Liverpul kalon grupin mes drithërimash, e ndjek Napoli me goleadë

263

Pak drithërima, por në fund Liverpul është larguar me buzëqeshje nga Austria, ku ka marrë një fitore 2-0 të zgjidhur brenda 2 minutash në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Salcburg, duke u konfirmuar e kualifikuar si kokë grupi në Ligën e Kampioneve.

Skuadra e Klop vuajti jo pak përballe vendasve në pjesën e parë, ku ata rrezikuan disa herë portën e Allison, ndërsa nuk dukej në gjendje të gjente të çarën në prapavijën e tyre me Salah që shpërdori disa mundësi shënimi. Por në pjesën e dytë Mane gjeti pasimin perfekt për golin e Keita dhe vetëm një minutë më vonë, Salah shënoi një gol të mrekullueshëm për të çuar shifrat në 2-0 e vulosur kalimin e turit.

Në ndeshjen tjetër, Napoli bëri detyrën që në pjesën e parë, duke gjetur shpejt rrjetën me Milik që në minutat e parë falë një gabimi të portierit të Genk e më pas duke çuar lehtësisht në 3-0 rezultatin deri në fundin e pjesës së parë me dy gola të tjerë të polakut. Në pjesën e dytë, kishte kohë edhe për festimin e Mertens i cili realizoi të katërtin me penallti duke vulosur një fitore të thjeshtë që siguroi kalimin e turit, edhe pse në vazon e dytë, që parashikon duele të vështira në fazën me eliminim direkt.

Ndeshjet:

Napoli- Genk 4-0
3′, 26′, 37′ (p) Milik, 74′ (p) Mertens

Salcburg- Liverpul 0-2
57′ Keita, 58′ Salah