S.C. Gjilani është “Flamurtari vogël” në futbollin e Kosovës

269

Nga Moisi Dalipi

S.C. Gjilani është “Flamurtari vogël” në futbollin e Kosovës

Shënime, fakte dhe opinione nga klubi i futbollit të Gjilanit- 

Kur vendos përpara listën me përbërjen e ekipit të futbollit të Gjilanin, nuk e ke shumë të vështirë të konstatosh, por dhe ta thuash me bindje se S.C. Gjilani është si një “Flamurtar i vogël” në futbollin e Kosovës. Dhe ndodh kështu, sepse trajneri që ka nëntë muaj që drejton këtë skuadër më parë ka qenë trajner i Flamurtarit të Vlorës. Por jo vetëm ai, por janë dhe pesë futbollistë të tjerë të formacionit të parë që më parë janë aktivizuar tek Flamurtari dhe këtë sezon janë pjesë e S.C. Gjilanit në futbollin kosovar. Kështu ndodh me mbrojtësin Franc Veliu, me mesfushorët Gerhard Progni, Muhamet Hyseni dhe Bedri Greca dhe sulmuesin kroat Tomisav Bushiç. Të pestë këta futbollistë në periudha në ndryshme kanë qenë pjesë e Flamurtarit në sezonet e shkuara në futbollin shqiptar. Ata janë bashkuar këtë sezon tek kjo skuadër edhe nga arsyeja, se trajneri 43 vjeçar Gentian Mezani i njeh mirë aftësitë e tyre futbollistike, kur i ka pasur pjesë tek ish-skuadrës që ka drejtuar Flamurtarin. Por jo vetëm kaq, pjesë e skuadrës bardhekuq janë dhe portieri Shkëlzen Ruco, mbrojtësit Ylli Shameti dhe Jackon Ferreira. mesfushori Fjoart Jonuzi. Të gjithë “njohje e vjetër” nga trajneri Mezani gjatë viteve të trajnimit të skuadrave të ndryshme në futbollin shqiptar. Dhe kur e shikon këtë “skuadrilje “ në fushën e lojës me fanellat bardhë e kuq, të duket se ka shumë pika të përbashkëta me stilin e lojës dhe mënyrën e funksionim si dikur Flamurtari i Vlorës, në ato vite kur jetonte ditët e bukura të futbollit tij. Siç duket, trajneri Mezani i ka dhënë diçka nga ajo filozofi vlonjate e të luajturit futboll dhe kësaj skuadre që garon mirë e bukur në Superligën e Kosovës, ose IPKO –Superliga siç e kanë emërtuar kampionatin e tyre të futbollit drejtuesit e Federatës të Futbollit të Kosovës. Por më i plotë portreti ekipit të S.C –Gjilanit bëhet kur pjesë e skuadrës janë dhe futbollistë nga trevat e futbollit kosovar si Kenan Haxhihamza, Ylber Kastrati, Edison Kqiku, Armend Halili, Salih Kosumi, Fiton Hajdari, Qëndrim Dauti dhe Kushtrim Shabani. Një ansambël vërtetë simpatik ky, që luan futboll aq bukur, duke marrë në çdo ndeshje admirimin dhe entuziazmin e tifozëve dhe dashamirësve të tyre. Rasti e solli që këto ditë të ishim të pranishëm në përballjen “big-metch” S.C. Gjilan – Prishtina. Ishte ndeshja e javës të 17- të e Superligës, që koincidonte dhe me javën e fundit të pjesës parë të këtij kampionati. Pavarësisht nga rezultati përfundimtar 0-0 i kësaj ndeshjeje, ishte kënaqësi të shikoje një prani aq të madhe të tifozerisë vendase, të grupimit “Skifterat”, të cilët me entuziazmin e tyre gjatë gjithë ndeshjes, pa asnjë fyerje dhe ofendim ndaj skuadrës kundërshtare dhe trupës të gjyqtarëve, motivonin moralin e skuadrës tyre të zemrës. Këta tifozë kaq të zjarrtët të pagëzuar me emërimin “Skifterët” jo shumë larg, por pak ditë më parë festuan 20 vjetorin e krijimit tyre, ishin ndër të parët që me dy kamionë me ndihma në ushqime dhe veshmbathje u janë ndodhur pranë banoreve të Durrësit, të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Por jo vetëm kaq, sepse klubi i futbollit të Gjilanit me më krye drejtorin sportiv Salla Sherifin me ndihma është ndodhur pranë dhe banorëve të Fushë –Krujës. Dhe meqenëse jemi tek kjo temë e ditës në tërë opinionin mbar shqiptar, duhet përmendur dhe gjesti tepër fisnik i presidentit të klubit të Gjilanit, Florim Zuka që për më shumë se një javë ka vendosur në dispozicion të zonave të dëmtuara nga tërmeti, një brigadë me mjete të specializuara nga bisnesi i tij. Gjithsesi, askush prej tyre nuk dëshiron shumë t’i bëjë të pranishme në bisedë këto akte humane, sepse siç tha dhe drejtori ekzekutiv i klubit Sefdai Rubelli: “Ndihma në vëllazëri, është veçse një detyrë që duhet krye me çdo kusht”. Dhe duke u kthyer tek skuadra e futbollit S. C. Gjilani mund të themi se në këtë sezon ka një paraqitje krejt ndryshe nga sezonet e kaluara. Kështu pas 17 javëve kampionat S.C. Gjilani mban vendin e dytë në klasifikim me 32 pikë, me bilancin: 10 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje. Në listën e golashënuesve të kësaj skuadre bie në sy golat e shumtë të shënuar nga Progni dhe Bushiç. Duke kërkuar të veçojë ndeshjet më të spikatura, trajneri Mezani e ka të vështirë ta bëjë një gjë të tillë, sepse siç thotë dhe vetë: “Edhe në ndeshjet që kemi humbur si ato me Trepça 89, dhe Ballkanin jashtë fushës sonë skuadra ka luajtur mirë, por fati nuk ka qenë me të”. Trajneri 43-vjeçar, vlonjati Gentian Mezani që ka një eksperiencë disa vjeçare në drejtimin e skuadrave të kampionatin shqiptar siç janë Flamurtari, Laçi dhe Luftëtari, nuk dëshiron të nxitohet në mendimit që jep për skuadrën e tij, kur nuk ndan si pjesë të kësaj ecurie pozitive që ka skuadra e tij dhe stafin e vet me Alban Hysenin, Afrim Hajdinin dhe drejtorin sportiv Salla Sherifi, që çdo ditë me pasion dhe përkushtim bëjnë më të mirën në shërbim të skuadrës tyre. Vetë vendi që mban skuadra e Gjilanit në klasifikim, ku është pjesë e grupit të më të mirëve të lë të kuptosh se objektivat e tyre në këtë sezon janë tepër ambicioze, ku synohet për të qenë një nga dy ekipet që kosovare që do të siguronin pjesëmarrjen në Evropa –League. Gjithsesi pjesa e dytë e kampionatit që pritet të filloi në muajin mars të 2020, pa asnjë dyshim do jetë një garë shumë e fortë midis skuadrave më mira të futbollit Kosovar siç janë Ballkani, S.C. Gjilani, Drita, Prishtina, Feronikeli, Drenica dhe Llapi. Janë shumë pranë njëra –tjetrës në klasifikim, dhe çdo javë mund të sjellë përmbysje dhe zhvendosje në renditje. Në sezonet e kaluara disa nga këto skuadra janë drejtuar trajnerët të ardhur nga kampionati shqiptar si Mirel Josa tek Prishtina. Gugash Magani tek Trepça 89, Sulejman Starova tek Feronikeli, Bledi Shkembi tek Liria –Prizrenit, Shpëtim Duro tek “Drita “ e Gjilanit dhe Samual Nika tek Flamurtari –Prishtinës. Dhe po të shtosh këtu dhe futbollistët të ardhur nga kampionati shqiptar në futbollin kosovar si Plaku, Marku, Hila, Magani, Hysaj dhe shumë të tjerë, ashtu siç mund të thuhet për futbollistët kosovarë pjesëmarrës në kampionatin shqiptar. Me të drejtë mendon dhe konstaton se tashmë futbolli e ka kryer më së miri njësimin Shqipëri -Kosovë. Por së pari, ky fakt tregon, se këto shkëmbime sportive jo vetëm që rrisin cilësinë e futbollit, por i japin atij atë atribut që ndryshe e vlerësojnë si lojën më popullore të njerëzve. Por vetë qyteti Gjilanit ka dy skuadra futbolli S. C, Gjilani dhe “Drita” që formojnë kështu “Derbin” e fortë gjilanas. Të dyja janë skuadra që janë në rivalitet të fortë me njëra me tjetrën, sa pak kush e ka të vështirë që të gjejë një vend në stadium në ballafaqimet midis tyre. Në ndeshjen e parë të zhvilluar dy muaj me parë për kampionat “Drita” ka fituar me rezultatin 1-0, por festa sportive që ka përjetuar tërë qyteti ka qenë shumë e veçantë, shumë e bukur ne çdo detaj. Për momentin S.C. Gjilani dhe “Drita” ndaj vendet e dyta dhe të tretë në klasifikim, ku vetëm një pikë i ndan midis tyre, Gjithsesi ndeshja e ardhshme “Derbi” që pritet të zhvillohet në pranverën e ardhshme pritet të jetë një shfaqe bukur sportive, ku brenda saj do ketë garën, rivalitetin dhe dëshirën për fitore. Kryetifozi i grupimit të tifozëve “Skifterët”, Shkëlqim Limani na sqaron: “Kur afron ndeshja e Derbit, tërë qyteti gjatë gjithë javës jeton vetëm me futbollin. Është ngjarje e veçantë dhe shumë e bukur. Jemi kundërshtarë vetëm për 90 minuta, sepse pastaj jemi pjesë e qytetit tonë të dashur”. Këtë gjë e konfirmon më së miri dhe punonjësi shtypit Mërgim Qerimi. Kështu klubi futbollit të Gjilanit, i krijuar që në 1945, që në absurditet të plotë për kohën, për periudhën 1945-1974 mbante emrin Crvena –Zvezda –Gjilanit dhe pas vitit 1995 është pagëzuar me emrin kuptim plotë S.C Gjilani, tashmë në këto sezonet e fundit futbollistike ka nisur të mendojë dhe të shijojë sukseset dhe investimet që po kryen nga biznesmeni i njohur Florim Zuka. Dëshira dhe objektivi parësorë për këtë skuadër futbolli mbetet sigurimi të drejtës për të marr pjesë në kompeticionin evropian të Evropa –League. Një ambicie serioze kjo për të cilën futbollistët, stafi trajnerëve dhe tifozët punojnë çdo ditë e më fortë për ta bërë atë realitet të prekshëm në futbollin kosovar.