Sadik Mema: “Triumfi u përket notarëve”

119

Flet për “Telegraf” kryetrajneri i Te Stela, fituese për femra e Kupës së Shqipërisë

Sadik Mema, trajneri i njohur i Akademisë së Notit Te Stela, tha për gazetën “Telegraf” se, notarët e tij i arritën objektivat dhe pritshmëritë nga aktiviteti i Kupës së Shqipërisë, i mbyllur vetëm dy ditë më parë. Dy sportistët më të mirë të kompeticionit, si për femra ashtu dhe për meshkuj dolën nga ky ekip: Nikol Merizaj (2224 pikë FINA) dhe Klavio Meçe (2533 pikë FINA), me këtë të fundit që theu edhe tre rekorde Kombëtare në 400m, 800m e 1500m stil i lirë. “Është një sukses i merituar i gjithë notareve të ekipit Te Stela. Zumë vendin e parë me femra dhe të dytin për meshkuj, çka është një ecuri shumë e mirë e Akademisë sonë në shumë pak vite pune. Shpresojmë të arrijmë rezultate të mira dhe të jemi fitues e të thyejmë disa rekorde Kombëtare edhe në Kampionatin Kombëtar që do të zhvillohet në muajin shtator”, – tha “Pupi” për gazetën. Te Stela fitoi gjashtë vende të para për meshkuj dhe tetë vende të para për femra, ku spikasin Klavio Meçe me katër vende të para dhe Nikol Merizaj po me katër vende të para, praktikisht në të gjitha garat që ata morën pjesë. Trajneri Mema, i cili ka më shumë se 40 vjet që i kushtohet notit, tha se Kupa e Shqiëprisë ishte  organizuar shumë mirë nga Federata Shqiptare e Notit.

 – Zoti Mema, ekipi i femrave i Akademisë së Notit “Te Stela” fitoi Kupën e Shqipërisë. Cilat janë vlerësimet tuaja?

– Padyshim është një sukses i merituar i gjithë notareve të ekipit Te Stela. Më shumë bukuri suksesit ia jep edhe fakti që, Nikol Merizaj u shpall sportistja më e mirë e aktivitetit, duke fituar më një rivalitet të fortë me Anxhela Kasharin e Tirana Delfin Sport.

– Edhe për meshkuj, sportisti më i mirë doli nga ekipi juaj…

– Po, Klavio Meçe u shpall me meritë si sportisti më i mirë. Meçe theu edhe tre rekorde Kombëtare për të Rritur në 400m, 800m e 1500m stil i lirë.

– Kupa e Shqipërisë u mbyll me 17 rekorde të reja kombëtare. Cili është komenti juaj?

– Kupa, tej numri të madh të rekordeve pati shumë anë pozitive. Përsa i përket Te Stela, ne zumë vendin e parë me femra dhe të dytin për meshkuj, çka është një ecuri shumë e mirë e Akademisë sonë në shumë pak vite pune.

– Çfarë premtojnë këta notarë?

– Unë besoj se, për të ardhmen do të jemi shumë më të sigurt në aktivitete që do të zhvillojë noti shqiptar dhe do të kemi më shumë rezultate.

– Akademia Te Stela fitoi edhe Kampionatin Kombëtar për Fëmijë, si për meshkuj ashtu dhe për femra. Në fillim të shtatorit do të zhvillohet Kampionati Kombëtar. Cilat janë objektivat tuaja?

– Në muajin shtator do të jetë aktiviteti përmbyllës i sezonit, Kampionati Kombëtar për të Rritur, Të Rinj e Fëmijë. Mendoj se, ne do të arrijmë të ruajmë pozitat tona, pasi edhe konkurrenca do të jetë e fortë, sidomos me ekipin e Tiranës. Shpresojmë të arrijmë rezultate të mira dhe të jemi fitues e të thyejmë disa rekorde Kombëtare.

 RENDITJA EKIPORE

 MESHKUJ

1. Tirana       308 pikë

2. Te Stela     158 pikë

3. Teuta Suiming 104 pikë

FEMRA

1. Te Stela     164 pikë

2. Tirana       147 pikë

3. Partizani    65 pikë

RENDITJA INDIVIDUALE

 MESHKUJ

1. Klavio Meçe (Te Stela) 2533 pikë FINA

 FEMRA

1. Nikol Merizaj (Te Stela)     2224 pikë FINA

 

Fituesit e vendeve të para nga ekipi Te Stela

 Meshkuj

200 m stil i lirë    Klavio Meçe     2’01”34

400 m stil i lirë    Klavio Meçe     4’12”38

800 m stil i lirë    Klavio Meçe     8’48”88

1500 m stil i lirë   Klavio Meçe     16’45”00

50 m bretkosë        Deni Baholli    31”45

100 m bretkosë       Deni Baholli    1’12”74

4×100 m stil i lirë                  3’57”95

Sportisti më i mirë: Klavio Meçe (2533 pikë FINA)

  Femra

100 m stil i lirë    Nikol Merizaj   1’01”61

200 m stil i lirë    Nikol Merizaj   2’17”32

400 m stil i lirë    Nikol Merizaj   4’52”50

800 m stil i lirë    Mishel Koroveshi 11’32”06

1500 m stil i lirë   Mishel Koroveshi 21’32”06

100 m flutur         Nikol Merizaj   1’09”78

400 m katërnotim           Rashel Demko    6’16”70

4×200 m stil i lirë                  57”79

Ekipi më i mirë: TE STELA (144 pikë)

Sportistja më e mirë: Nikol Merizaj (2224 pikë FINA)