Kukësi drejt “ankandit”, Gjici “shoping” te Vllaznia!

449
Pas ndryshimeve të sistemit në Shqipëri, natyrisht që ndryshuan edhe disa rregulla e mënyra të administrimit të sporteve. Në veçanti futbolli, mes të gjitha ndryshimeve të përqendruara në Ligjin për Sportet, u bë “pre” e njerëzve të ndryshëm, me dhe pa biznese, të cilët më shumë në të zezë e më pak ligjërisht, për interesat e tyre vetjake, ekonomike, pse jo dhe politike, në shumë raste i kanë tërhequr zvarrë skuadrat kur objektivat e tyre përfituese nuk kanë shkuar sipas parashikimeve që kanë pasur. Ky tranzicion i gjatë në ligjshmërinë sportive e ka mbajtur me frena dore zhvillimshmërinë në sport, rritjen e nivelit e njëherësh rritjen e të ardhurave që gjenerojnë sportet në sistemet demokratike. Gjatë periudhës 23 vjeçare (1992-2015), Shqipëria në këtë aspekt ka shumë shembuj, ndaj të cilëve ka për të reaguar me forcë, por ka edhe nga ata që janë për tu shtrënguar dorën për atë mirësi e zhvillim që i kanë dhënë sportit. Këta janë individë të veçantë dhe numërohen me gishtat e njërës dorë, por nëse do të “shkelnim” paksa ato shtigje ku individët e tjerë i kanë shkelur sportet, por në veçanti futbollin, në konceptin gazetaresk ky është një kontribut që do ti jepet futbollit për të ndarë të tashmen nga e kaluara. Njeri prej këtyre emrave është edhe ai i Safet Gjicit, i cili në katër sezone e ngriti Kukësin në “majën e piramidës” që ai as nuk e kishte ëndërruar në mbi 70 vite të ekzistencës së tij në futbollin shqiptar. Për atë çka ka arritur në Kategorinë Superiore si Nënkapion e më pas në kalimin e tre tureve në Europa Ligë, me skuadrën kuksiane është krenuar i gjithë futbolli shqiptar, sepse ka hyrë në histori si më e mira shqiptare në këtë kompeticion.

 Ndërsa sot po dëgjojmë që një president skuadre (Gjici i Kukësit) po kërkon të largohet prej andej se tifozët i prishën punë dhe do të “blejë” një skuadër të madhe (Vllazninë), aktualisht në vështirësi ekonomike. Çudira shqiptare, bën vaki edhe ndodhin! Gjithsesi, edhe nëse do të dëgjonim që presidenti do të ikte nga ky funksion nëse nuk do të kishte arritje, kjo do të besohej, por që të largohet nga një skenë tifozësh, këtu ka diçka tjetër për ta menduar. Ky nuk është justifikim për ta lënë skuadrën e Kukësit, ndërsa vetë Safet Gjici e ka shprehur tashmë dëshirën për të qenë president i Vllaznisë, ndërkohë që Kukësin po e “braktis” atëhere kur ai ka nevojë më shumë se kurrë për të. Punë e tij, por nëse mendohet që me skuadrat të bëhet xhiro e tregëti, kjo nuk i shërben futbollit tonë as në aspektin moral të misionit të tij, as edhe në aspektin teknik të hallakatjeve të lojtarëve e trajnerëve pa u zënë mirë këmbët “dhe” në skuadër. Ndoshta sot Vllaznia është e etur për financa dhe ky është një realitet, por pse duhet të jetë një “grep” që kërkon të kapë “gjah” më të madh në emër. Për hajër, por Bota dhe Europa e futbollit nuk mendon e vepron kështu, prandaj edhe rezultatet e skuadrave të tyre periodikisht vijnë në ngjitje. Le të shohim në Europë më konkretisht ku presidentë skuadrash kanë 10, 15 apo 20 vite që i drejtojnë ato duke i ngjitur në majat e futbollit evropian e botëror, por rrallë, shumë rrallë është parë e dëgjuar që një president të kërcejë “pupthi” nga njera skuadër në tjetrën në periudha kaq të shkurtra. Skuadrat nuk janë piramida, kështu do të doja ta mbyllja këtë “qëmtim” për çka po ndodh me drejtimin në skuadrën e Kukësit. Me të tjerat e Kategorisë Superiore, në këtë start të sezonit të ri 2015-2016 situata të tilla duken si të huaja e të pazakonta. Tashmë 10 ditë para nisjes të Kampionatit të Kategorisë Superiore, kjo lëvizje e Gjicit ndoshta nuk do të bjerë erë të mirë në Kukës. Merkatoja shpesh quhet edhe si fjalë tavolinash, kështu që ka edhe një “skutë” ku mund të shikohet drita e besimit.
….
Për më tepër lexoni Gazetën Telegraf…
Sigal