Gjermani/ ‘Bizhuteri dhe dekorime prej ari’, grabitet muzeu i Stasi-t

402
Sigal

Muzeu i Stasi-t në Berlin, që tregon historinë e policisë politike të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë, është grabitur nga persona ende të paidentifikuar.

“Gjatë kësaj grabitjeje janë vjedhur bizhuteri dhe dekorime prej ari”, njoftuan sot autoritetet, disa ditë pas grabitjes spektakolare të një muzeu në Dresden.

“Grabitësit janë futur të dielën nga një dritare e muzeut, kanë thyer disa xhama dhe kanë grabitur medalje dhe bizhuteri”, deklaroi policia në një komunikatë.

Momenti i grabitjes nuk dihet, por një punonjës ka zbuluar dje në mëngjes vitrinat e thyera në sallat e ekspozitave.

“Mes sendeve të vjedhura gjendej një medalje ari i Urdhërit për Merita Patriotike, një e Urdhërit të Leninit dhe një e Urdhërit të Karl Marksit, deklarata më e lartë në Gjermaninë komuniste”, theksoi drejtori i muzeut, Jörg Drieselmann për të përditshme “Tagesspiegel”.

“Unaza dhe një orë janë grabitur. Ato iu ishin konfiskuar qytetarëve nga policia politike”, shtoi ai.

Pas rrëzimit të regjimit komunist në vitin 1990, shumë sende iu janë kthyer pronarëve të tyre.

Disa të tjera që nuk janë kërkuar janë ekspozuar në Muzeun e Stasi-t.

“Nuk kanë qenë thesare me vlera të çmuara. Por, ne jemi një muze historik dhe nuk presim të grabitemi”, deklaroi drejtori për “Tagesspiegel”.

Kjo grabitje ndodhi disa ditë pas një grabitjeje në muzeun e ashtuquajtur “Grünes Geëölbe” në Dresden, në ish-RDGJ, ku grabitësit kanë marrë bizhuteri të shekullit XVIII me një vlerë të pallogaritshme.