Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani: Ecuria e notit shqiptar dhe e Federatës, më shumë se sa pozitive

579
Sigal

Bezhani: Ecuria e notit dhe e Federatës, më shumë se sa pozitive

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar vlerëson Kupën Mbarëkombëtare, por njëkohësisht dhe rekordet e thyera nga notarët shqiptarë

Gjergj Vyshka

Gjatë ditëve të zhvillimit të “Teuta Cup 2019”, apo Kupës Mbarëkombëtare në not, e cila për tre ditë u bë në pishinën “Taq Dafa” të Durrësit, ka qenë i pranishëm dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Në intervistën e tij dhënë gazetës “Telegraf”, i pari i olimpizmit shqiptar, jo vetëm që ka vlerësuar ecurinë e Federatës Shqiptare të Notit, veçanërisht pas ardhjes së Agim Çirakut president, por dhe rezultatet pozitive të notarëve shqiptarë. Për më tepër rekordet, ku ka nënvizuar atë të Thoma Dunit në 200 metra shpinë, që vinte pas gati 30 vjetësh. Për Bezhanin pjesëmarrja në këto aktivitete jo vetëm që është detyrim, por kështu notarët shqiptarë marrin dhe pikët e domosdoshme për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Në tërësi Bezhani është shprehur pozitiv jo vetëm për aktivitetin, por dhe për pjesëmarrjen e notarëve nga Evropa, që i jep mundësinë notarëve shqiptarë të masin forcat e tyre.

  • Ky është aktiviteti i parë i Federatës Shqiptare të Notit për sezonin veror. Ka një pjesëmarrje të gjerë. Si e vlerësoni këtë aktivitet?

Është me të vërtetë një sukses. Federata Shqiptare e Notit mund të themi që ka vite, sidomos në këto 5-6 vitet e fundit, që me ardhjen e presidentit të ri ecuria e saj është pozitive. Nga viti në vit duke u thyer rekorde, ndërsa jo më larg se sa dita e parë e këtij aktiviteti është thyer një rekord në 200 metra shpinë. Një rekord që vjen pas gati 30 vjetësh, pra rezultatet janë mjaft pozitive. Dhe kuptohet që është meritë e kësaj Federate, e cila është duke punuar jashtëzakonisht shumë mirë dhe ka një ecuri jashtëzakonisht të mirë. Duke parë dhe këtë masivitet shpresojmë që rezultatet të jenë gjithmonë pozitive. Nuk duhet të harrojmë që kjo Federatë është pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike, ndërsa rezultatet e saj kanë ardhur gjithmonë në rritje.

  • Si e vlerësoni faktin që në këtë aktivitet ndërkombëtar marrin pjesë dhe notarë nga Italia e Gjermania? Çfarë do të thotë kjo, në tërësi për aktivitetin?

Kjo është në radhë të parë vlerësim për Federatën. Pra, këtë aktivitet e njohin ndërkombëtarët. Kjo është një anë pozitive. Por më pozitive është për cilësitë e vet sportistëve, sepse notarët tanë në këtë mënyrë matin forcat me notarët që vijnë nga jashtë apo më të mirët që ka Evropa. Kjo është shumë pozitive, sepse tregon një ecje përpara për notin shqiptar.

  • Gjithashtu në këtë aktivitet ka shumë rivalitet. Pra, ka një konkurrencë shumë të madhe. Por ka dhe notarë elitarë të kombëtares sonë, që në fakt janë flamuri kombëtar në arenën ndërkombëtare

Duhet të kuptojmë një gjë, sportistët tanë marrin pjesë nëpër këto turne, sepse duan të marrin pikë për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Pra, të ngjiten në renditje, ndërsa të gjitha aktivitetet kanë një vlerësim maksimal nga sportistët.