Të gjithë sytë nga Laçi-Tirana, kjo ndeshje vendos kreun

490
Sigal

Ndeshjet e javës së 23-të janë në pritjet ë zhvillimit të tyre ditën e nesërme, ku ashtu si çdo javë, edhe këtë herë pritet që të zgjidhen shumë “enigma”, që nga shkarkime trajnerësh e deri në rivendosje rregulli në brendi të ekipeve. Sigurisht që takimi mes Skënderbeut dhe Kukësit eklipson çdo takim tjetër të kësaj jave, duke u bërë kështu pararojë e kampionatit, edhe pse ndeshja zhvillohet vetëm të hënën, pas gjithë takimeve të tjera.

Vllaznia-Apolonia, mundësia e fundit për Rainerin

Një ndeshje prove dhe shprese kjo e Vllaznisë, ku prova kalon në emër të trajnerit Raineri ndërsa shpresa është vetëm për tifozët, që duan ta shohin skuadrën e tyre që të marrë fitoren e parë për këtë vit, ku deri më tani  maksimumi i arritur është një barazim, edhe ky i arritur në ndeshjen ndaj Kukësit për Kupë, të mërkurën që shkoi. Vllaznia në këtë rast, si skuadër pritëse ka të gjithë detyrimin që të fillojë të ndryshojë kurs, pasi nëse humbet edhe ndaj Apolonisë, do ta gjejë përsëri veten në situatën e fazës së parë, ku pak e nga pak u bë pretendente për të rënë nga kategoria. Në fakt, kjo skuadër ka nevojë që të arrijë një fitore për tu ndjekur nga të tjera pasuese, e në këtë rast, ndaj Apolonisë ka mundësinë më të mirë.

Laçi pret Tiranën, në fushën që është bërë “tmerri” i skuadrave pretendente

Skuadra e Laçit pak  nga pak, por me fakte të rënda, po konfirmohet si një ekip që me të vërtetë përbën problem për çdo skuadër, që nga më e forta e deri tek më e dobëta. Rasti me Partizanin e tregon shumë mirë këtë, por edhe ndeshjet e tjera të kësaj faze, sidomos me Kukësin, ku e mundi 2-1. Në këtë ndeshje do të ketë shumë sy të drejtuar, sidomos nga Kukësi dhe Skënderbeu, me shpresën se edhe Tirana do të “rrëshqasë” ndaj kurbinasve.

Partizani-Teuta, mundësia për tu kthyer në “orbitë”

Ky është rasti i duhur për Partizanin për tu kthyer tek fitorja, pas gjithë këtyre humbjeve dhe performancave jo aq të mira. Teuta është “preja” e duhur që të rikthehen përsëri me këmbë në tokë dhe të bëjnë tifozët pjesë të një fitoreje aq të dëshiruar dhe të nevojshme, duke parë se janë larguar goxha nga kreu.

Elbasani-Flamurtari, një rast për të dy ekipet që kthehen tek fitorja

Një formë jo shumë e mirë për të dy ekipet, sidomos për Elbasanin që e ka konfirmuar që në fillim se ka nisur një rrugë drejt rënies nga kategoria, por edhe Flamurtari, edhe pse gjendet në pozita të mira, përsëri nuk ia del si ekip që të ecë përpara, duke ngecur shumë shpesh, sa i përket paraqitjeve në përgjithësi. Në këtë takim, sigurisht që më i favorizuar është Flamurtari, që pavarësisht të gjithave është shumë më mirë se Elbasani. Me një takim që do të luhet në Pogradec, pasi “Elbasan Arena” është kthyer në kantier ndërtimi, pritet që të jetë Flamurtari që përqafon fitoren.

Të hënën, Skënderbeu pret Kukësin, në ndeshjen më të bukur të javës

Pa dyshim një nga ndeshjet më të bukura të kësaj jave, ku takohen dy pretendente për titull, dy skuadra që vitet e fundit gjithmonë kanë dhuruar emocione në takimet e tyre dhe që e kanë mbretëruar futbollin shqiptar me rivalitetin e krijuar. Sigurisht që edhe kjo ndeshje nuk do të bëjë përjashtime, duke marrë parasysh edhe formën që po kalojnë të dyja dhe domosdoshmërinë që kanë për fitore që të vazhdojnë në krye.

 

 

 

Ndeshjet e javës së 23-të

Të dielën

Vllaznia-Apolonia

Laçi-Tirana

Partizani-Teuta

Elbasani-Flamurtari

Të hënën

Skënderbeu-Kukësi

  Skuadra ND F B H P
1 Tirana 22 14 5 3 47
2 Kukësi 22 15 2 5 47
3 Skënderbeu 22 13 5 4 44
4 Partizani 22 12 5 5 41
5 Laçi 22 9 8 5 35
6 Flamurtari 22 8 7 7 31
7 Vllaznia 22 8 2 12 23
8 Teuta 22 6 1 15 19
9 Elbasani 22 4 0 18 12
10 Apolonia 22 2 3 17 9

Tierri Henri bëhet trajner, fillon me të rinjtë e Arsenali

Legjenda e “topçinjve” të Londrës, francezi Tierri Henri ka vendosur të pranojë një vend si trajner në skuadrën e të rinjve të Arsenalit, duke e dërguar edhe më tej ndihmën e tij për këtë klub. Një legjendë e gjallë e Arsenalit, i cili me paraqitjet e tij i dha shumë këtij klubi, tani ka pranuar që përvojën e tij ta përçojë edhe tek të rinjtë, duke u bërë pjesë e zinxhirit të akademisë shumë të njohur dhe të mirë të Arsenalit. Lajmi u konfirmua dje edhe nga trajneri Venger, që tha se të rinjtë e Arsenalit kanë tashmë një mundësi shumë të mirë që të marrin përvojë nga më i miri, duke qenë se do trajnohen nga ai tani e tutje.

 Nesër, takim shqiptarësh në Serie A mes Vajushit dhe Hysajt

Kur pjesëmarrja e futbollistëve shqiptarë është e konsiderueshme në Serie A, sigurisht që edhe përballja mes tyre është e pashmangshme, ku pikërisht nesër në ndeshjen mes Kievos dhe Empolit, një arsye më shumë për ta ndjekur është edhe përballja mes Vajushit dhe Hysajt, ku i pari ka vetëm pak kohë që i është bashkuar Kievos. Në këtë rast, tifozeria shqiptare është e dyzuar sa i përket mbështetjes, por gjithsesi një paraqitje e shkëlqyer e të dyve do të ishte e pëlqyeshme për të gjithë.

 Vendimi i dytë prapëson të parin, “Qemal Stafa” i hap dyert në derbi

Edhe pse ishte vendosur që ndeshja e parë që do të priste “Qemal Stafa” pas shtrimit të tapetit, do të ishte ajo mes Partizanit dhe Teutës nesër, kjo nuk do të ndodhë, pasi është vendosur që takimi i parë të jetë ai mes Tiranës dhe Partizanit, pra derbi. Sipas deklaratës së bërë nga vetë klubi i “kuq”, fusha ka nevojë edhe për një javë tjetër që të jetë në gjendje optimale, kjo e thënë edhe nga kompania greke që punoi në projektin e shtrimit të tapetit. Nesër skuadra do të luajë ndeshjen në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës.

Elbasani-Flamurtari, ndeshja luhet në Pogradec

Sado e çuditshme që të duket, takimi mes Elbasanit dhe Flamurtarit do të luhet në Pogradec, në ora 14:00, nesër. Kjo si pasojë e punimeve që po bëhen në “Elbasan Arena”, në shtrimin e pistës me tartan. Ndeshja nuk do të zhvillohet këtu vetëm ëpr arsye sigurie për lojtarët, pasi mund të rrezikojnë që të dëmtohen kur të dalin jashtë fushës, e për ta shmangur këtë bëhet edhe transferimi i ndeshjes në një stadium tjetër. Ky takim do të luhet pa tifozë, duke marrë parasysh dënimin që ka marrë Elbasani që në ndeshjen me Tiranën, fazën e dytë.