, skuadra është ndërtuar prej katër sezonesh për të qenë lider në kampionatin tonë. Është një klub i kompletuar dhe model në vendin tonë. Vetëm ndonjë që nuk e njeh futbollin mund të dyshojë tek titulli për Skënderbeun. Mendoj se ka të paktën 90% shanse që, korçarët ta marrin titullin”. Në fakt, me diferencën e krijuar lufta tani bëhet për vendin e dytë dhe zonën e Europës, ku luftojnë katër ekipe: Laçi, Partizani, Besa e Teuta. “Po, është e vërtetë, por unë do të shtoja se, ajo skuadër që do ta gabojë në fushën e vet, do të rrezikojë jo pak, por dhe rënien nga kategoria, pasi skuadrat janë të ngjeshura në renditje dhe gjithçka mund të ndodhë. Kujtoj këtu, humbjet e Bylisit në Ballsh në Tiranë dhe Lushnjë, kështu që duhet gjithçka mund të ndodhë, duke mos harruar këtu edhe zgjimin e Tiranës me tri fitore rresht”.

 Serbi Ivanoviç: “Jemi më të fortë se Shqipëria!”

 Kapiteni i Serbisë, mbrojtësi Branislav Ivanoviç, tha se Kombëtarja e vendit të tij është më i fortë se Shqipëria. Sipas lojtarit të gjigantit anglez, Çelsit, ndeshja ndaj kuqezinjve tanë nuk do të ngjallë asnjë debat politik. “Që të jem plotësisht i sinqertë, unë nuk e shikoj aspak në këtë aspekt. Nuk duhet t’i shikojmë këto dy sfida përtej kuadrit futbollistik. Mendoj se, shqiptarët kanë më shumë presion se ne, sepse Serbia ka një kombëtare më cilësore. Gjithsesi, unë dua të mendoj për kualifikimin, sepse në ‘Euro 2016’ do të shkojmë vetëm nëse shfaqemi më mirë se Danimarka, Armenia dhe Shqipëria”, – tha 30-vjeçari Ivanoviç, i cili ka lindur në pjesën serbe të Mitrovicës, në kohën kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë. Sekretari i Federatës Serbe të Futbollit, Zoran Lakoviç, tha për radion serbe “B92”: “E dimë që do të jenë dy ndeshje tepër të rrezikshme sa i përket atmosferës, por besoj se me eksperiencën e akumuluar gjatë këtyre viteve, do të dimë se si të përgatisim këto sfida, duke u takuar edhe me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, që do të na japin udhëzimet e duhura. Kemi marrë informacion se s’do të zhvillohet në kryeqytet ndeshja dhe besojmë se kjo është gjë e mirë, por një tjetër gjë pozitive mund të jetë grumbullimi jashtë qytetit kryesor, pra që të mos ketë probleme. Ne kemi zhvilluar disa ndeshje me Kroacinë, ku pak a shumë është e njëjta situatë, ndaj e dimë se çfarë na pret dhe se si duhet të përballemi”, u shpreh drejtuesi i FFS-së

KALENDARI I SHQIPËRISË

7 shtator 2014 (20.45)

Portugali–Shqipëri

11 tetor 2014 (20.45)

Shqipëri–Danimarkë

14 tetor 2014 (20:45)

Serbi–Shqipëri

29 mars 2015 (18.00)

Shqipëri–Armeni

4 shtator 2015 (20:45)

Danimarkë–Shqipëri

7 shtator 2015 (20.45)

Portugali–Shqipëri

8 tetor 2015 (20.45)

Shqipëri–Serbi

11 tetor 2015 (18.00)

Armeni–Shqipëri

Miqësoret e 5 marsit

 PORTUGALIA

Portugalia do të luajë kundër Kamerunit. Ndeshja do të zhvillohet në Leira. Midis tyre ka vetëm një precedent (miqësore), pikërisht takimi  1 qershorit të vitit 2010 në Kovilha, kur Portugalia fitoi 3-1. Kameruni e mbylli takimin me dhjetë lojtarë. Golat: Nani, Meireles (2).

 DANIMARKA

Danimarka do të luajë një miqësore luksi me Anglinë në “Uembli”. Dy ekipet janë ndeshur midis tyre 21 herë. Danimarka ka arritur vetëm katër fitore (5-3, 1948; 1-0, 1983; 3-2, 2003 dhe 4-1, 2005), ndërkohë që dy ndeshje janë mbyllur në barazim 0-0. 15 fitore të Anglisë.

 SERBIA

Serbia do të luajë një miqësore me Irlandën, të programuar për t’u zhvilluar në Dublin. Gjashtë ndeshje janë në bilancin e këtyre dy skuadrave, katër janë nën emrin e Jugosllavisë dhe dy me emrin e Serbisë. Dy fitore Jugosllavia/Serbia dhe po aq Irlanda. Dy barazime.

 SHQIPËRIA

Kombëtarja jonë do të luajë kundër Maltës, takim i programuar për t’u zhvilluar në “Niko Sovana” të Durrësit. Kjo do të jetë hera e tetë që do të luajmë kundër maltezëve. Në shtatë takimet e para kemi arritur 4 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje (golaverazhi 12-3).

 ARMENIA

Armenia do të luajë kundër Rusisë. Takimi do të luhet në Jerevan (15.00). Ky do të jetë takimi i pestë midis këtyre dy vendeve. Në vitin 1999, Rusia fitoi 3-0 dhe 2-0, ndërsa në vitin 2011, ndeshja në Jerevan u mbyll 0-0, ndërkohë që Rusia fitoi 3-1 në Sën Petersburg.