Basha:Harta e re,e papranueshme dhe anti-ligjore, në Kushtetuese

467
Sigal

TIRANE –  Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, një ditë pas miratimit me 88 vota të reformës territoriale ka reaguar duke e cilësuar këtë reformë të papranueshme. Në një konferencë shtypi, Basha paralajmëroi se do ta çojë këtë reformë në Gjykatën Kushtetuesë, pasi për Partinë Demokratike harta e re me 61 bashki është e papranueshme dhe për qëllime elektorale. “Kjo reformë asgjë  nuk ka të bëjë me fuqizimin e pushtetit vendor dhe decentralizimin. Është ndarë torta e çifliqeve, dhe e shesin në publik me emrin  reformën. E nisën pa opozitën dhe e mbaruan pa opozitën. E nisëm gjoja me shoqërinë civile e pastaj i futën bërrylin. Injoruan zërat e arsyes kundër. E nisën me maskën e partnerëve ndërkombëtarë, por shumë shpejt e hoqën maskën në fjalë. Injoruan thirrjen për gjithë-përfshirje. E nisën sëprapthi dhe e e përfunduan sëprapthi.  Ata kishin dhe kanë në mendje tortën e pushtetit, e nisën kundër Kushtetutës dhe përfunduan kundër kushtetutës. Nuk po dëgjohet zëri i banorëve që po protestojnë.  PD ka mbështetur që në fillim nevojën për një reformë, ne kërkuam që decentralizmi të printe. Kërkuam  që komisionit t’i shtohej edhe decentralizimi.  Mazhoranca nuk pranoi të bashkëpunonte. Përmes aktit të djeshëm dyshja Rama- Meta ka goditur bashkëjetesën politike. Sot është një ditë e zezë. Harta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet. Tani radhën e kanë institucionet e pavarura, gardianët e kushtetutës. Fjalën e fundit e kanë qytetarët të cilët nuk u pyetën”, ka thënë kryetari i PD-së Lulzim Basha. Kreu i demokratëve la të kuptohej se opozita pret nga Presidenti i Republikës kthimin e kësaj reforme dhe mundësinë e depozitimit të një kërkese në Gjykatën Kushtetuese. I pyetur nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, Basha tha se PD do të qëndrojë pranë qytetarëve që qëndrojnë në rrugë pa flamuj partie.  Ai gjithashtu u shpreh i mërzitur edhe me vendimin e PDIU-së që votoi reformën territoriale.   “Opozita është përjashtuar, dhe ne nuk merremi me pazaret apo kockat e të tjerëve”, tha kryetari i demokratëve Lulzim Basha.