Uliks Kotrri: “Shqipëria duhet të ndjekë modelin slloven të futbollit”

906
Sigal

Ish-futbollisti i Vllaznisë zbulon për “Telegraf” se, përse Mali i Zi është më përpara se ne

Ish-lojtari i Vllaznisë, Uliks Kotrri, sot agjent i FIFA-s dhe një njohës i mirë i futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, tha për “Telegraf”, se Shqipëria e futbollit duhet të ndjekë modelin e Sllovenisë, me zhvillim të akademisë së moshave, rroga të pakta për lojtarët dhe përfitime nga shitjet. Kotrri, i cili ka luajtur në Austri (Klagenfurt), Gjermani (Energi Kotbus), Ukrainë (Tavria Simferopol), madje deri në Zelandën e Re (Otago Junaitid), tha se edhe një shtet i vogël i Mali i Zi, me një popullsi sa Tirana, ka futboll më cilësor dhe se klubet janë plotësisht profesioniste.

 – Kotrri, karriera juaj futbollistike është ndarë midis Vllaznisë dhe katër klubeve të huaja. Cilat janë hapat e para tuaja në botën e futbollit?

 – Padyshim që, lidhen me Shkodrën dhe Vllazninë. Atje u rrita dhe u zhvillova si futbollist. Kam luajtur me ekipin e parë, rreth moshës 19-vjeçare, ndërsa më pas u transferova në Austri, te Klagenfurti, i cili është dhe ekipi im i parë i huaj. Me Vllazninë kam fituar kampionatin në vitin 2000-2001 dhe kam fituar Kupën e Shqipërisë. Rruga ime futbollistike vazhdoi me Gjermaninë, te Energi Kotbusi, për të kaluar më pas në Ukrainë dhe Zelandën e re. Pas kthimit nga Zelanda e Re luajta sërish me Vllazninë, për t’i varur përfundimisht “këpucët në gozhdë”.

 – Klagenfurti vlerësohet si një nga ekipet e mira në Austri. Si mbërritët atje?

 – Roland Luçi, një nga ish-sulmuesit më të njohur të Vllaznisë së para viteve 1990, kishte njohje me drejtuesit e Klagenfurtit, duke më rekomanduar te trajneri i ekipit. Mbërrita atje në sezonin 1995-1996. Sigurisht, pas një testimi njëmujor arrita t’i bind. Isha në fillimet e mia si futbollist, por arrita të nënshkruaj me Klagenfurtit. Pas dy javësh atje mbërriti edhe sulmuesi Edi Martini. Kemi luajtur bashkë në një ekip.

 – Energi Kotbusi në Gjermani është një ekip i mësuar me lojtarët shqiptarë…

 – Unë pata fati të jem lojtari i parë shqiptar, luajta në sezonin 1997-1998. Më vonë erdhi Rudi Vata (1998-2001) dhe Ervin Skela (2007-2009). Kam pasur këmbën e mbarë mesa duket. Shpresoj që, të afrohen edhe lojtarë të tjerë shqiptarë te Energi Kotbusi.

 – Sa ndikoi te ju eksperienca në Ukrainë me Tavria Simferpol?

 – Sigurisht. Gjithsesi, në përgjithësi mentaliteti futbollistik në Ukrainë ndryshon shumë nga ai perëndimor, duke u nisur qysh nga regjimi që ata ndjekin ndaj lojtarëve: stërvitje dhe gjumë. Për lojtarët e rinj që duan një eksperiencë ndërkombëtare është një opsion i mirë. Ana financiare është shumë e mirë në Ukrainë, por nuk mund të kem një gjykim për anën profesionale. Nuk mund e di sa mund të rritesh atje. Bota e zhvillon futbollin përmes mëndjes dhe dijes, në Ukrainë e zhvillojnë përmes lekut. Në Ukrainë kanë luajtur dhe po vazhdojnë të luajnë disa lojtarë shqiptarë, përfshirë dhe shkodranë, si Elvin Beqiri. Në Ukrainë shkojnë futbollistë nga vendet e varfra, apo dhe Ballkani.

 – Kotrri, ju jeni i vetmi shqiptar që keni luajtur në Zelandën e Re, me Otago Junaitid (2004-2006), një vend shumë i largët nga Shqipëria. Si ndodhi që mbërritët atje?

 – Për të shkuar në Zelandën e Re shfrytëzova njohjen personale me trajnerin-lojtar të Otago Junaitid, Terri Filan, një ish-lojtar i Kombëtares së Irlandës, i Çelsit dhe Mançester Sitit. Ai më bëri ftesën, të cilën e pranova me kënaqësi. Atje luante edhe

një portier gjerman Lutc Fanenshtihl, i cili më vonë erdhi te Vllaznia, ndërsa tani është skaut i Ofenhajmit. Zelanda e Re është një nga vendet më të bukura në botë. Mbizotëron qetësia. Futbolli ishte tipik anglez, kjo dhe për shkak se janë racë angleze.

 – Vllaznia është një nga ekipet shqiptare që eksporton më shumë lojtarë, majde mund t’i gjesh kudo.

 – Vllaznia ka pasur një strategji të qartë në lidhje me ekipet e moshave, gjë që pak ndodh me klubet e tjera. Vllaznia i ka kampione skuadrat e moshave për disa vite. Shkodra është një qytet që prodhon dhe do të prodhojë gjithmonë futbollistë, pasi futbolli është një fe atje. Qyteti është i fiksuar pas futbollit.

 – Aktualisht, janë pesë lojtarë shkodranë që luajnë jashtë: Hamdi Salihi në Kinë, pas aventurës në Shtetet e Bashkuara; Admir Teli, prej disa vitesh në Azerbajxhan; Armando Vajushi luan me Liteksin në Bullgari; Bekim Balaj me Spartën e Pragës në Çeki dhe Xhevahir Sukaj me Sepahanin në Iran. Cili është vlerësimi juaj, kjo e parë dhe nga këndvështrimi i një agjenti të FIFA-s?

 – Hamdi Salihi po bën me të vërtetë një paraqitje shumë të mirë në Kinë, madje ka shënuar tre gola në tri ndeshjet e para të tij, përfshirë dhe në Ligën e Kampioneve të Azisë dhe gol në fitimin e Superkupës së Kinës. Jam në kontakte të vazhdueshme më atë. Salihi është lindur për golin. Edhe Vioresin Sinani i tillë ka qenë. Xhevair Sukaj po tregohet një talent shumë i madh, dhe po ashtu Vajushi dhe Balaj nuk kanë nevojë për komente. Sukaj ka gjetur veten në Iran, pas eksperiencave të tij në Turqi, Egjipt dhe Kroaci. Irani ka një kampionat të fortë, dhe për më tepër kanë kushte të mira financiare.

 – Balaj po bën një sezon të mirë në Çeki, një kampionat pak i njohur për ne…

 – Çekia ka një kampionat cilësor dhe mund të krahasohet deri diku me atë holandez. Madje, Sparta e Pragës eliminoi pikërisht Fejenordin në Ligën e Europës, përpara të ajo të ndalej nga Çelsi. Tani janë kthyer në Çeki disa lojtarë të kalibri europian, si Barosh apo Jarolin dhe kampionati është më prestigjioz. Vajushi bëri një lëvizje të mirë me Liteksin, një nga ekipet me emër dhe që i ka dhënë tonin futbollit bullgar.

 – Shqipëria ka 45 agjentë të FIFA-s, pavarësisht se ka një treg të vogël në lëvizje. Madje lëmë pas shumë shtete ballkanike për nga numri që kemi. Si e vlerëson rolin e një menaxheri?

 – Sigurisht, që 45 agjentë të FIFA-s, për një vend si Shqipëria është një numër shumë i madh, por jo të gjithë ia dalin të kryejnë transferime. Këtë numër mund ta konsideroja edhe si formal. Ne jemi një nga vendet më futbollin më të varfër në Europë, përsa i përket cilësisë. Boll të bëjmë një krahasim me Malin e Zi, që ka më pak banorë sesa Tirana. Lojtarët e tyre luajnë në shumë klube të mëdha europiane.

 – Ju jeni një njohës i mirë i futbollit malazez. Cili është raporti me atë shqiptar?

 – Përsa i përket cilësisë se klubeve, ndryshimi nuk është shumë i madh, por ajo që mund të them është se klubet malazeze janë tërësisht profesioniste. Kanë një kulturë dhe traditë më të madhe, edhe kur kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Vazhdojnë të nxjerrin emra të mëdhenj. Kanë një strukturë të qartë organizimi dhe pune. Mali i Zi është shumë lart. Ka trajnerë që punojnë në Europë dhe ata i ndihmojnë shumë lojtarët malazezë.

– Si e gjykon kampionatin shqiptar?

 – Sigurisht, që rivaliteti ekziston. Ka shumë lojtarë të mirëpaguar, ashtu sikundër ka disa që nuk i meritojnë shumat. Për mendimin tim, duhet të krijojmë një strukturë si në Slloveni, ku lojtarët nuk paguhen shumë, ndërkohë që klubet përfitojnë shuma të konsiderueshme nga shitja e tyre. Nuk mund të vazhdohet më, me presidentë që vetëm japin lekë dhe s’përfitojnë asgjë. Kjo është një rrugëzgjidhje afatshkurtër, s’mund të vazhdohet më kështu. Pasi, klubet varen sesa para ka në xhep filan president. Po, nëse ai vendos të tërhiqet për arsye të ndryshme? Askush s’mund ta parashikojë.

  EKIPET E MOSHAVE

Kombëtaret e moshave po afrojnë shumë lojtarë që luajnë në Europë. “Me ekipet e moshave po bëhet një punë shumë e mirë. Kam parë disa ndeshje të tyre dhe po thirren me të vërtetë lojtarë të talentuar. Ka disa arritje me U-17 dhe U-19. Po sjellin një mentalitet profesionist”, – tha Kotrri.

  Shkodranët me “valixhe në dorë”

 Janë disa lojtarë shkodranë që luajnë apo që kanë luajtur jashtë vendit. Kështu, mbrojtësi Admir Teli luan në Azerbajxhan me FK Karabak teksa më parë ka luajtur në Turqi, me Haçetepespor. Sulmuesi Hamdi Salihi luan në Kinë, ndërkohë që më parë ka luajtur në Greqi (Panionos), Austri (SV Ried, Rapid i Vjenës) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (D.S. Junaitid). Sulmuesi tjetër, Bekim Balaj luan në Çeki me Spartën e Pragës, ndërkohë që ka luajtur në Turqi me Genshlerbirlixhi. Mesfushori i avancuar, Armando Vajushi, luan në Bullgari me Liteksin e Loveçit dhe të shtunën shënoi dy gola kundër CSKA-së Sofjes. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Rudi Vata, ka luajtur në Francë, Gjermani, Skoci, Qipro, madje deri në Japoninë e largët. Ish-mbrojtësi i njohur i viteve 1980-1990, Hysen Zmijani ka luajtur në Francë (Ajaccio), Arabinë Saudite (Al Nasser) dhe Gjermani (St.Polten). Uliks Kotrri ka luajtur në Austri (Klagenfurt), Gjermani (Energi Kotbus), Ukrainë (Tavria Simferopol), madje deri në Zelandën e Re (Otago Junaitid). Portieri Armir Grima ka luajtur në Greqi me Ethnikosin, ndërkohë që sulmuesi Vioresin Sinani ka luajtur në Kroaci me Varteksin dhe në Turqi me Kayserisporin. Mbrojtësi Elvin Beqiri ka luajtur në Ukrainë me Metalurh Donetskun dhe Arsenalin e Kievit, në Rusi me Alania Vladikavkazin, në Izrael me Makabi Tel Avivin dhe në Azerbajxhan me Khazar Lankaranin. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Suad Lici ka luajtur me FK Baku të Azerbajxhanit. Mesfushori Albert Kaçi ka luajtur në Zvicër me Lucernin, ndërkohë që mbrojtësi Klodian Semina është aktivizuar në Bullgari (Belasicën), Qipro (Ael Limasol) dhe Zvicër (Lokarnon). Sulmuesi Edi Martini (sot trajneri i Luftëtarit) ka luajtur në Slloveni (Svoboda Ljubjana), Austri (Klagenfurt) dhe Gjermani (Eintraht Frankfurt).

 “Koha për pikë me Norvegjinë”

 Kotrri dha mendimin e tij për paraqitjet e ekipit Kombëtar. Shqipëria pas shtatë ditësh do të përballemi me Norvegjinë, në Oslo (22 mars). “ Trajneri Xhani De Biazi po përpiqet të fusë filozofinë e tij në ekipin Kombëtar. Skuadra ka bërë disa hapa përpara, ndërkohë që do ta vlerësojë më shumë për aktivizimin e shumë lojtarëve të rinj. Ndoshta mund ta kishte ftuar edhe Sukajn, pasi po kalon një formë shumë të mirë. Pikët që kemi marrë në eliminatoret e Botërorit i kemi marrë në shtëpi: me Qipron (3-1) dhe Slloveninë (1-0). Tani është koha që të provojmë veten jashtë, dhe në një ndeshje si ajo me Norvegjinë. Shpresoj që, të bëjmë një paraqitje të mirë, dhe pse jo të dalim me pikë nga Oslo”.