Ledian Memushaj: Në Francë dhamë maksimumin, bëmë histori dhe mësuam shumë

676
Ekipi kombëtar i futbollit sapo është kthyer nga pjesëmarrja në Euro-2016. Edhe pse i eliminuar, por pas dy paraqitjesh mjaft të mira me Zvicrën dhe Francën dhe sidomos pas lojës së luajtur me shpirt e me fantazi, që i dha fitoren ndaj Rumanisë. Të mbështetur dhe të inkurajuar nga një publik mbarëkombëtar si asnjëherë tjetër jo vetëm në stadiumet ku u luajtën ndeshjet, por edhe në ekranet e televizioneve kudo ku jetojnë shqiptarë anembanë botës, djemtë e tij u pritën në Tiranë me ceremoni e nderime, tamam si heronj të këtij vendi. I gjithë ekipi u paraqit si një grup i vetëm dhe mjaft solid nën drejtimin e trajnerit De Biazi dhe gjithë stafit të tij, si dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit. Fitorja e vetme ndaj Rumanisë, që na dha trepikëshin, është fryt i punës së përkushtuar të trajnerit dhe i djersës së gjithë lojtarëve, por, padyshim, edhe i rolit të mesfushorit të talentuar Ledian Memushaj, i cili u shfaq shpërthyes në fushë dhe si organizator mjafti mirë, që, edhe pse vetë nuk arriti të shënonte, ishte ai që krosoi atë top të cilin Sadiku e dërgoi në portë. Jo me kot, France Football e ka renditur Ledianin në formacionin më të mirë për ndeshjet e treta në Euro-2016, përkrah emrave të njohur të futbollit europian, si Kristiano Ronaldo etj. Përveç kësaj, Memushaj është edhe kapiteni i ekipit të Peskarës, që në sezonin e ardhshëm do të luajë në serinë A të kampionatit Italian.

Përshtypjet e tij pas kthimit nga Europiani, mundëm t’ia merrnim në Rinas në intervistën e mëposhtme:

 I sapokthyer nga Euro 2016, si ndiheni?

Së pari, faleminderit për intervistën në gazetën “Telegraf”. Do të thosha se ndihem tepër i gëzuar për paraqitjen e skuadrës, por edhe i hidhëruar për eliminimin e pamerituar.

 A mendon se kombëtarja jonë ishte e denjë për të dalë në 16-she e të luante edhe një takim, pse jo dhe më shumë?

Jam mëse i bindur se dy humbjet qenë të pamerituara për ekipin tonë. Kishim kohë që ishim përgatitur për ta përballuar mjaft mirë këtë Europian, edhe pse merrnim pjesë në të përherë të parë. Mund të them që si Francën, edhe Zvicrën i mbyllëm në gjysmëfushën e tyre, thjesht nga mungoi fati. Luajtëm me gjak, në mënyrë korrekte, me shpirt gare, me dëshirë. Por dhe afti ndikon në rezultat.

 Çfarë mbresash ju la pritja e organizuar në Tiranë?

Mbresa të paimagjinueshme. Gjëra të tilla ndodhin rrallë në jetën e njeriut. Nga pritja në Rinas, ardhja me autobus të zbuluar drejt Tiranës, ku populli na përshëndeste përzemërsisht, pritja nga personalitetet më të larta të vendit, pritje e shkëlqyer në Sheshin “Nënë Tereza”, do ta thosha se përbëjnë kulmin për një ekip kombëtar. Gjithë këtë pritje e gëzim njëkohësisht të mbarë opinionit shqiptar brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë duhet t’ia shpërblejmë në të ardhmen me lojëra edhe më të mira. Në Tiranë pritja ishte si nuk ka ndodhur kurrë. Një pritje heronjsh që nuk e kishim menduar. Kjo tregon për vlerat që ka futbolli sot dhe për misionin që ai ka marrë përsipër. Ne i dhamë Shqipërisë emër, ajo na dha Lavdi. Ato emocione nuk mund ti harroj kurrë. 

 Edhe pse luajtët vetëm 2 ndeshje në këtë Europian, “France Football” ju radhiti në 11-shen e vendeve të treta, krahas lojtarëve të dëgjuar si Ronaldo. Si e përjetoni këtë fakt?

Gjë shumë e gëzueshme, vlerësim i madh dhe kurorëzim i punës e i djersës së derdhur në vite. Futbolli është sakrificë e madhe, por kur shijon frytet e punës, gëzimi është i papërshkrueshëm për çdo lojtar, në këtë rast edhe për mua. Mendoj e meritonim këtë vlerësim, besoj se ja arritëm me shumë punë. Ky është një përjetim i madh dhe një privilegj njëkohësisht që na vë para përgjegjësive të mëdha.

Tifozeria shqiptare në Francë u vlerësua jashtëzakonisht, a mendon se ishte një inkurajim për ju dhe ekipin?

Është mëse e vërtetë. Mbështetjen e tyre kishim kohë që e ndienim, sidomos në ndeshjet e luajtura në Shqipëri, por kur në stadiumet e Francës ku luajtëm, dëgjonim brohoritjet “Shqipëri, Shqipëri” na rrëqethej mishi dhe mendonim se ishim në Tiranë. Një mbështetje e tillë na bënte të luanim edhe më mirë. Janë të pakta në botë skuadra si jona, që kanë një mbështetje të tillë nga tifozeria. I falënderoj thellë nga zemra për mbështetjen që na dhanë. U ngelemi gjithmonë borxhlinj. Tifozët tanë janë unik, janë të mrekullueshëm. Ata të jap gjithmonë ndihmesë dhe ne thuajse futemi me lojtarin e 13 në fushë që është tifozi. Sidomos në Francë tifozët tanë u treguan korrektë dhe shumë frymëzues.

Kujt ia kushtoni këtë paraqitje të mirë në Europian? 

Ia kushtoj familjes sime, prindërve të mi, që kanë sakrifikuar e më kanë mbështetur në çdo hap të karrierës time në futboll. Familja është sponsori më i rëndësishëm për një lojtar. Pa mbështetjen e saj, nuk bën dot rrugë të gjatë.

Çfarë ju pret me kthimin në Itali, pushime apo…?

Pas një viti të ngarkuar me emocione e ngarkesë të madhe fizike, pak pushime janë “balsami” më i mirë. Më tej na pret pjesëmarrja në kampionatin italian, tashmë në serinë A, por edhe eliminatoret e Kampionatit Botëror 2018.

 Pas Europianit shumë prej futbollistëve kanë marrë oferta, po ju? Nëse po, a do të largoheshit nga Peskara?

Aktualisht jam nën kontratë me Peskarën. Të jem i sinqertë, në Peskarë ndihem mjaft mirë, njoh ambientin, jam kapiten i skuadrës dhe një kapiten i mirë s’duhet ta braktisë kurrë anijen e tij. Për mua ka më vlerë ambienti, shoqëria sesa paratë.

Cilën skuadër parashikoni në finale të Europianit dhe cilën do të dëshironit që të ishte fituese e kupës?

  Parashikoj në finale ekipet Gjermani–Spanjë dhe fitues Gjermaninë. Po le të shohim se çfarë do të ndodhë.

 Edhe pse janë edhe dy muaj nga fillimi i ndeshjeve eliminatore të Botërorit, faktin që në grup kemi edhe Italinë, si e prisni?

E shikoj si një derbi. Si edhe në Europian ne do të kemi mbështetje të madhe nga tifozët tanë, që në Itali janë të shumtë. Italia mbetet favorite në të gjithë kampionatet botërore dhe Europiane. Ka emër në futboll. Por koha ecën dhe ne tashmë kemi futbollin tonë që është në nivele shumë të kënaqshme. Besoj se kjo ndeshje do të ketë interes të madh kudo në Europë.

Le t’i kthehemi pak skuadrës ku ju luani në Itali. Duke qenë se në ndeshjen e fundit të kthimit të Peskarës ju ishit në Francë, a kishit besim te kualifikimi i ekipit edhe pa kapitenin e saj?

Isha më se i bindur që skuadra edhe me mungesën time do të arrinte të kualifikohej. Kemi një grup të lidhur dhe, kur grupi është i fortë, individi është sekondar. Puna në grup jep gjithmonë rezultate. Pa këtë punë ngërçi nuk mund të shmanget.

Edhe pse me Flamurtarin nuk keni luajtur, si vlonjat që je, a e simpatizoni këtë skuadër?

Patjetër që e simpatizoj dhe dëshiroj ta shohë përherë sa më lart. Më kujtohet qysh i vogël, im atë më merrte me vete në stadium kur lozte Flamurtari, pastaj shtëpinë e kishim në Skelë shumë afër stadiumit. I uroj Flamurtarit suksese në rrugën e vet dhe si vlonjat dëshiroj ta shikojmë së shpejti në kompeticionet europiane si dikur. Ky ekip ka pasur lavdinë e vet dhe ka bërë histori në futbollin shqiptar. Tani meriton të ecë në ato gjurmë.

Krahas futbollit, çfarë pasionesh të tjera keni?

Më pëlqen muzika, por edhe të lexoj. Lexoj libra të ndryshëm historik, por që lidhen dhe me trevën tonë të Labërisë. Libri është për mua një muzikë e dytë.

Faleminderit dhe suksese!

Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ
Sigal