Agim Çiraku: Rezultatet në Botëror, vazhdimësi me rekorde kombëtare

512
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, ja paraqitjet e notarëve tanë në Kampionatin Botëror
Ky kalendar të ngjeshur i veprimtarive të notit shqiptar dhe më gjerë, si po përballohet nga ana juaj në federatë?
Kjo është stina e notit, dhe ne si federatë i kemi të planifikuara ditët e veprimtarive, pse jo, me imtësinë më të madhe. Natyrisht që të gjitha veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, i përballojmë me emocion dhe interes, sepse kjo është detyra jonë, jo vetëm profesionale.

Ju ishit tri ditë në Budapest ku po zhvillohet Kampionati Botëror i Notit, si ishte atmosfera e notarëve tanë aty?
Në tri ditë që unë isha në Budapest, veç pjesëmarrjes në ditët e para të këtij eventi botëror, ndoqa nga afër edhe përgatitjet paraprake të notarëve tanë pjesëmarrës. Të katërt ishin në gjendje të mirë, por Klavio Meça arriti që të thyejë rekord kombëtar në 400 m stil i lirë. Edhe notarët e tjerë janë në kohë të mira garimi, pasi të gjithë thuajse i kanë përmirësuar ato.

Me ç’synime kanë shkuar këta notarë në këtë event botëror të notit?
Të katër notarët tanë: Klavio Meça, Franc Aleksi, Diana Basho dhe Nikol Merizaj, janë me ftesë në këtë Kampionat Botëror. Kështu që synimet e tyre janë që të thyejnë rekordet tona kombëtare, por edhe që të përmirësojnë kohët që kanë arritur në garat që po marrin pjesë. Deri tani, gjithçka flet për mirë.

Mendonit një pjesëmarrje më të gjerë të notarëve tanë në këtë Botëror?
Ende ne nuk e kemi atë mundësi që të shkojmë në të tilla evente me konkurrim të drejtpërdrejtë. Duke qenë me ftesa nga FINA (Federata Botërore e Notit), katër notarë (2 meshkuj dhe 2 femra) ishin të kushtëzuara.

Pas këtij Botërori, cila është veprimtaria e radhës për notin shqiptar?
Kemi para dy veprimtari shumë të rëndësishme kombëtare. Në datat 30 dhe 31 gusht 2017, do të zhvillohen garat për Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që në datat 9 dhe 10 shtator, do të zhvillojmë Maratonën Mbarëkombëtare të Veteranëve të notit shqiptar.

Keni informacion për përgatitjet e notarëve në këto evente?
Patjetër që kam, dhe të gjithë janë duke punuar seriozisht. E përmenda më sipër që kjo është periudha që e favorizon shumë notin, në përgatitje dhe gara, ndaj edhe nga të gjithë ata që garojnë përgatitjet janë të mira.

Edhe në këto veprimtari kombëtare të fundit për këtë vit, do kenë so objekt rekordet kombëtare?
Rekordet Kombëtare janë bërë pjesë e garave që po zhvillohen në këto 3-4 vite në notin shqiptar. Të themi se jemi bërë si “shtëpia e rekordeve”, ndoshta do të jetë gjithçka për të kuptuar faktin se, progresi në notin shqiptar është gradual dhe cilësor.

Muaji gusht duket si “piku” i veprimtarive, do të keni pjesëmarrje pjesëmarrje edhe në to: Botërori i Veteranëve dhe Botërori i të Rinjve?
Më saktësisht, në kalendarin e vitit 2017, për muajin gusht janë dy veprimtari të mëdha, por edhe të rëndësishme për notarët shqiptarë. Më 14 e 15 gusht do të zhvillohet Kampionati Botëror i Veteranëve në Budapest, ku ne e kemi dërguar një listë pjesëmarrjeje, ndërsa në datat 23 e deri më 28 gusht, në Indianapolis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të zhvillohet Kampionati Botëror për të Rinj, që natyrisht do të ketë edhe notarë shqiptarë.

Dhe veprimtaria e fundit e vitit 2017 është Kampionati Evropian i Notit në pishinë 25m, do të keni këtu “kulmin” e rekordeve në Danimarkë?
Së pari, vlen shumë pjesëmarrja në të tilla veprimtari. Por, duke qenë se aty do të garohet në pishina 25 metra, ne kemi më shumë mundësi që të arrihen rezultate të larta nga notarët tanë. Këtu nuk do mbetemi vetëm te rekordet kombëtare, por edhe ndonjë vend nderi. E shpresojmë, dhe notarët që do të shkojnë aty them se do ta justifikojnë gjithçka.

Më 19 korrik 2017, FINA mbushi 109 vjet, çfarë thotë kjo për notin shqiptar?
Kjo është një histori, e cila brenda saj ka edhe pjesën modeste të notit shqiptar. Në Hungari e kam përjetuar këtë përvjetor, dhe më vjen mirë që ishim aty në një event të madh, pikërisht në këtë datë.
Rekordet Kombëtare janë bërë pjesë e garave që po zhvillohen në këto 3-4 vite në notin shqiptar. Të themi se jemi bërë si “shtëpia e rekordeve”, ndoshta do të jetë gjithçka për të kuptuar faktin se, progresi në notin shqiptar është gradual dhe cilësor.
Notarët shqiptarë në Botëror 
Notari Gara Data 
Klavio Meça 400 m lirë 23.07.2017 
Rekord Kombëtar me 4.04.03 RK
Klavio Meça 200 m lirë 24.07.2017 
Franc Aleksi 800 m lirë 25.07.2017
Franc Aleksi 1500 m lirë 29.07.2017
Diana Basho 200 m lirë 25.07.2017
Diana Basho 50 m delfin 28.07.2017 
Nikol Merizaj 100 m lirë 27.07.2017
Nikol Merizaj 50 m lirë 29.07.2017
Trajner: Sadik Mema
Sigal