Sekretari i Federatës së Notit të Kosovës: Gara e organizuar mirë dhe me standarde

768
Sigal

Haliti: Gara të organizuara mirë, por masiviteti nuk përshtatet me atë vijë bregdetare që ka Shqipëria

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës vlerëson organizimin, ndërsa prezanton dhe objektivat për Kampionatin Botëror të Notit në Korenë e Jugut…

Në kampionatin kombëtar të notit për të rritur dhe të rinj, si aktiviteti më i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Notit, ka qenë i pranishëm sekretari i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti. I pranishëm në Durrës, teksa 40 notarë të perspektivës prej ditësh stërviten në pishinën “Taq Dafa”, Haliti ka gjetur kohën për të parë dhe kampionatin kombëtar shqiptar të notit. Kryekzekutivi i Kosovës ka vlerësuar organizimin, si dhe standardet e pishinës. Veçse ka kërkuar mbështetje më të madhe të qeverive respektive të Kosovës dhe Shqipërisë ndaj sporteve të ujit, sepse, sipas tij, nuk është normale që në një vend si Shqipëria me një vijë bregdetare prej 500 kilometrash të jenë vetëm 8 ekipe pjesëmarrëse në kampionatin e të rriturve. Haliti pranon që ekipet kosovare kanë qenë të ftuar, por duke qenë se ky kampionat është i mbyllur dhe vetëm për ato të federuar në Federatën Shqiptare të Notit, pra si rrjedhojë do të konkurronin jashtë garës, atëherë e kanë parë të udhës të mos jenë të pranishëm. Tre sportistë në Botërorin e Notit në Korenë e Jugut, kurse Haliti kërkon përmirësimin e rezultateve dhe thyerje rekordesh.

– Vini si sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Kosovës. Cila është përshtypja për kampionatin kombëtar të të rinjve dhe të rriturve të Shqipërisë?

– Së pari, përshtypja sigurisht që është e mirë. Organizimi është shumë i mirë, pishina është me standarde shumë të mira. Por sigurisht që pjesëmarrja nuk më duket se është masive, apo sikurse e meriton sporti i notit në Shqipëri. Kjo të paktën edhe sipas asaj që komentatori prezantoi janë vetëm 8 ekipe që do të thotë se është një numër i vogël për një vend si Shqipëria me një bregdet për rreth 500 kilometra. Ky nuk është një problem shumë i madh i Federatës, sepse nuk është Federata ajo që mund ta zgjidhi këtë problem. Por është qeveria, e cila ashtu si këtu, por dhe në Kosovë, nuk janë duke bërë mjaft për sportet e ujit. Aq më tepër që janë ndër sportet kryesore në Botë dhe në shtetet e zhvilluara dhe mundësitë e këtyre dy qeverive besoj se janë për të ndërtuar infrastrukturën e duhur në qytetet ku mungojnë pishinat në mënyrë që ky sport të ketë masivitetin që duhet të ketë.

– A duhet të kishte sot pjesëmarrje nga Kosova?

– Patjetër që ne jemi të ftuar. Por ky është kampionat i mbyllur për klubet shqiptare dhe është kampionat shqiptar, nuk është kampionat mbarëkombëtar. Për këtë arsye ndoshta dhe nuk kemi sjellë garues për shkak se këto kampionate kur janë të mbyllura zakonisht marrin pjesë notarë të federuar në Federatat përkatëse. Dhe notarët e Federatave të tjera mund të jenë jashtë konkurrencës. Nuk është se do të ishte më madhështor. Sigurisht që që masiviteti do të rritej në të njëjtën kohë dhe konkurrenca. Por vlera e konkurruesve jashtë gare është pak më e vogël.

– Së fundi, cila do të jetë pjesëmarrja e Kosovës në Kampionatin Botëror të Koresë së Jugut?

– Kosova ka tri ftesa në Kampionatin Botëror. Do të jenë dy vajza, Eda Zeqiri dhe Fjorda Shabani, si dhe Dreno Kimeraj dhe një trajner. Personalisht do të jem dhe unë që do të marr pjesë në Kongresin e Federatës Botërore të Notit. Kjo është pjesëmarrja jonë. Nuk presim rezultate të larta krahasuar me shtetet që marrin pjesë në atë Kampionat. Por presim të përmirësojmë rekordet në disiplinat ku këta sportistë do të marrin pjesë. Dhe ky do të ishte sukses jashtëzakonisht i madh i këtyre sportistëve, i trajnerëve të tyre dhe i Federatës nëse përmirësohen këto rekorde.