Lushnja, kampione mes “spektaklit” të gurëve

615
Sigal

Përplasën tifozët në “Roza Haxhiu”, policia nxjerr me forcë “ultrasit e kuq”. Fund i shëmtuar i kampionatit

Lushnja-Partizani (2-2) pritej të ishte një ndeshje festive, pasi të dyja skuadrat e kishin siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore, por takimi mori nuanca dhune, pas përplasjes së dy tifozerive, ku nuk munguan hedhjet e fishekzjarrëve, tymueseve, shkashkave, gurëve dhe shisheve, që sollën ndërprerjen e lojës për rreth dhjetë minuta në pjesën e parë dhe fillimin me vonesë të fraksionit të dytë. Festa e titullit të lushnjarëve, në një farë mënyre u prish, pavarësisht se në “Roza Haxhiu” mund të ishin të pranishëm rreth 10 mijë tifozë. Tifozët e shumtë lushnjarë dhe ata të kuq në shkallët e stadiumit janë përplasur në fund të pjesës së parë. Shkak për shpërthimin e kësaj situate jo fort të këndshme ka qenë goli i barazimit për vendësit. Për anësorin, topi i goditur nga Stojkovic e kishte kaluar vijën fatale, ndërsa tifozët e kuq e kanë kontestuar këtë gjë, duke hedhur edhe fishekzjarrë në fushë. Menjëherë ka ardhur kundërpërgjigjja e tifozërisë lushnjare, që nuk ka kursyer as gurët në drejtim të miqve, duke i detyruar shumë prej këtyre të fundit që ta braktisin ndeshjen. Pas një ndërprerjeje të ndeshjes dhe rikthimit të qetësisë nga forcat policore, loja ka vazhduar pa problem mes futbollistëve në fushën e blertë.

  Ndeshja

Kronika 90-minutëshit të Kampionatit të Kategorisë së Parë në “Roza Haxhiu”, nisi me një shou tifozerish, por më pas, minuitë pas minute dhe aksion pas aksioni, ajo u shndërrua në njëlloj “guerrileje” me kore fyese dhe gjuajtje me sende të forta mes tifozëve rivalë, të cilët e shëmtuan keq supersfidën e shumëpritur të ndjekur nga autoritetet më të larta të Federatës Shqiptare të Futbollit. Për të parë golin e parë të ndeshjes duhet të kalonin gati 45 minuta lojë, ndërkohë që ajo u ndërpre në të 35’, paso shpërthimit të fishekzjarrëve nga tribuna ku ndodheshin tifozët e kuq. Rezultatin e zhbllokoi nigeriani Oladele për të kuqtë. Ai godet nga një largësi prej 30 metrash në minutat shtesë të pjesës së parë dhe shënon një eurogol. Topi pushon në trekëndëshin e portierit Spaho, i cili s’ka çfarë të bëjë, vetëm ta nxjerrë atë nga rrjeta e tij. Sapo rivihet topi në lojë nga mesi i fushës, aksioni zhvendoset në gjysmëfushën e të kuqve, ku Lushnja fitoi një goditje këndi. Serbi Stojkovic finalizon me kokë brenda zonës së vogël dhe barazon shifrat në 1-1. Në këtë moment ka pasur kontestime nga Partizani, se topi nuk e kishte kaluar vijën fatale, por anësori sinjalizon për nga mesi i fushës. Me këto dy gola “in extremis”, me disa raste të bukura për vendësit, me një lojë të fortë e burrërore nga të dyja skuadrat, mbyllet pjesa e parë e kësaj ndeshjeje.

Pjesa e dytë ka vijuar të jetë një betejë mes sulmesh e kundërsulmesh mes të dyja palëve, që kërkojnë medoemos t’i rrëmbejnë fitoren njëra-tjetrës. “Këpuca e Artë” e kësaj kategorie, Mikel Canka, i ka kaluar të tijtë në epërsinë 2-1 në minutën e 65-të, por nuk ka zgjatur shumë gëzimi i lushnjarëve. Të kuqtë janë hedhur shpejt në sulm dhe me anë të Malos kanë arritur të barazojnë shifrat në 2-2 në minutën e 69-të.

Vërshëllima e fundit e kryesorit Servet Bogdani, që më ketë ndeshje i dha lamtumirën arbitrimit, vulos barazimin 2-2, por mbyll edhe kampionatin e Kategorisë së Parë. Lushnja feston fitimin e titullit kampion të Kategorisë së Parë, ndërsa Partizani i gëzohet rikthimit pas katër sezonesh mungese në Superligë.

KATEGORIA E PARË

JAVA 30

Të shtunën, 11.05.2013

Besëlidhja-Iliria    3-1

Dinamo-Pogradeci           3-2

Burreli-Mamurrasi    3-2

Tërbuni-Gramshi      2-0

Elbasani-Himara      1-2

Butrinti-Naftëtari   3-0

Ada-Kamza            2-2

Dje, 12.05.2013

Lushnja-Partizani    2-2

 RENDITJA

1    Lushnja         30   +26  66

2    Partizani       30   +6   56

3    Tërbuni         30   +10  43

4    Mamurrasi       30   +3   43

5    Pogradeci       30   +5   42

6    Himara          30   +3   42

7    Burreli         30   +1   42

8    Ada             30   +3   41

9    Kamza           30   -9   41

10   Butrinti        30   +5   40

11   Dinamo          30   +3   40

12   Elbasani        30   -4   40

13   Besëlidhja      30   -2   38

14   Iliria          30   -2   37

15   Gramshi         30   -23  31

16   Naftëtari       30   -25  20

Skuadra ringjitet në Kategorinë Superiore pas një mungesë katërvjeçare. E pret një sezon i vështirë

  Partizani rikthehet në shtëpi

 Pas një mungesë katërvjeçare, nga sezoni 2008-2009, Partizani rikthehet në Kategorinë Superiore, në elitën e futbollit shqiptare, pra në shtëpinë natyrale të tij, atje ku ai është shpallur 15 herë kampion i vendit, duke qenë skuadra e e tretë me më shumë tituj në Shqipëri, pas Tiranës (24) dhe Dinamos (18), por me këtë të fundit që do të vazhdojë të jetë në Kategorinë e Parë. I endur midis Kategorisë së Parë (e pa ka provuar dy herë këtë fat, përshirë edhe rënien e parë në sezonin 1999-2000), por edhe një sezon në kampionatin më inferior të vendit, atë të Kategorisë së Dytë, në harkun e tre sezoneve, të kuqtë rikthehen në Superligë. Partizani i këtij sezoni e meritoi rikthimin, edhe pse ajo u arrit përmes sakrificave të shumta, një miksi lojtarësh veteranë dhe të rinj, por dhe punës së të trajnrëve, duke filluar me Nikolin Çoçllin, Shpëtim Duron dhe së fundi Hasan Likën. Partizani ka krijuar tashmë një klub model, me investimet e bashkëaksionarëve Lulzim Sallaku dhe Gazmend Demi. Skuadra e kuqe e di që, e pret një sezon i vështirë në Superligë, në një kampionat me 12 ekipe nga ku do të dalin automatikisht katër ekipe. Drejtuesit duhet të bëjnë investime serioze, për të krijuar një grup solid, të aftë jo vetëm të përballojë kampionatin, por dhe të konkurrojë për të kapur një vend në Europë.

 Verdiktet e Kategorisë së Parë

  Lushnja (kampione) dhe Partizani i vendit të dytë, do të luajnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore, në një kampionat me 12 skuadra, por me një skemë “vrasëse”, pasi do të bien direkt katër ekipe, pasi sezonin pasaradhës, ai 2014-2015 do të luhet me 10 ekipe dhe katër faza. Nga Kategoria e Parë ranë në të Dytën katër ekipe, përkatësisht: Besëlidhja, Iliria, Gramshi dhe Naftëtari, ndërkohë që nga e Dyta e ngjitën në të Parën, Albpetroli dhe Veleçiku.

  Mikel Canka fiton “Këpucën e Artë”

 Sulmuesi i Lushnjës, Mikel Canka, fitoi “Këpucën e Artë” të Kategorisë së Parë. Goleadori lushnjar realizoi 21 gola, tre më shumë se Mateo Metaj i Mamurrrasit, 18 gola. Kjo është hera e dytë që Canka fiton trofeun individual si shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, pasi këtë e arriti edhe sezonin e kaluar.

 Mirel Josa: “Titull i bukur me Skënderbeun”

  Mirel Josa u shpreh i kënaqur me fitimin e titullit kampion me Skënderbeun, i dyti i tij si trajner pas atij me Tiranën në sezonin 2003-2004. “Është një titull që, më emocion disi pasi e fitoj pas nëntë vitesh. Jam shumë i kënaqur, pasi u arrit me punën e të gjithëve, duke filluar nga presidenca dhe deri te lojtarët”, – tha Josa në lidhje telefonike me Radio Tiranën. Në lidhje me faktin se, nëse ai kishte ndjerë më shumë emocione për këtë titull, apo të arritur me Tiranën, Josa tha: “Me Tiranën fitova në vitin tim të parë si trajner dhe kjo është sigurisht një arritje, për më tepër që e fitova me skuadrën ku formova dhe u rrit si lojtar, ku formova karakterin tim. Më vjen keq për Tiranën, pasi ajo është një skuadër e madhe dhe me traditë, por ajo kaloi shumë probleme, duke mos funksionuar si ekip dhe si klub”. Skënderbeu do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që Tirana nuk do të paraqitet në ndeshjet ndërkombëtare, pasi nuk arriti të futej në Ligën e Europës.

LEGJIONARËT

 Lorik Cana – Mbrojtësi i Kombëtares luajti 90 minuta të plota në fitoren 2-0 të Lacios kundër Sampdorias.

 Migjen Basha – Mesfushori kuqezi luajti gjatë takimit në barazimin 1-1 të Torinos në transfertën me Kievon.

 Erjon Bogdani – Golashënuesi më i mirë i Kombëtares qendroi në stol në humbjen 2-1 të Sienës në transfertën me Napolin.

 Samir Ujkani – Duket se portieri kosovar do të kërkojë një destinacion të ri, pasi nuk ishte as në stol për Kievon.

 Edmond Kapllani – Sulmuesi durrsak dha asistin e golit të dytë të fitores 2-1 të FSV Frankfurtit ndaj Bohumit.

 Odise Roshi – Anësori i Kombëtares sonë luajti nga minuta e 85-të në fitoren 2-1 të FSV Frankfurtit ndaj Bohumit.

 Alban Meha – Fantazisti kosovar dha asistin e golit të parë të Padebornit, por u dëmtua dhe u zëvendësua në të 23’.

 Etrit Berisha – Kalmari i portierit të Kombëtares fitoi 2-1 në kampionatin suedez ndaj AIK. Berisha në portë.