Tetë rekorde kombëtare në 20 gara

806
Sigal

Dy për të Rritur nga Klavio Meçe. Rekorde moshash nga Allaraj, Neziri, Gjoka, Ngresi e Dervishi

Tetë rekorde të reja Kombëtare në not gjatë 20 garave të zhvilluara ditën e parë të Kupës së Shqipërisë, janë sinjali më i mirë se noti shqiptar është në rrugë të mbarë. Dy rekordet për të Rritur të regjistruara nga notari i talentuar Klavio Meçe i Akademisë “Te Stela” në 400 e 800 metra stil i lirë janë dhe “qershiza mbi tortë” e një aktiviteti kombëtar, të zhvilluar në një atmosferë të këndshme e rivalitet sportiv në pishinën olimpike 50-metërsh të “Akuadrom”-it në kryeqytet, me pjesëmarrjen e të gjithave ekipeve e shoqatave të teseruara në Federatën Shqiptare të Notit. Rekorde për moshat u vendosën nga Alesia Neziri (Tirana), Sonja Kapedani (Tornado), Ledia Allaraj (Partizani), Arsinda Dervishi (Nobis), Aleksandër Ngresi (Teuta Suimming) dhe Eneo Gjoka (Teuta Durrës). Spikatën në ditën e parë për femra Nikol Merizaj e Te Stela (dy vende të para: 400m stili i lirë dhe 100m delfin), Patricia Cani e Partizanit (100 m bretkose dhe 200m katernotim); Anxhela Kashari e Tirana Delfin Sport (50m shpinë e 50m delfin); Rashel Demko e Te Stela (400m katërnotim); Kerolajn Kola e Tradita-A (200m shpinë) dhe Mishel Koroveshi e Te Stela (800m stil i lirë) për femra. Për meshkuj vendet e para u zunë nga Sidni Hoxha i Tirana Delfin Sport (200mshpinë dhe 200m katërnotim); Klavio Meçe i Te Stela (400m e 800 stil i lirë, në të dyja rekorde); Deni Baholli i Te Stelës (100m brektosë); Kristi Kapllani i Tiranës (50m shpinë), Binald Mahmutaj i Tiranës (400m katër notim dhe 100m flutur).

 1 – KLAVIO MEÇA (Te Stela) vendosi rekord të ri kombëtar në 400 metra stil i lirë për të Rritur, me kohën e re 4’12”38, duke përmirësuar kohën e vjetër të mbajtur po nga ai vetë me 4.15”38, të vendosur më 24 maj 2014 në mitingun ndërkombëtar të Lubjanës.

 2  – ENEO GJOKA (Teuta Durrës) vendosi një rekord të ri në 200m shpinë për moshën U-10 vjeç, me kohën e re 3’18”94, duke përmirësuar kohën e mbajtur nga Dinal Reka me 3’29 ”28 (2008).

 3 – ALESIA NEZIRI (Tirana) vendosi rekord në 50m shpinë, për moshën 11-12 vjeç me kohën e re 35”58, duke thyer atë të mëparshëm të Klea Konoplevias me kohën 36”55 (2011).

 4 – SONJA KAPEDANI (Tornado) vendosi rekord në 200 metra katërnotim për moshën 9-10 vjeç, duke fiksuar kronometrin në kohën e re 3’11”97. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Ledia Allaraj me 3’21”57.

 5 – LEDIA ALLARAJ (Partizani) vendosi rekord në 100 metra flutur për moshën 11-12 vjeç me kohën e re 1’17”94, duke e thyer me gati 9 sekonda rekordin e vjetër të mbajtur nga Rashel Demko (2009) me kohën 1’26”72.

 6 – KLAVIO MEÇE (Te Stela) dëshmoi talentin e tij duke vendosur një rekord të ri për të Rritur në 800m stil i lirë, me kohën e re 8’48”88, e duke përmirësuar kështu kohën e mëparshme të mbajtur po prej tij 8’54”94 (të vendosur në maj 2014 në Lubjanë).

 7 – ALEKSANDËR NGRESI (Teuta Suimming) vendosi një rekord të ri në 800 metra stil i lirë për moshën 13-14 vjeç, duke e fiksuar kronometrin në kohën 9’31”59.

 8 – ARSINDA DERVISHI (Nobis) vendosi rekord të ri në 800 metra stil i lirë me kohën e re 11’38”73, duke përmirësuar kohën e mëparshëm të mbajtur nga Suila Kosova (2008) me kohën 11’41”38.

Rezultatet teknike të Kupës së Shqipërisë në not

Dita e parë

Meshkuj

50 m stil i lirë           Eduard Cane (Nobis)        25”43

400 m stil i lirë    Klavio Meçe (Te Stela)     4’12”38

200 m shpinë         Sidni Hoxha (TDS)          2’23”01

200 m katërnotim           Sidni Hoxha (TDS)          2’19”06

4×100 m stil i lirë  Te Stela                   3’57”95

50 m shpinë          Kristi Xhaferri (Tirana)   31”39

400 m katërnotim           Binald Mahmuti (Tirana)    5’04”74

100 m bretkosë       Deni Baholli (Te Stela)    1’12”74

100 m flutur         Binald Mahmuti (Tirana)    1’03”15

800 m stil i lirë    Klavio Meçe (Te Stela)     8’48”88

Femra

400 m stil i lirë    Nikol Merizaj (Te Stela)   4’52”50

200 m shpinë         Kerolajn Kola (Tradita)    2’44”79

50 m delfin          Anxhela Kashari (TDS)      30”19

200 m katërnotim           Patricia Cani (Partizani)  2’44”68

4×100 m stil i lirë  Te Stela                   4’57”79

50 m shpinë          Anxhela Kashari (TDS)      34”42

400 m katërnotim          Rashel Demko (Te Stela)    6’16”70

100 m bretkosë       Patricia Cani (Partizani)  1’22”53

100 m flutur         Nikol Merizaj (Te Stela)   1’09”78

800 m stil i lirë    Mishel Koroveshi (Te Stela)     11’32”06

 Flasin kampionët

 Sidni Hoxha

 Notari i niveleve të larta, Sidni Hoxha, në rikthimin e tij tradicional në kompeticionet shqiptare doli sërish fitues në dy garat që ai mori pjesë: në 200m katër notim dhe 200m shpinë. “Kohët e mia ishin të kënaqshme, pavarësisht se nuk pati rekord”, – tha Hoxha, i cili studion në Shtetet e Bashkuara dhe merr pjesë edhe atje në garat e Konferencës, ku ka fituar në 50, 100, 200 m stil i lirë. Sidni ka marrë pjesë në “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”.

 Nikol Meziraj

Nikol Meziraj, fituesja e dy vendeve të para në 400 m stil i lirë (4’52”50) dhe 100 m flutur (1’09”78), ndihet e kënaqur me rezultatet e saj. “Ishin gara me rivalitet me konkurrentet e tjera, dhe kjo ja shton më shumë vlerat fitoreve të mia. Do të mundohem që dhe në garat e tjera të dal kampione. Fitoret e mia ja kushtoj trajnerit tim Pupit (Sadik Memës)”.

 Deni Baholli

Notari i Te Stela, Deni Baholli, doli kampion në 100 metra bretkosë me kohën 1’12”74. “Është një nga garat ime të preferuar, por e fituar me shumë rivalitet”, – tha ai për gazetën. Baholli tregoi edhe emocionet e stafetës 4x100m stil i lirë, ku ai si notar i fundit në radhë vendosi edhe fatin e skuadrës së tij. Ïshte një garë e fortë midis meje e Sajd Kustës së Tiranës, por në fund fitova unë e skuadra ime”.

  Patricia Cani

Lotarja e Partizanit, Patricia Cani, është fituesja e dyfishtë në ditën e parë të Kupës së Shqipërisë. “Fitova në 200m katërnotim, të cilën e konsideroj një garë shumë speciale për mua. U ndjeva mjaft mirë, që arrita ta fitoj edhe në 100m bretkosë. Dua të bëj një përfaqësim të mirë në Kupë, përpara se të nisem në Francë, k besoj se do të kthehem në Shqipëri për të fituar gara të tjera”. Patricia është rekordmene në 50, 100 e 200m stil bretkosë.

 Eduard Cane

Notari më i mirë edicionit të kaluar të Kupës, Eduard Cane, doli fitues në 50m stil i lirë. Edhe pse tashmë jam një trajner i ekipit Nobis, ende kam dëshiroj të garoj edhe të fitoj”.

 Keroljan Kola

Kerolajn Kola zuri vendin e parë në 200m shpinë më kohën 2’44”79. “Ishte një rezultat i mirë, për kohën që jam përgatitur. Përfaqësoj ekipin sarandiot Tradita-A me trajner Aleks Gjinin”.

 Anxhela Kashari

Notarja e Tirana Delfin Sport, Anxhela Kashari, fitoi në garat e 50m flutur dhe 50m shpinë. “Janë dy garat e mia të preferuara. Dëshiroj të jem sërish sportistja më e mirë e Kupës”.

 Fitues me “fotofinish” në stafetën e meshkujve

 Një nga garat me emocionuese të ditës së parë ishte stafeta 4×100 metra stil i lirë për meshkuj. Rivalitet i jashtëzakonshëm midis katërshes të Steles (Klavio Meçe, Bob Diko, Mario Leti e Deni Baholli) me atë të Tiranës (Andi Mara, Kennet Libohova, Binald Mahmutaj e Sajd Kusta). Gjithçka u vendos në metrin e fundit, ku Deni Baholli ia doli të ishte 4 të qindtat më i shpejtë se rivali i tij i Tiranës, Sajd Kusta. Te Stela e bëri 3’57”59, ndërsa Tirana 3’58”03. Vendi i tretë u fitua nga Teuta.