Petrit Murzaku, sportisti dhe Njeriu në kufijtë e Legjendës

1406
Shpendi Topollaj
KËNDVËSHTRIM/ Rreth librit “Petrit Murzaku-krenaria e sportit shqiptar”, që realisht sjell një nga këto krenari ndër vite
Të qenit Njeri, ua kalon edhe dekoratave
Sapo e mbarova së lexuari librin për jetën e sportistit universal Petrit Murzaku, m`u kujtua një anekdotë: Një princ, i lodhur nga qëndrimi në pallat, doli në mal për shëtitje. Kur e mori uria, hyri në një han që i doli përpara, ku i gatuan dy vezë, pasi nuk kishin gjë tjetër. Ai u kënaq dhe pyeti sa kushtojnë. I zoti i hanit i tha: – Dy napoleona flori. Princi si me shaka pyeti përsëri: – Pse kaq shtrenjtë, apo i keni të rralla pulat ju këtej. – Jo – iu – përgjigj hanxhiu – nuk i kemi të rralla pulat, por të rrallë janë princët. Librat sot nuk janë të rrallë, por ky libër është shumë i vyer, pasi është i rrallë personazhi që trajtohet aty, një Njeri dhe sportist i mrekullueshëm, aq sa i nderuari profesor Ismet Bellova, duke folur në kohën kur i urti dhe puntori i palodhur Servet Tartari, merrej me përgatitjen e tij, më tha se “Murzaku meriton volume të tëra, madje jemi të vonuar, por shkruarja e një monografie për të, është një punë sa e lehtë, aq dhe e vështirë”. Dhe ashtu është me të vërtetë; pasi për këtë figurë legjendare e shumë dimensionale të sportit tonë dhe njeri me zemër të artë, të gjithë, anë e kënd Shqipërisë, kanë ç`të tregojnë, por duhet mendja e Cvajgut që të analizojë habinë e harmonisë gati mitike, të madhështisë me thjeshtësinë e modestinë tij. Jo më kot R. Rolani quante heronj, jo ata që fituan me mendje apo me forcë, por vetëm atë që ka qënë i madh me zemër. Dhe zemra e Petrit Murzakut, në radhë të parë, është ajo që ka bërë që ai të ketë kaq shokë e miq. Ja pse merr rëndësi të veçantë, në faqet e këtij libri, thënja e dramaturgut të respektuar, ish skënderbegasit Minush Jero: “Me dashurinë dhe respektin e madh që kanë njerëzit për ty, ti ke fituar titullin e të qenit Njeri, me të cilin mburren shokët, miqtë, familja, farefisi dhe të gjithë sportdashësit shqiptarë. Besoj se, ky është dhe vlerësimi më i madh, që ua kalon edhe dekoratave me të cilat je nderuar për meritat që ke dëshmuar…”
Në këtë këndvështrim, duhet përgëzuar sinqerisht autori i këtij libri, se fundja jo më kot egjiptianët e vjetër, thoshin se “Libri është më i vlefshëm se përmendorja e stolisur me piktura, relieve apo gravura, meqë ai ngre përmendore në zemrën e atij që e lexon”.
Kultura që kultivoi si Skënderbegas
Napolon Bonaparti, njëherë pati thënë se: “Edukimi i fëmijës duhet të fillojë njëzet vjet para se të lindë, me edukimin e babait dhe nënës së tij”. Edhe Serveti, mbështetur në këtë konstatim, ka ditur të na japë bindshëm ecurinë e Petritit, qysh nga fëmijëria, për të mos thënë që nga i ati, Avrami që i la fëmijët fare të vegjël, nëna Sotira që i rriti me aq mund e halle dhe ai që u bë si gjyshi i Petritit, miku i Avni Rustemit e Fan Nolit, Theofan Koja. I rritur dhe edukuar nga të tillë atdhetarë të ndershëm, kuptohet dhe motivohet përfshirja e Petritit 12 vjeçar, në lëvizjen për liri dhe më pas, ditën e fitores mbi fashizmin, rreshtimi i tij në shkollën e lavdishme “Skënderbej”, prej nga nuk iu nda shpirti asnjëherë dhe nga ku ai ruan respektin më të thellë, për edukatorë si Ali Kastrati, Rexhep Rama, Izet Cani, Dashamir Ohri e shumë të tjerë. Në këtë shkollë mori udhë karakteri dhe perspektiva e tij si sportist e njeri. Në këtë shkollë, si askund tjetër gumëzhinte edhe jeta sportive. Petriti i kishte të gjitha të dhënat e duhura, ndaj u aktivizua kudo. Ai dijti të racionalizojë të gjitha aftësitë personale që përbëjnë sipas Harri Baksit, premisat e suksesit dhe është ashtu siç vëren miku im skënderbegas Medi Ramohito, se ai jo vetëm u përfshi në ç`do lloj sporti, por ai kudo doli i pari. Kjo dhe e bën atë një simbol të të gjitha vlerave të larta që kultivoi ajo shkollë, tek ne skënderbegasit. Në qoftëse sot kujtojmë fjalët e Hegelit se “Njeriu s`është kurrgjë tjetër, veçse një varg i veprave të veta”, Petrit Murzaku është i denjë të baravitet me heronjtë e olimpiadave të lashtësisë, pikërisht se të tilla ishin veprat e tij në jetë. Ai mbahet mend si volejbollist, basketbollist, futbollist, hendbollist, atlet, boksier, alpinist etj. që ngriti peshë stadiumet me rezultate të papara. Por unë do ndalesha shkurt tek ana njerëzore e këtij gjigandi. Madje edhe për këtë do shfrytëzoj, ndonjë nxitim të tij që në libër aq bukur i ka trajtuar autori Tartari. I mësuar me fitore, Petriti si trajnier, kur skuadra e tij e “Partizanit” humbet një ndeshje volejbolli me Tiranën dhe duke mos e marrë në konsiderate justifikimin e pjestarëve të ekipit, i rrëmbyer nga zemërimi, u futet me pëllëmba lojtarëve. Pra majori po rrihte ushtarët, gjë kjo shumë e dënueshme edhe në atë kohë. Ai menjëherë e kupton gabimin e rëndë dhe pret ndëshkimin burrërisht. Pendohet dhe del pa u lagur, nga dashuria që sportistët kishin për këtë njeri të drejtë dhe nga arsyetimi i heronjve të popullit dhe ushtrisë tonë, gjeneralëve Petrit Dume e Rrahman Parllaku. 
Sportisti “Yll Polar” që s’shuhet kurrë
Mjeshtri i madh Vangjel Koja, kundërshtari i tij sportiv, por dhe miku më i mirë i Petritit, në kujtimet e tij, përmend ngjarjen e vitit 1955, në kampionatin europian, kur Petriti i nervozuar nga arbitrimi i njëanshëm i rumunit Florian, e tundi kullën bashkë me arbitër, duke marrë jo vetëm miratimin e publikut, por dhe interesimin, pas 12 vjetësh të arbitrit që gaboi i cili pyeste nga Stambolli: – Si është me shëndet Murzaku? Po kështu, megjithë dashurinë e pafund që kishte për të, ai e kundërshton energjikisht gjeneralin Petrit Dume, kur sheh se dikush e kishte dizinformuar, duke evidentuar revoltën dhe kurajon e tij si qytetar, sportist dhe ushtarak, sa herë shihte padrejtësi. Për metaforë mund të thonim se Petrit Murzaku ishte ishte një meteor që ndriçoi përherë ëndërrat e brezave që u ulën në bangat e shkollës tonë. Por ky krahasim përsëri nuk është i goditur, pasi për të duhet pohuar se qe një Yll Polar që nuk u shuajt kurrë dhe kurrë s`ka për t`u shuar. Dhe jo vetëm nga kujtesa e skënderbegasve, por e të gjithë shqiptarëve. Këtë e dëshmon fare qartë edhe ky libër (ku duhet përgëzuar edhe shoku ynë, Vasil Premçi për kompetencën e treguar në redaktimin e tij) me vlerësimet dhe fjalët e zemrës që thonë për të personalitete të shquara të sportit tonë, të kulturës dhe të artit, apo dhe sportdashësit e thjeshtë që ende ruajnë të gjalla impresionet që shkaktonte loja e rrallë e këtij princi të rrallë të sporteve tona, jehona e të cilit besoj se nuk do të jetë shuar edhe atje në San Petersburgun e largët ku ai studioi. Pikërisht për këtë, Petriti duhet të jetë i lumtur. Ai është i rrethuar nga dashuria e miqve të tij, se edhe vetë ka ditur të dhurojë miqësi dhe se tek e fundit nuk kanë thënë kot se “Trëndafilat, zambakët, karafilat – të gjitha lulet thahen; çeliku dhe hekuri thyhen; por shoqëria e vërtetë as thahet, as thyhet”. 
Dr. shk. Mikado Shakohoxha, duke bërë fjalë për vlerat e Petrit Murzakut ka shkruar se “Gjithë ai gjoks i profesor Petrit Murzakut, nuk i mban dot të gjitha dekoratat e fituara në jetë”. Kjo është mëse e vërtetë, por duke e mbyllur shkrimin tim për këtë hero që në një shkrim e kam quajtur “sportist e Njeri – çudi”, më lejoni të citoj Habardin që thosh për raste të tilla se “Zoti nuk do t`ju shohë medaljet, gradat apo diplomat, por cilësitë që keni”. Pikërisht këto cilësi, siç del nga ky libër, e ngrenë atë në kufijtë e legjendës. 
Dr. shk. Mikado Shakohoxha, duke bërë fjalë për vlerat e Petrit Murzakut ka shkruar se “Gjithë ai gjoks i profesor Petrit Murzakut, nuk i mban dot të gjitha dekoratat e fituara në jetë”. Kjo është mëse e vërtetë, por duke e mbyllur shkrimin tim për këtë hero që në një shkrim e kam quajtur “sportist e Njeri-çudi”, më lejoni të citoj Habardin që thosh për raste të tilla se: “Zoti nuk do t`ju shohë medaljet, gradat apo diplomat, por cilësitë që keni”
Sigal