Naxhi Shensoi: “E vërteta e ikjes sime nga Kukësi”

616
Sigal

Ish-trajneri “Kam qenë i suksesshëm, por disa banditë më shanë nga nëna që nuk jeton më”

Vetëm pak orë para largimit të tij nga Shqipëria, për të mbërritur me një nga linjat ajrore që të çojnë në Stamboll, atje dhe ku jeton prej shumë vitesh Naxhi Shensoi, ish-trajneri kosovar me pasaportë turke zbardhi për gazetën “Telegraf” edhe arsyet e largimit të tij përfundimtar nga Kukësi. Në fakt, ai nuk pranoi më ta trajnonte e drejtonte skuadrën pas barazimit pa gola me Lushnjën në “Zeqir Ymeri”, çka provokoi edhe thirrjen në kor nga ana e tifozëve kuksianë që i kërkonin trajnerit largimin. Tashmë, Naxhi Shensoi është larguar, ndërkohë që në vend të tij është ulur Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit, Tiranës e Teutës, teksa me dy të parat ka fituar edhe tituj kampionë.

 – Zoti Shensoji, tashmë keni dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Kukësit, pavarësisht se e drejtoni atë prej më shumë se katër muaj dhe kryet edhe fazën përgatitore. Cilat janë arsyet që, ju detyruan të merrni vendimin ekstrem?

– Jam i vetëdijshëm që, për shumë njerëz ky është një vendim surprizë për ta. Më lejoni ta sqaroj se, përse e mora atë vendim. Pas ndeshjes me Bylisin (të dielën), të cilën ne munda ta fitonim edhe me rezultatin e thellë 7-0, por për fat të keq ne dolëm në barazim (0-0), disa banditë reaguan shumë keq ndaj meje, duke më sharë nënën, e cila nuk jeton më, gruan dhe fëmijët.

– Ju jeni një trajner profesionist e me një karrierë të gjatë në gjashtë vende të ndryshme, dhe patjetër jeni mësuar më këto lloj sjellje tifozësh të revoltuar në një moment të caktuar…

– Dua të jem i qartë me të gjithë, për një gjë shumë thelbësore. Në jetën time, lekët dhe karriera nuk janë më të vlefshme se familja ime. Ajo është parësore në jetën time dhe këtë nuk e diskutoj.

– Ju e drejtoni Kukësin nga tetori i vitit të kaluar, ndërkohë që keni qenë edhe i preferuari i Presidentit Safet Gjici. A nuk mund të ndërhynte ai, për të qetësuar situatën?

– Padyshim që, po. I kërkova Presidentit të ndërhynte, por ai më tha, se dhe atë po e shanin e fyenin. Kështu që, më tha ai, as unë nuk mund të bëj gjë. Atëherë, unë reagova, se unë nuk mund të lejoj njeri të më shajë, sidomos nga familja që për mua është gjeja më e shenjtë.

– Ikja juaj ishte disi e papritur për të gjithë. A këmbënguli Presidenti Gjici, për të hequr nga vendimi që tashmë kishit marrë?

– Po, është e vërtetë që Presidenti Gjici këmbënguli që unë të vazhdoja projektin që kishim nisur, por unë tashmë e kisha marrë vendimin tim të pakthyeshëm. Ika, pasi nuk mund ta konsideroja veten fajtor.

– Ju pasuat Armando Cungun në detyrën e trajnerit, në një kohë që skuadra po vuante nga rezultatet e dobëta, ndërkohë që tani Kukësi konsiderohet si një ekip favorit për titull…

– E mora Kukësin në vendin e parafundit, me vetëm 7 pikë pas 6 ndeshjesh. Tani jemi në vendin e tretë që, do të thotë se kemi shanse reale për të luajtur në Europë. Të mos harrojmë se, në Kupën e Shqipërisë jemi në çerekfinale. Kjo do të thotë se unë kam qenë shumë i suksesshëm deri tani. Të jemi të sinqertë, asnjë trajner shqiptar nuk do ta kishte marrë këtë vendim aq lehtë, por për mua dhe dua ta theksoj këtë, principet e punës dhe karakteri janë më të vlefshëm se çdo gjë tjetër.

7 pikë

grumbulloi ish-trajneri Armando Cungu gjatë gjashtë ndeshjeve të tij, duke regjistruar dy fitore, një barazim e tri humbje, para se të shkarkohej

20 pikë

ka grumbulluar trajneri Naxhi Shensoji gjatë 12 javëve te tij te Kukësi, duke fituar pesë ndeshje, barazuar pesë dhe humbur vetëm dy takime

RENDITJA

1     Skënderbeu 18   +13 37

2     Teuta                  18   +4   28

3     Laçi                     18   +3   27

4     Partizani             18   +2   27

5     Kukësi         18   +1   27

6     Besa                    18   +0   25

7     Flamurtari           18   +1   25

8     Bylis                   18   +2   23

9     Vllaznia       18   +0   22

10   Lushnja        18   -10  19

11   Kastrioti             18   -6    18

12   Tirana          18   -10  16

10 mijë euro paradhënie

 Sipas burimeve të klubit të Kukësit, ish-trajneri Naxhi Shensoi ka marrë një paradhënie prej 10 mijë eurosh. Drejtuesit e Kukësit tashmë kanë depozituar një ankesë pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, për braktisjen e skuadrës nga ana e Shensoit dhe prishje të njëanshme të kontratës.

 Një Kukës “Made in Afrika!”

 Kukësi ka bërë “bumin” e madh në merkaton e janarit, pasi ka nënshkruar me tetë lojtarë njëherësh. Pjesën e “luanit” në këto kontrata e kanë pesë nigerianët. Solomonson Izuçuku, Henri Uçe, Olaunmi Olabisi, Ismail Gata Adeshina dhe Peter Terna Susuam. Mirëpo përveç tyre kanë nënshkruar edhe kamerunasi Pierr Boya e shkodrani Artan Thorja. I fundit që mbërriti ishte mbrojtësi malazez Dorde Dikanoviç. Ata kanë zënë vendin e katër të huajve që u larguan në fund të janarit, konkretisht të sulmuesit serb Lazar Popoviç, qendërmbrojtësit Lukas Malakarne dhe mesfushorëve Kristian Dragoi e Davor Bratiç.

  Naxhi, trajner në gjashtë shtete të ndryshme

 Shensoj ka një karrierë të gjatë si trajner, madje ai mund të jetë shqiptari i vetëm që ka drejtuar klube në gjashtë shtete të ndryshme: Shqipëri, Turqi, Serbi, Arabinë Saudite, Azerbajxhan dhe Bullgari. Në Turqi, ka qenë ndihmësi i trajnerit të famshëm jugosllav, Todor Vesiloniviç, te Fenerbahçe. Më pas ka punuar si trajner kryesor i Istambulsporit. Ka punuar tri herë në Azerbajxhan me klubin Turan. Në Bullgari ka drejtuar pesë klube: Belasicën, Vihrenin, Pirinin, Sllavian dhe Lokomotivën e Plovdivit. Në Serbi ka drejtuar BSK Borça, ndërsa në Arabinë Saudite kam qenë trajner i klubit Najran. Dy vitet e fundit ka drejtuar në Shqipëri, Bylisin. Drejtoi Kukësin nga java e 7-të e deri në javën e 18-të të Kategorisë Superiore të këtij edicioni. I diplomuar për Ekonomi dhe zotërues i gjashtë gjuhëve ai është trajneri i parë që ka marrë licencën “UEFA PRO” (2007) në Turqi, ndërkohë që në të kaluarën i është bërë ofertë, edhe për të drejtuar Kombëtare e futbollit të Azerbajxhanit.

 Sulejman Starova, trajneri i ri i Kukësit

 Pa kaluar 24 orë nga barazimi në shtëpi me Bylis dhe vetëm pak orë pas vetëlargimit të Naxhi Shensoit, Sulejman Starova u emërua trajneri i ri i Kukësit, duke u bëri tekniku i tretë brenda këtij sezoni që i drejton nënkampionët e Shqipërisë, pas Armando Cungut (drejtoi nga java 1-6) dhe Naxhi Shensoit (drejtoi nga java 7-18). Trajneri kosovar me pasaportë turke nuk u paraqit në detyrë për të drejtuar skuadrën. Sipas presidencës së klubit të Kukësit, numri një i stolit të nënkampionëve ka braktisur detyrën pa lajmëruar askënd, teksa skuadra ishte në pritje për të filluar stërvitjen në prag të sfidës së parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, pikërisht ndaj Bylis në “Adush Muca”. Në kompleksin stërvitor skuadra është gjendur e papërgatitur nga mungesa e trajnerit teksa drejtuesit kanë komunikuar në telefon me Shensoin, ku janë informuar me vendimin e tij për të ndërprerë marrëveshjen e firmosur pikërisht përpara përballjes së fazës së parë ndaj Bylis në Ballsh. Drejtimin e skuadrës e ka marrë Sulejman Starova, që deri më sot mbante rolin e Drejtorit Sportiv në klubin verior. Debutimi i Starovës në krye të skuadrës do të jetë të Mërkurën në Ballsh në sfidën e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylis. Starova është një nga trajnerët elitarë

 Deklarata e Klubit

 “Sot, me datë 10.02.2014. z.Naxhi Shensoji, trajner i parë i FK Kukësit, nuk është paraqitur në punë duke braktisur në mënyrë të njëanshme detyrën dhe duke shkelur kontratën e nënshkruar konform gjithë bazës juridike me FK Kukësin. Nga ana e tij presidenti i FK Kukësit, z. Safet Gjici, i ka kërkuar trajnerit Shensoji të vazhdojë punën dhe të drejtojë ekipin sipas kontratës së nënshkruar. Kjo kërkesë e presidentit Gjici, nuk është marrë në konsideratë nga ana e Shensojit , i cili ka refuzuar të paraqitet në punë. Theksojmë se klubi , ka përmbushur gjithë detyrimet ndaj Shensojit dhe kërkesave të tij në të gjitha drejtimet, dhe kjo është shkelje e njëanshme dhe krejt e papritur e kontratës ligjore mes dy palëve ,dhe e rregullores së klubit, prandaj ndaj tij do ndiqet dhe procedura ligjore e dhe penalitetet e parashikuara në kontratë, dhe rregullore. Z. Shensoji erdhi në drejtimin e klubit në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar duke marrë përsipër objektivat që ka klubi. Nisur sa më sipër klubi ka emëruar në krye të ekipit si trajner drejtorin sportiv të deritanishëm z. Sulejman Starova”, – thuhej në deklaratën e klubit të Kukësit.