“Për pak desh humba djalin dhe vajzën nga mungesa e një mjeku”

578
E ndërsa Ministria e Shëndetësisë, kreu i saj Beqja, dhe kryeministri Rama, shfaqen pothuajse çdo ditë në ekranet e televizioneve duke “inauguruar” salla moderne mjekësore, pavijone dhe pajisjet e reja të cilat sipas tyre do ti “shpëtojnë shqiptarët nga sfilitja e deritanishme”, ngjarje tronditëse, të denja për filmat horror dhe vendet afrikane, ndodhin çdo ditë, jo larg shumë nga Tirana. Bëhej fjalë për Shkëmbin e Kavajës, atje ku sot ngrihet një prej zonave më të populluara të vendit, sapo nis sezoni veror, dhe ku mungon qendra shëndetësore, mjeku, infermieri, dhe farmacia. Plazhistët, pushuesit vendas dhe të huaj, përballen tek Shkëmbi Kavajës, pothuajse do vit dhe çdo sezon me mungesën e shërbimit shëndetësor, me mungesën e një reparti mjekimesh, që do tu mund ti vinte në ndihmë mijëra njerëzve. Ngjarja e dhimbshme e cila do t’ju tregojmë, përshfaq lakuriq, premtimet dhe mashtrimet e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila vetëm pak ditë më parë në një njoftim të saj zyrtar citonte se “janë në gatishmëri të plotë qendrat shëndetësore në zonat bregdetare, të pajisura me mjekë, infermierë dhe autoambulanca”. Kjo propagandë mashtruese, ka rrezikuar dhe po rrezikon çdo ditë jetën e shqiptarëve, kurse në zonat turistike dhe kryesisht në ato bregdetare, jetën e pushuesve.

Si ka ndodhur ngjarja e dhimbshme

Mësuesi E.H. ishte nisur nga Tirana drejt Durrësit, bashkë me dy fëmijët e tij, për të bërë plazh ditor, ditën e shtunë, duke pasur si stacion Shkëmbin e Kavajës. Mësuesi, babai i tre fëmijëve tregoi për “Telegraf” se “e shtuna ishte dita e tmerrit, “sa të jem gjallë nuk do ta harroj, u nisa nga Tirana bashkë me dy fëmijët, vajzën 20 vjeç dhe djalin 8 vjeç, për të plazhuar, pasi edhe vapa ishte e padurueshme, gruaja mbeti në shtëpi bashkë me djalin e vogël, pasi kishte angazhime të tjera. Zbresim në zonën e Shkëmbit të Kavajës, atje ku zakonisht shkojmë si familje dhe sistemohemi duke marrë çadrën dhe dy zhezllongë me goxha çmime të kripura, por siç e thashë duke plotësuar gjithmonë dëshirën e djalit dhe vajzës”. Duke vazhduar tregimin e tij rrëqethës, mësuesi E.H. mbërrin tek çasti tronditës. “Pas afro 25 minutash që kishim mbërritur në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, djali 8 vjeçar më thotë “babi po futem në det”, ndërkohë që unë dhe vajza qëndruam në çadër duke përtypur diçka, dhe kur nuk kishin kaluar as 10 minuta, djali më del nga deti, duke ulëritur “babi po më del gjak i madh nga shputa e këmbës, se çfarë më hyri, diçka e mprehtë”. Menjëherë siç isha, jam ngritur dhe shikoj djalin të gjakosur, ishte çarë me diçka të mprehtë në afërsi të bregut të detit, dhe gjaku nuk i pushonte. 

Kam nisur të kërkoj ndihmë, por askush nuk luajti vendit, duket se jemi bërë më të ftohtë se akulli, kam marrë djalin në krahë, kam nisur të vij vërdallë në mes të vapës në 40 gradë temperatura, bashkë me vajzën, duke thirrur “ku ka mjek, ku ka ambulancë, më ndihmoni”. Nuk më erdhi as mjeku, as ambulanca, vetëm mbaj mend se më është afruar dikush dhe më tha “shko dil tek rruga nacionale se të iku djali”. Ashtu pa u veshur, i tronditur dhe me buzën e tharë nga vapa, jemi nisur bashkë me vajzën dhe djalin 8 vjeç në krahë, drejt rrugës nacionale, ku nuk ndalonte asnjë makinë, ndërsa unë u mbulova nga gjaku që rridhte nga këmba e djalit dhe dielli që po na përvëlonte”. Por sikur të mos mjaftonte kjo, nga mbrapa supit tim dëgjoj vajzën që më thotë me zërin e mekur “babi nuk jam mirë, babi po bie, më ndihmo”. Po përjetoja tmerrin, po më iknin dy fëmijët e mi në duart e mia, dhe kjo pasi nuk po gjendej një mjek, një ambulancë, një farmaci. U shtriva në tokë, duke mbajtur në njërën dorë vajzën e futur në kllapi dhe djalin në krahun tjetër të gjakosur”. Rastësisht, fare rastësisht, më vjen një burrë me një dum-dum, më ndihmon ti hap me forcë gojën vajzës, sepse i kishte ikur gjuha, dhe përfundoj në një farmaci në sektorin “Iliria”, e vetmja farmaci tek e cila mbështeta shpresën se do të shpëtoja djalin dhe vajzën time. Me urgjencë farmacistja i bëri një injeksion djalit, e mjekoi, dhe për afro 20 minuta, është marrë me vajzën, e cila kishte pësuar tronditje të thellë nga pamja e tmerrshme që shikonte me vëllain e saj, por edhe nga vapa e madhe”. 


Qetësohemi në ambientet e farmacisë, dhe pas afro 30 minutash, dalim që andej, djali me këmbën e lidhur, i stresuar dhe i drobitur, vajza e sapo dalë nga gjendja, ku humbi ndjenjat, dhe ndoshta mund të kishte humbur edhe jetën, në mes të plazhit, atje ku shkojnë e pushojnë qindra e mijëra njerëz, dhe që Ministria e Shëndetësisë, nuk ngre një ambulancë, apo një qendër shëndetësore, dhe ku nuk gjen një autoambulancë, e cila tu gjendet pushuesve në momentet e vështira”. Mësuesi nga Tirana, u shpreh se “tashmë fëmijët morën frikë dhe tmerr nga plazhi, kur u përmend plazhin, dridhen, kjo ishte një histori e tmerrshme, e cila uroj të mos i ndodhë asnjë njeriu”. Duke marrë shkas nga ngjarja e dhimbshme, e një arsimtari, prindi me dy fëmijët e tij, mëson dhe bindesh se në këtë vend, realiteti mbetet më tepër se vrastar, ka humbur shpresa, kemi humbur edhe ne ndjenjat humane. Mungesa e shërbimit shëndetësor, ka krijuar situata vërtetë kritike për qytetarët, dhe dramatike për pushuesit dhe turistët. Mungesa e një qendre shëndetësore dhe e ambulancave, kur në zonat bregdetare ( dhe jo vetëm atje) ato duhet të jenë në çdo lagje dhe zone të banueshme, mungesa e mjekut, infermierit, autoambulancave tregon sa bajate janë mashtrimet e një ministri, dhe sa fatale rezultojnë ato në raste të tilla. Dhe kur kjo ndihmë mjekësore mungon në qendër të zonave bregdetare më të populluara të vendit, çfarë mund të thuash për zonat e thella, për qytetet e vogla dhe periferitë e tyre, të lëna krejtësisht në harresë?! MAKSIM TUFA

Sigal