Superliga, nga Europa te lufta për mbijetesë

762
Sigal

Në Korçë po shpërndahen bluza ku shkruhet “Skënderbeu kampion”. “Betejë” midis Kukësit, Flamurtarit dhe Teutës

 Skënderbeu është shumë pranë titullit të tretë rresht kampion, pas atyre në sezonet 2010-2011 (me trajner Shpëtim Duron), 2011-2012 (me trajner çekun Stanislav Levi). Skuadra korçare ka një avantazh prej +9 pikësh ndaj Kukësit të vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje nga përfundimi i kampionatit dhe i mjafton vetëm një pikë ndaj Kastriotit (të shtunën), ose mund të fitojë titullin pavarësisht rezultatit, nëse Kukësi humbet në “Zeqir Ymeri” me Flamurtarin e vendit të tretë. Skënderbeu me fitimin e titullit me pjesë direkt në Ligën e Kampioneve (për herë të tretë rresht). Në fakt, kampionati i këtij viti ka pasur një padron që nga fillimi i tij. Skënderbeu ka udhëhequr kategorinë superiore, duke treguar një supremaci të dukshme me rivalët, aq sa titulli praktikisht është hipotekuar që në fundin e fazës së parë. Megjithatë vetëm këtë javë korcarët kanë mundësinë të zyrtarizojnë matematikisht trofeun e tretë radhazi, në përballjen ndaj Kastriotit në stadiumin “Skënderbeu”. Për këtë arsye pritet që klubi të bëjë një organizim më ndryshe të kësaj sfide, duke qenë se përkon dhe me mundësinë për të zyrtarizuar titullin. Drejtuesit kanë vendosur që për tifozët një biletë për në stadium të shoqërohet me një fanellë të kuqe në të cilën të shkruhet “Skënderbeu kampion”. Ky është i vetmi ndryshim krahasuar me sfidat e zakonshme të kampionatit, pasi festën e vërtetë drejtuesit kanë menduar ta realizojnë ashtu si në dy vitet e mëparshme në përfundim të sezonit. Ndërkohë që, për trajnerin Mirel Josa grupi në dispozicion ka filluar të plotësohet. Në sfidën që pritet t’i japë matematikisht titullin Skënderbeut, do të mungojnë arapi, braziliani Ademir dhe kroati Pejiç, tre mungesa të rëndësishme në formacionin e kampionëve. Megjithatë ndjesia është se pika që nevojitet do të vijë dhe prej faktit se, Kastrioti tashmë ka siguruar qëndrimin në superiore. Në Korçë janë duke u përgatitur ethshëm për festë, dhe 90-minutëshi i javës së 24-t është prova e përgjithshme përpara mbrëmjes së madhe në përfundim të sezonit kur do të dorëzohet edhe trofeu.

EUROPA

Nëse Kupa e Shqipërisë, tashme ka zbuluar dyshen finaliste: Laçi-Bylis, me fituesin që do të shkojë në Ligën e Europës, për dy “biletat” e tjera të atij kompeticioni do të luftojnë fort tri skuadra: Teuta, Kukësi dhe Flamurtari, edhe pse matematika i jep shanse edhe Tiranës. Sigurisht duke parë kalendarin e tre skuadrave kupton që asgjë nuk është e vendosur, megjithatë duhen marrë parasysh edhe aleancat, që si kudo funksionojnë edhe në Shqipëri. Kukësi ka dy ndeshje në shtëpi në tri javët e mbetura dhe sigurisht që përballja direkte me Flamurtarin vendos thuajse gjithçka. Më pas vijnë ndeshjet në Krujë ndaj Kastriotit dhe në shtëpi me Skënderbeun, që mendjen do ta ketë tek festa. Për Teutën kalendari nuk është i favorshëm pasi do të luajë në Ballsh, me Bylisin që kërkon pikët e mbijetesës, më pas pret Laçin e pamotivuar dhe e mbyll në Berat me Tomorin. Sigurisht që, më të vështirë e ka rrugën Flamurtari, pasi këtë javë luan ndeshjen direkt me Kukësin, aty ku nevojitet vetëm fitorja. Më pas në Vlorë zbarkon Vllaznia dhe në fund udhëtimi në Fier.

MBIJETESA

Apolonia, Tomori dhe Luftëtari tashmë kanë rënë nga Kategoria Superiore, kështu që ka mbetur për t’u zgjidhur vetëm një enigmë: cili do të jetë ekipi i katërt? Pra, skuadra që në përfundim të kampionatit do të renditet në vendin e 11-të. Janë tri skuadra kandidate për atë vend: Bylisi, Besa dhe Shkumbini. Bylisit i nevojitet vetëm një pikë në tri javët e mbetura, ku dy ndeshje i ka në shtëpi ndaj Teutës dhe Besës, në mes të të cilave qëndron transferta në Tiranë. Ndërkohë Besa ka nevojë për 6 pikë që të sigurojë qëndrimin, gjithmonë duke llogaritur faktin që Shkumbini mund të fitojë tri ndeshjet e mbetura. Për peqinasit e vetmja shpresë janë pikët e plota në këto tri javë dhe të shpresojnë që besa të mos arrijë dy fitore. Teorikisht gara është e hapur deri në fund, por edhe këtu duhen marrë në konsideratë aleancat, dhe ndoshta kjo javë mund të tregojë se kush do të jetë skuadra e katërt që do shoqërojë, Tomorin, Apoloninë dhe Luftëtarin në kategorinë e parë.

  RENDITJA AKTUALE E SUPERLIGËS

 Liga e Kampioneve

1    Skënderbeu      23   +27  52

Në luftë për Ligën e Europës

2    Kukësi          23   +15  43

3    Flamurtari      23   +19  42

4    Teuta           23   +9   42

5    Tirana          23   +6   38

E kanë siguruar qëndrimin

6    Vllaznia        23   +5   35

7    Laçi            23   +1   34

8    Kastrioti       23   -3   34

Në luftë për mbijetesë

9    Bylis           23   +5   29

10   Besa            23   -4   27

11   Shkumbini       23   -16  23

Kanë rënë nga Kategoria Superiore

12   Luftëtari       23   -18  18

13   Tomori          23   -22  15

14   Apolonia        23   -24  10

TRI JAVËT E MBETURA

JAVA 24/ 27.04.2013

Luftëtari-Tomori

Laçi-Shkumbini

Bylis-Teuta

Apolonia-Tirana

Vllaznia-Besa

Kukësi-Flamurtari

Skënderbeu-Kastrioti

JAVA 25/ 04.05.2013

Skënderbeu-Luftëtari

Kastrioti-Kukësi

Flamurtari-Vllaznia

Besa-Apolonia

Tirana-Bylis

Teuta-Laçi

Shkumbini-Tomori

JAVA 26/ 11.05.2013

Luftëtari-Shkumbini

Tomori-Teuta

Laçi-Tirana

Bylis-Besa

Apolonia-Flamurtari

Vllaznia-Kastrioti

Kukësi-Skënderbeu

Rikthehet Lushnja dhe Partizani

 Lushnja dhe Partizani e kanë siguruar tashmë ngjitjen në Kategorinë Superiore, për sezonin 2013-2014, një kampionat ky me 12 skuadra dhe tri faza, por që në fund të tij do të bien sërish katër të tilla, pasi sezoni tjetër, ai 2014-2015, do të jetë me 10 skuadra dhe katër faza. E vetmja enigmë nga Kategoria e Parë është fakti se, kush do të jetë kampioni, pavarësisht se Lushnja është vetëm një pikë larg, kur kanë mbetur edhe tri ndeshje.

Sulmuesi kosovar i Erzegebirge Aue në Gjermani ka luajtur për kombëtaret e moshave të Norvegjisë

  Flamur Kastrati: “Pres një ftesë nga Shqipëria”

 Flamur Kastrati, sulmuesi 21-vjeçar kosovar me pasaportë norvegjeze i Erzebibirge Aue në Bundesligën e Dytë gjermane, shprehu dëshirën përmes gazetës “Telegraf” për të veshur fanellën e Shqipërisë. Flamuri, i cili ka luajtur për ekipet kombëtare të moshave në Norvegji, nga U-15 deri në U-23, uron Kombëtares sonë të kualifikohet në Botërorin e Brazilit.

  – Flamur, ju jeni disi i panjohur për publikun shqiptar. Si dhe ku e keni nisur karrierën futbollistike?

– Karrierën e ka nisur, si çdo futbollist tjetër, duke u ushtruar për ditë me topin. Ekipi im i parë ishte SF Grei në Oslo, në Norvegji.

 – Keni tërhequr qysh në moshë të re vëmendjen e ekipeve të mëdha europiane. Si ndodhi?

 – Në moshën 14 vjeç kam qenë në provë te Çelsi dhe te Derbi Kounti. Më pas u interesuan për mua edhe ekipe të tjera europiane. Më i interesuar ishte ekipi holandez, Tuente, me të cilin u bashkova në moshën 16-vjeçare. Luajta 2 vjet e gjysmë me Tuenten, ndërkohë që më pas u huazova te VFL Osnabryk të Bundesligës së 2-të gjermane, për një periudhë gjashtëmujore. MSV Duisburgu bleu kartonin, për të cilin luajta një vit e gjysmë. Aktualisht, luaj me Erzgebirge Aue, me të cilën kam nënshkruar një kontratë deri në vitin 2015.

Shumë lojtarë kosovarë në vazhdimësi kanë shprehur dëshirën e tyre për të luajtur për Kombëtaren shqiptare. Cili është mendimi juaj?

 – Në fakt, kam luajtur me Kombëtaren e Norvegjisë për ekipet e moshave, nga U-15 deri në U-23. Gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj për Shqipërinë, pasi jam shqiptar dhe prindërit po ashtu. Dëshiroj të luaj për Shqipërinë. E kam shprehur kudo.

– Çfarë mendimi keni, për ata shqiptarë që kanë zgjedhur kombëtare te tjera?

– Secili ka zgjedhur, për atë ekip që ka qenë më mirë për veten e tij. Unë për vete luaj për Norvegjinë, por kam shumë dëshirë të luajë për Shqipërinë. Gjithsesi, ende s’kam pasur kontakte apo ndonjë ftesë. E përsëris, jam i gatshëm të luaj për vendin tim.

– A keni pasur oferta nga Kombëtare të tjera?

– Oferta tjera s’kam pasur, pasi unë kam luajtur për Norvegjinë nga ekipi U-15 e deri më sot, me atë U-21. Gjithmonë kam luajtur për Norvegjinë, por unë e kam gjakun shqiptar dhe dëshiroj të luaj për Shqipërinë.

– A keni pasur ndonjë kontakt me Federatën Shqiptare këto kohë?

– Jo. S’kam asnjë kontakt konkret për momentin.

– Cili është mesazhi yt?

– Mesazhi im është: i uroj shumë fat Shqipërisë në kualifikimin për Kampionatin Botëror në Brazil. Dua ta përsëris, jam i gatshëm nëse më ftojnë. Jam krenar që jam shqiptar!

 Cana me grip

Mesfushori shqiptar i Lacios, Lorik Cana, nuk mori pjesë në stërvitjen e djeshme të bardhekaltërve lacialë, për shkak të gripit.