Barcelona dhe Messi të pandarë, argjentinasi firmos kontratën e re deri në 2021. Klauzolë 300 mln euro

559
E njëjta histori me të njëjtin fund është përsëritur sërish mes Lionel Messi-t dhe Barcelonës. Ylli argjentinas dhe klubi katalanas kanë gjetur marrëveshjen për zgjatjen e kontratës për katër vitet e ardhshme dëri më 30 qershor 2021.
“Akordi do të formalizohet në javët e ardhshme”, kur pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, aktualisht me pushime pas martesës së tij më 30 qershor, do të rikthehet për të nisur stërvitjen me klubin katalanas, bëri të ditur Barcelona.

Shënuesi më i mirë në historinë e blaugranëve ka si opsion edhe një vit shtesë në rast se edhe klubi do jetë i gatshëm ta rinovojë. Kujtojmë se kontrata e mëparshme skadonte në qershor të 2018.

Asnjë detaj për shumën e kontratës nuk është dhënë, por sipas gazetës “Marca”, “klauzola e zgjidhjes së kontratës është fiksuar në 300 milione euro”.

Messi, lindur ne Rosario në Argjentinë, ka ardhur në moshën 13-vjeçare në “La Masia”, qendra përgatitore e Barças, ku ka luajtur 13 sezone si profesionist me klubin katalan.

Ai ka shënuar 507 gola në 583 ndeshje dhe ka fituar, mes te tjerash, katër Liga të Kampioneve dhe tetë kampionate të Spanjës.
Sigal