Partizani bën përgjegjës arbitrin Alla, tifozët sulmojnë skuadrën për humbjen

449
Sigal

Duhej të kalonin 3 ditë që klubi i futbollit të Partizanit të bënte një deklaratë zyrtare sa i përket takimit ndaj Laçit, takim ky i luajtur për Kupën e Shqipërisë dhe i humbur 3-0, edhe pse në fushë u futën me rezultatin e plus 2 golave nga ndeshja e parë. Humbja që pësoi Partizani nuk ishte vetëm në lojë por edhe në emër, në reputacion, pasi u akuzua ndjeshëm nga të gjithë që ndeshjen ndaj Laçit e “la”. Sigurisht që kjo nuk mund të vërtetohet, të paktën jo nga ne, por nga Etika që gjithsesi nuk po merr as një hap, të paktën për të sqaruar dhe hequr mjegullën që ka  mbuluar rreth kësaj ndeshjeje.

Reagimi zyrtar

Të parët që reaguan ishin tifozët dhe vazhdojnë të jenë fryma më e fortë e “drejtësisë së munguar”. E duke u kthyer tek reagimi zyrtar, Partizani, pas tre ditësh pra, sqaroi opinionin sportiv se kjo humbje erdhi si pasojë e shumë faktorëve, e përmenden dëmtimet e lojtarëve e edhe gjykimi i njëanshëm i kryesorit Alla, e fjalë për fjalë deklarata mbi këtë ndeshje ishte kështu: “Ishte një paraqitje në të cilën ndikuan shumë faktorë, dëmtime lojtarësh, por edhe gjykimi i njëanshëm i kryesorit Alla me vendimet e akorduara. Një ndeshje e cila duhet harruar sa më parë, pasi përpara na pret një garë mjaft e vështirë ku synimi i klubit tashmë mbetet vetëm fitimi i titullit kampion. Jemi plotësisht në luftë për të synuar këtë trofe, i cili i mungon 15 herë Kampionëve të vendit për afro dy dekada dhe që është aq i dëshiruar nga e gjithë familja e kuqe”.

Tifozët e pakënaqur

Por ajo që bie në sy, përtej deklaratës, është reagimi i tifozëve, që në fakt vazhdojnë që të mos bien dakord me atë çfarë panë në fushë dhe atë që ata mendojnë se është bërë jashtë fushe. Ka deklarata nga më të ndryshmet, por qëllimi është i njëjtë, fjalët e njëjta ku dashuria për klubin është e madhe dhe e pandryshueshme, por besimi tek drejtuesit mungon në mënyrë të theksuar. Në fakt, duhet thënë se ky vit, 2015-a, mund të quhet viti i dështimeve të mëdha në pastërtinë e këtij sporti, pasi u zbuluan shumë raste të paracaktimit të rezultateve, pati edhe dënime, e përsëri vazhdon të përndjekë hija e këtyre dyshimeve, që nuk po i lënë vend futbollit të luajtur paqësisht. Në fakt, duket se besimi i tifozëve tek ekipet e tyre është minuar dhe nuk ekziston më, çka i bën që të drejtohen gjithmonë në një pikë, atë të shitjes së ndeshjeve, edhe nëse e shesin apo jo. Tifozët kanë qenë dhe duhet të vazhdojnë të jenë ndërgjegjja e një ekipi. Kuptovet, flasim për tifozët e vërtetë.